2012-04-03 17:21:08

Papa: Jezusi e do Atin Qiellor deri në fund të fundit e kështu e shëlbon njerëzimin. Këtë na kujton Java e Madhe e Pashkëve


Benedikti XVI do të mbajë nesër audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetër në Vatikan në pragun e Treditëshit të Pashkëve që nis me të Enjten e Madhe. Tradicionalisht, katekizmin e audiencës së Mërkurës së Shenjtë të Madhe të Pashkëve ia kushton momenteve të forta të Treditëshit Pashkor. Ngjarjet e Treditëshes së Pashkëve i nxisin të krishterët, sipas shembullit të Krishtit, të bëhen apostuj të paqes në një botë shpesh të dhunshme e të paaftë për të falur – këtë pat theksuar Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 2006.
Treditëshi i Pashkëve shënon 72 orët në të cilat, më shumë se kudo, feja e krishterë gjen arsyen më të thellë të qenies së vet. Ngjarjet e Treditëshes së Pashkëve –shpjegon Benedikti XVI - janë shprehja më e lartë e dashurisë së Zotit, që i japin zemrës njerëzore paqe e mirësi. E Enjtja e Madhe, me Jezusin që na e dhuron plotësisht vetveten, duke na lënë Eukaristinë; e Premtja e Madhe, me dramën e Udhës së Kryqit e të Kalvarit; e Shtuna e Madhe, me heshtjen e thellë të varrit. Benedikti XVI reflekton për secilën nga tri ditët e mëdha të kësaj Jave të jashtëzakonshme, duke kujtuar kështu kuptimin e thellë të Mundimeve të Krishtit e të simbolit të tyre, Kryqit, që na flet për vdekjen e për shëlbimin:
“Në misterin e të Kryqëzuarit, kam shkruar në Enciklikën time, përmbushet ai kthim i Zotit kundra vetvetes, në të cilin ai dhurohet për ta ngritur përsëri njeriun e rrëzuar e për ta shpëtuar – dashuri kjo, e shprehur në formën e saj më rrënjësore. Kryqi i Krishtit, shkruan Shën Leoni i Madh, është burim i të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve”.
Në se e Premtja është dita e Kryqit, e Enjtja - kujtoi Papa - mbyllet me Adhurimin që i çon të krishterët pranë Jezusit, i cili lutet në Gjetseman, i vetëm. Kjo ishte për Të ora e braktisjes dhe e vetmisë – vërejti Papa – në sa nxënësit nuk qenë të zotët të rrinin zgjuar e të ruanin:
“Edhe sot Zoti na thotë: “Rrini zgjuar e ruani me mua”, në sa shikojmë se edhe ne, nxënësit, shpesh flejmë. Jehon në këtë ditë në veshët tonë fjala e Zotit: “Rrini zgjuar e vigjëloni së bashku me mua!”.
Pak ditë para Pashkëve, rruga pendestare që përshkon çdo i krishterë, duke rijetuar skenat e Mundimeve të Krishtit, duhet ta çojë – pohon Benedikti XVI – në një çast pendese e pajtimi me Zotin, përmes Sakramentit të Rrëfimit:
“Të përgatitesh për Pashkë me një rrëfim të mirë mbetet detyrë e rëndësishme, që na jep mundësinë ta rifillojmë përsëri jetën tonë, të kemi realisht një fillesë të re në gëzimin e të Ngjallurit e në bashkimin e faljes, dhuruar nga Krishti i ngjallur”.
Falja e tij, që na dhurohet përmes Sakramentit të pendesës – vijoi Ati i Shenjtë- është burim i paqes së brendshme e të jashtme e na bën apostuj të paqes në një botë ku, për fat të keq, vijojnë përçarjet, vuajtjet, dramat e padrejtësisë, të urrejtjes e të dhunës, të paaftësisë për t’u pajtuar e për të rifilluar jetën e re me faljen e sinqertë:
“Ngjallja e Tij na jep sigurinë se pavarësisht nga errësira e dendur e së keqes në botë, fjala e fundit nuk i takon së keqes. E, të mbështetur në këtë siguri, ne mundemi, me guxim e entuziazëm, të impenjohemi për të ndihmuar në lindjen e një bote më të drejtë këtu, në tokë”. (Audienca e Përgjithshme e së Mërkurës së Pashkëve të vitit 2006)







All the contents on this site are copyrighted ©.