2012-04-05 15:16:53

Benedikti XVI në Meshën e Bagmit në Vatikan: duke iu bindur Zotit, mund ta përtërijmë vërtet Kishën.


Duke iu bindur Krishtit mund të përtërijmë më të vërtetë Kishën: këtë nënvizoi Papa Benedikti XVI gjatë Meshës të bekimit të Vajrave të Shenjta, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan në ditën e parë të treditëshit të Pashkëve, të Enjten e Madhe. Papa ripohoi që meshtarët janë të thirrur t’i përmbahen e të përkojnë me figurën e Zotërisë Jezus, duke hequr dorë nga udha vetjake e realizimit.RealAudioMP3
Në vijim Papa i inkurajoi besimtarët ta kundërshtojnë analfabetizmin fetare në shoqërinë tonë, e këtë duke përfituar posaçërisht nga Viti i Fesë.
A jemi më të vërtetë njerëz “që veprojnë duke u nisur nga Zoti dhe në bashkim me Jezu Krishti”?. Këtë pyetje Papa Benedikti XVI ia drejtoi vetes e priftërinjve gjatë homelisë së Meshës së Bagmit. Në kremtimin ku, së bashku me bekimin e Vajrave të shenjta, përtërihen premtimet meshtarake, Papa Ractinger u kërkoi atyre që janë të shuguruar e të përkushtuar Zotit, të heqin dorë nga ambiciet personale për t’i përngjarë sa më tepër e sa më mirë Krishtit, që “nuk sundon, por shërben, nuk merr por jep”:
“Kërkohet një lidhje e brendshme, madje, një konformizim me Krishtin, e në këtë përpjekje përkimi lypet të tejkalojmë vetveten, lypet mohimi i asaj që është vetëm e jona, të heqim dorë nga vetrealizimi aq i lëvduar e i mbrojtur. Ne na kërkohet, që unë të mos e kërkojë jetën time për vete, por atë ta vë në dispozicion të një tjetri – në dispozicion të Krishtit”.
Është e vërtetë, pranoi Papa, që sot shtrohet pyetja se si ky përkim e përngjasim “duhet të realizohen në situata shpesh dramatike të Kishës së sotme”. Ka edhe prej atyre, siç është një grup i meshtarëve të një Vendi evropian – kujtoi Papa – që ka publikuar një thirrje kundër dëgjesës, për të “injoruar madje edhe vendimet përfundimtare të Magjisterit” si për shembull mësimin mbi shugurimin e grave për meshtar:
“Po a vërtetë mosbindja thua është rrugëdalje? Në këtë a mund të perceptohet e të gjendet diçka nga vullneti e përkimi me Krishtin, që është parakusht për një përtëritje të vërtetë, apo mos ndoshta është vetëm nxitje e dëshpëruar për të bërë diçka, për ta shndërruar Kishën sipas dëshirave tona e ideve tona?”
Kush propozon këtë kundërshtim të dëgjesës, vëren Papa, thotë se është i bindur se “duhet ballafaquar ngadalësinë e Institucioneve me mjete drastike për të hapur rrugë të reja e për ta sjell Kishën në nivelin e duhur që kërkon e sotmja”. Është e qartë, shtoi Papa, se Krishti ka “korrigjuar traditat njerëzore që kërcënonin shuarjen e fjalës e nëpërkëmbjen e vullnetit të Zotit”. Mirëpo, në realitet, tërhoqi vëmendjen, Jezusi e bëri për të “zgjuar sërish bindjen ndaj vullnetit të vërtetë të Zotit”. Ai “e pat përzemër pikërisht dëgjesën e vërtet ndaj Hyjit, kundër vullnetit të njeriut”:
“Ai e konkretizoi mandatin e vet me bindjen e tij dhe përvujtërinë deri në Kryq, duke e bërë të besueshëm misionin e vet. Jo i imi, por vullneti i yt: kjo është fjala që na zbulon të Birim Hyjnor, përvujtërinë e tij së bashku me hyjninë e tij dhe na tregon udhën që duhet ndjekur”.
Atëherë, meshtarët janë të thirrur të kumtojmë jo “teori e opinione private, por fenë e Kishës” shërbëtorë të së cilës edhe janë. E atyre që mendojnë se “me konsiderata të tilla, realisht, mbrohet imobilizmi, ngurtësimi i traditës”, Papa përgjigjet duke treguar përvojën e lëvizjeve të lindura në epokën pas-konciliare. Një përtëritje që “shpesh ka marr forma të papritura” e që “gati gati e bënë të prekshëm gjallërinë e pashtershme të Kishës së Shenjtë, praninë dhe veprën efikase të Shpirtit Shenjt”:
“E nëse shikojmë njerëzit, prej të cilëve kanë buruar e burojnë këta lumenj të freskët të jetës, shohim faktin se edhe për një fekonditet të ri lypet të jemi të mbushur me gëzimin e fesë, të jemi të rrënjosur në dëgjesë, lypet dinamika e shpresës dhe forca e dashurisë”.
Ndoshta, shtoi Papa, “figura e Krishtit na duket nga njëherë tepër e lartë e tepër e madhe”. Mirëpo Zoti e di këtë e “prandaj ka menduar për ‘përshtatje’ më të kapshme e më afër nesh” sipas rendit të madhësisë. E pastaj Papa kujtoi aradhen e meshtarëve të shenjtë që “na paraprijnë në udhën e treguar”, nga Polikarpi tek Agostini, nga Gjoni Maria Vianej tek Karol Wojtila:
“Shenjtorët na tregojnë si funksionon përtëritja e si mund të vihemi në shërbim të saj. E na bëjnë të kuptojmë se Zoti nuk i shikon shifrat e mëdha e sukseset e jashtme, po fitoren e vet e vë në shenjën e përvujtë të kokrrës së sinapit”.
Në pjesën e fundit të homelisë, Papa u ndal mbi analfabetizmin fetar që po “përhapen në shoqërinë tonë kaq inteligjente”. Gjërat themelore të fesë që në të kaluarën qenë njohur dhe të cilat i dinte edhe një fëmijë, tani janë “gjithnjë më pak të njohura”:
“Për ta jetuar e dashur fenë tonë, për të dashur Zotin e këndej për t’u bërë të aftë Ta dëgjojmë në mënyrë të drejtë, duhet të dimë se çka na ka thënë Zoti; arsyeja jonë e zemra jonë duhet të preken nga fjala e tij”.







All the contents on this site are copyrighted ©.