2012-04-04 16:51:15

Kardinali Komastri në Meshën për punonjësit e Vatikanit: “Juda, rrezik gjithnjë i pranishëm në Kishë”.


Kardinali Anxhelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit, kryesoi sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit, Meshën Shenjte për punonjësit e Vatikanit, në prag të Triditshes së Pashkëve.
Në homelinë e rastit, kardinali komentoi Ungjillin e ditës, që flet për tradhtinë e Judës, atij që shtirej si apostull, madje, më i devoçmi ndërmjet të Dymbëdhjetëve. Ndërsa ishte tradhtari. Ishte ai, që e shiti Mësuesin për 30 aspra, e i dha puthjen më tradhtare, që njeh historia, gjithnjë tragjike e njerëzimit. Puthjen e gjarpërit.
Predikatari vijoi të fliste për tradhtarin fodull, të etur për para e për hakmarrje e t’u kujtojë besimtarëve se fantazma e Judës vijon të endet mbi botën e mbi fatin e njeriut, që mund ta tradhtojë edhe sot Zotin, të tradhtojë mirësinë, përvujtërinë, dashurinë:
“Juda është gjithnjë i pranishëm në historinë e Kishës; rrezik real për këdo. Don Primo Maxolari, me realizëm të mprehtë, një ditë pati thënë: “Rreth çdo Sofre eukaristike rri në pritë hija e Judës. Duhet t’i hapim mirë sytë, që hija e tij të mos bëhet një me tonën!”.
Të ruhemi nga hija e Judës - theksoi predikatari, duke kujtuar, më pas, se ashtu si mund të bëhemi, edhe mund të mos bëhemi juda. Po si? Duke e matur vazhdimisht sjelljen tonë me metrin e së vërtetës, që është Jezusi. Duke ecur mbi gjurmët e tij, e kuptojmë kush jemi, përkrah kujt e në ç’rrugë duhet të ecim, për të mbërrijtur te caku:
“Jezusi është ilaçi më i mirë për sëmundjet tona shpirtërore; Jezusi është mirësia, që iu afrua ligësisë sonë, për ta mjekuar, për ta shëruar. Jezusi është Zoti, që shpëton! Këtë kuptim ka emri i Tij. Po si mund të ndodhë mrekullia e shërimit tonë shpirtëror? Si është e mundur të shërohemi nga sëmundja më e neveritshme, ligësia e shpirtit njerëzor? Ka vetëm një rrugë: pendimi! Pendimi i hap Zotit hapësirën e nevojshme në shpirtin tonë, që ai të zbresë ndër ne, të na shërojë e të na bëjë të lum”.
Më pas, kardinali u drejtoi besimtarëve një pyetje: “Po a jemi penduar sinqerisht për mëkatet tona?I kemi rënë vërtetë mohit ligësisë së zemrës, fodullëkut, mendjemadhësisë, arrogancës, hakmarrjes, egoizmit të tërbuar, shkatërrimtar për shpirtin, që e ka, e shpirtërat për rreth? Duam vërtet të mjekohemi, të shërohemi, të shpëtohemi nga Jezusi? Jemi vërtet gati?”. Se sa jemi gati, këtë e tregon zbatimi i urdhërimit më të madh të Jezusit për njeriun: “Duaje të afërmin, si vetveten!”. Zoti na la trashëgim dashurinë e sinqertë, të vërtetë, të njeriut për njeriun:
“Nga kjo do ta dinë se jeni dishepujt e mi: nga dashuria njëri për tjetrin. Në se ju mungon kjo dashuri, askush nuk do t’ju besojë se jeni të krishterë. Zoti na jep mundësinë t’i hapim zemrat e ta pranojmë dhuratën e dashurisë. Ta pranojmë, pra, e me përvujtëri, sepse kemi tepër pak mirësi, tepër pak përvuajtëri, tepër pak dashuri. Prandaj nganjëherë nuk e ndjejmë praninë e Jezusit ndër ne. E po për këtë arsye ua fshehim Zotin edhe atyre, që na rrethojnë e që duan t’i afrohen, për ta takuar”.
Në përfundim, kardinali Komastri iu lut Zotit, që këto Pashkë të reja:“.. të na shkundin fort, ta shembin murin e krenarisë sonë kallpe, të kundërshtimit tonë e të na bëjnë të aftë për t’ia marrë nga Dora Jezusit ibrikun e larjes së këmbëve, që na e la trashëgim. Në se do të bëjmë kështu, do të ndjejmë të na mungullojë në shpirt gëzimi i Shën Françeskut të Asizit, gëzimi i Nënë Terezës dhe i të gjithë dishepujve të vërtetë të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.