2012-04-03 17:01:17

U paraqit DBR 2013 e Rio-de-Zhanéjros. Kardinali Rilko: po studiohet edicioni i parë në Afrikë.


“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19). Me këtë titull u paraqit pranë Sallës së Shtypit të Vatikanit, Dita Botërore e Rinisë 2013, që do të kremtohet në Rio-de Zhanéjro të Brazilit, ndërmjet 23 e 28 korrikut. Ngjarjen e madhe e paraqiti kardinali Stanislao Rilko, Kryetar i Këshillit Papnor për Laikët; imzot Orani Joao Tempesta, kryeipeshkëv i Rio-de-Zhanéjros dhe imzot Eduardo Pinheiro da Silva, kryetar i Komisionit ipeshkvnor për rininë, pranë Konferencës Ipeshkvnore të Brazilit. Duke hapur takimin, imzot Rilko e quajti DBR-së që, pas 26 vjetësh rikthehet në Amerikën Latine, element i rëndësishëm i punës baritore me rininë, që synon të thellojë fenë e të rinjve të mbarë botës, duke i përgatitur për mision.“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”(Mt 28,19)- Titulli i DBR-së flet vetë për objektivin e dorës së parë, që ipeshkvijtë e Amerikës Latine i kanë venë vetes në Aparesidë, më 2007: misionin kontinental. E nënvizoi kryeipeshkvi i Rios, imzot Orani Joao Tempesta, që shpjegoi se objektivi i DBR-së është të favorizojë rritjen e të rinjve të botës në fe, duke i bërë të gatshëm për mision: e kjo, sepse atyre u përket detyra për t’ia ndryshuar faqen botës, për ta bërë më të mirë:
Besoj se për ne, për Rio-de-Zhanéjron, do të jetë një mundësi mrekullisht e bukur të kemi mes nesh jo vetëm Atin e Shenjtë, por edhe të rinjtë e mbarë botës njëherësh. Si krahët e Krishtit Shëlbues të Korkovados, duam ta hapim zemrën për t’i pritur të gjithë. Kjo ditë për ne është mrekullisht e bukur, edhe pse na kujton Gjon Palin II, kur u kthye në qiell e, siç tha kardinali Rilko – pas 25 vjetësh në vitin 2012; e 26, në 2013, Dita Botërore e Rinisë rikthehet në Amerikën Latine: më parë, në Buenos Aires, tani në Rio-de-Zhanéjro, vitin e ardhshëm, nga 23 deri më 28 korrik. Në një Amerikë Latine, që sot numëron 44% të katolikëve të botës”.
Kardinali Rilko nënvizoi lidhjen e ngushtë ndërmjet Ditëve të ndryshme botëore të rinisë. Kujtoi fjalët e Benediktit XVI, që i quajti këto ditë rinore “ujëvarë drite e shprese” për të rinjtë. DBR-nënvizoi kardinali Rilko, nuk mund të reduktohet vetëm në pesë ditët e takimit: këtyre pesë ditëve i paraprijnë shumë ditë të tjera, e të tjera akoma, i pasojnë:
“Ky shtegtim sjell vërtet fryte të jashtëzakonshme. Është tronditëse forca tërheqëse, që ushtron ky Kryq i thjeshtë mbi të rinjtë. Në kremtimet e pritjes së Kryqit, në shumë dioqeza arrijnë edhe më shumë se 100 mijë të rinj. Mund të themi me plot gojën se DBR-së e Brazilit tashmë ka filluar, është vënë për udhë”.
Puna baritore me rininë në Brazil do të rritet edhe më shumë falë takimit të korrikut 2013. Për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë ipeshkvijtë e Brazilit, punën e të cilëve e përshkroi imzot Pinheiro da Silva:
“Me këtë ditë, pranuam një sfidë të madhe, por patëm edhe një dhuratë të madhe nga Zoti, nga Kisha. Një sfidë, sepse Brazili është i madh: kemi 276 dioqeza, 460 ipeshkvij, 22 mijë meshtarë... Mund ta përfytyroni sa e pakufishme është sfida e sa vigane, puna që na pret. Veç, po kaq e madhe është edhe mundësia, që na krijohet”.
Në ngjarjen e Rios parashikohet mobilizmi i më se 60 mijë vullnetarëve. Deri më sot janë paraqitur 17 mijë. Për zgjedhjen e himnit, janë studiuar 180 tekste të paraqitura. Ndërsa stema e DBRsë- tashmë është zgjedhur. Quhet Gustav Huguenin, 25 vjeçari brazilian, autor i stemës së Ditës Botërore të Rinisë, Rio de Zhanéjro, 2013.
Stema harmonizon ngjyrat braziliane: ngjyrën e blertë, të verdhë, të kaltër e të bardhë – ndërsa në qendër, ka figurën e Shëlbuesit, karakteristike për Rio-de-Zhanéjron dhe mbarë Brazilin. Dallohet edhe hija e Pan di Zucchero, mal i Rio-de- Zhanéjros; e edhe një zemër. Është zemra e rinisë. Pastaj, një kryq i vogël, që të kujton se qendra e Ditës është vetë Krishti.
Autori është nga distrikti i Rio-de-Zhanéjros. U zgjodh ndërmjet shumë të tjerëve, nga mbarë bota, edhe nga Kina. Mund ta sodisim në kanalin e internetit .
Natyrisht, do të jenë në plan të parë edhe Facebook e Twiter, network më të përdorur nga të rinjtë, që kanë regjistruar 600 mijë kontakte. Ndërmjet nismave për të ardhmen e DBR-së, i pyetur nga gazetarët, kardinali Rilko kujtoi edhe mundësinë e realizmit të një takimi të tillë në Afrikë: “Kemi shumë besim e jemi të vendosur ta vijojmë në këtë rrugë, sepse Afrika e meriton me të vërtetë. Është kontinent i ri, e tashmë jemi të bindur se ka ardhur koha për ta organizuar ngjarjen e madhe rinore në këtë Kontinent”.







All the contents on this site are copyrighted ©.