2012-04-04 16:47:55

Dita kundër minave. Papa: të çlirohet njerëzimi nga këto armë të tmerrshme


Në Ditën Ndërkombëtare të luftës kundër minave antinjeri, në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa Benedikti XVI u shprehu afërsinë viktimave e familjeve të dëmtuara prej tyre, kudo në botë. Më pas, thirrja:RealAudioMP3
“I inkurajoj të gjithë ata, që impenjohen për ta çliruar njerëzimin nga këto armë, të cilat, siç thoshte i Lumi Gjon Pali II me rastin e hyrjes në fuqi të Konventës për zhdukjen e tyre, i pengojnë njerëzit të ecin së bashku në shtigjet e jetës, të ecin pa pasur frikë nga kurthet, që mund t’u ngrejë shkatërrimi e vdekja”.
“Minat dhe armët e mbetura nga luftrat frenojnë zhvillimin e vënë në rrezik jetën”: kështu pohon në mesazhin për këtë Ditë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun. Të shumta, shtetet, që kanë ratifikuar Konventën e minave kundër njeriut, nënshkruar në Otavë të Kanadasë, në vitin 1994. Megjithatë, minat mbeten mjaft të përhapura në të gjithë globin e bonifikimi i fushave, ku janë “mbjellur”, kërkon një punë të jashtëzakonshme. Sipas statistikave të vitit 2007, Afrika, Azia, Rusia, por edhe Ekuadori, Peruja, Kolumbia e Kili janë zonat me më tepër mina kundër njeriut. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Fushatës italiane kundër minave, Xhuzepe Skiavelo:
Na inkurajon fakti se, tashmë, 159 shtete e kanë ratifikuar Traktatin për eliminimin e minave kundër njeriut. Mungojnë vetëm 37 vende e sot për sot, tregtia e përdorimi i këtyre minave pothuaj është ndalur.
Por ka akoma mina nën tokë. E ky është problem i madh…
Siç themi shpesh, “minat nuk e dinë se janë ndaluar”. Kur nisi kjo fushatë, mëse 90 vende kishin problemin e minave kundër njeriut. Sot, ato janë 70 e shumë zona, edhe të këtyre shteteve, janë bonifikuar.
Për çminimin e magazinimin e këtyre armëve është folur kohët e fundit në Shqipëri, në Bregun e Fildishtë dhe në Republikën Demokratike të Kongos. Këto ditë është dhënë lajmi se qeveria siriane po vendos mina përgjatë kufirit si për të mos lejuar ikjen e refugjatëve, ashtu edhe për mbrojtje. Problemi, pra, mbetet e është i rëndë…
Shumë i rëndë. Kufiri me Jordaninë ishte i minuar, prandaj nuk e dimë nëse kanë vendosur mina të tjera, ndërsa në kufirin me Turqinë e me Libanin, minat janë vendosur sërish, pasi ishin eliminuar. Fushata ndërkombëtare për ndalimin e minave kundër njeriut u ka bërë thirrje të gjitha shteteve të Traktatit të mbajnë qëndrim të ashpër ndaj sjelljes së Sirisë. Kujtojmë se Siria nuk bën pjesë në Traktat, por edhe ajo duhet të ketë parasysh se këto armë nuk bëjnë dallime e dhunojnë të drejtat e njeriut.
Cilat janë vendet ku minat kundër njeriut janë më të pranishme?
Janë në të gjitha skenaret e luftës. Afganistani, ku ka madje, edhe bomba të improvisuara, që shpesh përdoren nga rebelët, është pa dyshim, njëri nga vendet më problematike përsa u përket minave të pashpërthyera. Kolumbia është një vend tjetër, ku konfliktet e brendshme me Ushtrinë e Çlirimit Kombëtar, FARC, dhe me trafikantët e drogës kanë çuar në përdorimin e minave në dëm të popullsisë civile.
Minat kundër njeriut të kujtojnë menjëherë të ashtuquajturat “Cluster bombs”, apo bombat copëtuese. Janë armë, që kur hidhen, ndahen në mijëra bomba të tjera të vogla…
Traktati për to është më i ri: ka hyrë në fuqi në gusht 2010 dhe e kanë ratifikuar vetëm gjysma e atyre, që kanë nënshkruar Traktatin për minat kundër njeriut. Por, është e vërtetë se kemi të bëjmë me një Traktat, që u miratua si pasojë e atij impenjimi. Po përpiqemi të tregojmë gjithnjë e më tepër se edhe bombat copëtuese shfarosin pa dallim.
Shpesh janë fëmijët viktimat e tyre, apo jo?
Absolutisht po. Fëmijët kanë prirjen të luajnë me çdo objekt me ngjyra të bukura. Për shembull, në Afganistan, kemi pasur problemin e madh të pakove me ushqime, që hidheshin nga avionët. Ato ishin të verdha, njëlloj si pjesa më e madhe e bombave copëtuese. Kujtojmë se viktimat janë qindra mijëra e shpesh mbeten me probleme fizike në vende, që nuk u kushtojnë aspak kujdes, madje i mënjanojnë, pasi janë peshë e rëndë për familjen e për bashkësinë. Duhet të punojmë që shtetet nënshkruese të Traktatit të mendojnë konkretisht si t’i ndihmojnë këto viktima, pasi deri tani, fjalët kanë mbetur veç në letër.








All the contents on this site are copyrighted ©.