2012-04-02 14:35:30

Shtatë vjet më parë vdiste Papa Vojtila: intervistë me postulatorin e Çështjes së Shenjtërimit.


Kaluan shtatë vjet nga 2 prilli 2005. Ishte ora 21. 37 minuta kur, i përforcuar me të gjitha ngushëllimet e fesë, në apartamentin e tij në Vatikan, ndërronte jetë Shenjtëria e Tij Gjon Pali II, në moshën 84 vjeçare, në vitin e 26-të të papnisë.
Pasi u dha lajmi për vdekjen e Papës, në Sheshin e Shën Pjetrit, në shenjë mirënjohjeje, shpërtheu një duartrokitje e stuhishme, e pasuar nga një heshtje e thellë, surreale, ndërprerë nga dënesët e besimtarëve, të cilët shtrënguan njëri-tjetrin në një përqafim prekës. Pastaj të gjitha këmbanat e kishave të Romës ranë përnjëherësh, përmortshëm, për t’i dhënë lamtumirën Kryebariut të Kishës Katolike Universale, ndërsa besimtarët u gjunjëzuan dhe nisën lutjen për pushimin e pasosur të të vdekurit. Gjithë natën Sheshi i Shën Pjetrit ishte plot me njerëz të përlotur, që luteshin në heshtje, për ta shoqëruar kështu Papën në hapat e para drejt qiellit.
Kanë kaluar shtatë vjet që atëherë!
Gjon Pali II, në shekull Karol Wojtyla, lindi në Wadovice (Në Poloni, dioqeza e Krakovisë) më 18 maj të vitit 1920.
I shuguruar meshtar më 1 nëntor 1946; ipeshkëv më 28 shtator 1958, më 26 qershor 1967 u emërua Kardinal nga Papa Pali VI.
I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës. Ndërsa sot mbush shtatë vjet në shtëpinë e Atit qiellor.
Të shumta nismat, në mbarë botën për ta kujtuar të Lumin Gjon Pali II, Papë që vijon të jetë i gjallë në mijëra zemra, siç e kujton edhe postulatori i Çështjes së Kanonizmit, imzot Slavomir Oder:

Përgjigje: - Vërtet sot kremtojmë përkujtimin e vdekjes së tij, por kujtojmë se për të krishterët, dita e vdekjes, është ‘dies natalis’, ditëlindje për qiell. Dhe është më se e vërtetë që Gjon Pali II mbeti i gjallë në zemrat tona, mbeti mes nesh, si njeri që e deshëm, që vijojmë ta duam. Hyri në zemrat tona, në strehët tona. Fotografinë e tij mund ta gjejmë në shumë shtëpi, e po ashtu, bekimet, që i la mijëra njerëzve, si shenjë afërsie. Por gjëja më e rëndësishme është se ai vetë mbeti ndër zemra. E tregojnë miliona shtegtarët, që vizitojnë çdo ditë varrin e tij, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Një fenomen tjetër, një vit pas Lumnimit, është ai i shtegtimit tek reliket, që nisi vetvetiu, me praninë e relikes së gjakut të të Lumit në Ditën Botërore të Rinisë, në Madrid, për të vijuar, pastaj, shtegtimin ndërkombëtar.
Etapa e parë ishte Meksika, me vizitën në të gjitha dioqezet e vendit; më pas, Kolumbia, me vizitën në disa nga dioqezet. Sot relikuari viziton Nigerinë. Në këtë mënyrë të duket se vijon, me përmasa ndërkombëtare veprimtarinë, ashtu si kur ishte në jetë. Por çka perceptohet më shumë, është dashuria, që ai diti të mbjellë në shtigjet e mbarë botës. Prej këndej, edhe prania e tij, jo fizike, sepse vdekja vjen për çdo njeri, por shpirtërore, prania e ideve, e ndjenjave, e dashurisë që dhuroi e që tani i dhurohet si kujtim, që nuk vdes kurrë.

Pyetje: - Vijojnë edhe sot e kësaj dite të kumbojnë fjalët, me të cilat e nisi papninë: “Mos kini frikë, hapjani në të dyja kanatat portat Krishtit!”... mesazh tejet aktual...

Përgjigje: - Mesazh absolutisht aktual, prekës, impenjativ, inkurajues. Jetojmë në kohë të vështira, edhe për Kishën: ka nga ata, që nuk e shikojnë praninë e saj si pozitive. Këtu fshihet edhe sekreti i brohorisë së paharrueshme: “Nolite timere!” , që u përhap në të katër anët e Sheshit të Shën Pjetrit e të mbarë botës. Gjon Pali II thoshte: “Njeriu, që rri para Zotit, që bëhet një me Zotin, nuk ka frikë! Nuk duhet të ketë frikë nga asgjë!”. Ja, këto fjalë i dëgjojmë përsëri sot. Zëri i Tij, duke u bërë një me atë të Shën Palit, na rikujton sot se “Askush nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit!”.

Pyetje: - Po ju, personalisht, ç’kujtim ruani në zemër për Papën Vojtila, pas shtatë vjetësh....

Përgjigje: - Të një njeriu të vërtetë, të njëmendtë. Të një njeriu me inteligjencë të madhe, me kulturë të madhe, me përshpirtëri të madhe e, sidomos, me fe të madhe! Njeri, që dinte të bëhej i afërt me të gjithë, i vëmendshëm ndaj të gjithëve, i aftë për të parë atë e ata, që nuk i shihte askush, për të përkuar me të gjithë ata, që kishin fatin t’i afroheshin. Njeri, që dinte të hynte në zemrat e njerëzve, të gjente gjithnjë fjalën e duhur për të inkurajuar e për t’i ftuar të gjithë në betejën e madhe për jetën, me guximin që buron nga shpresa e krishterë.

Pyetje: - Në ç’pikë ka arritur Çështja e Shenjtërimit të Gjon Palit II?

Përgjigje: - Natyrisht, praktika e Çështjes nuk ka përfunduar menjëherë pas Lumnimit. Lumnimi është vetëm një etapë. Vërtet se për Kanonizimin nuk duhen studiuar më jeta e virtytet heroike, të nevojshme për Lumnimin. Aktualisht jemi në pritje të shenjës, që do të na çojë Zoti, për të shkuar përpara në procesin e shenjtërimit: shenja e Zotit do të jetë një mrekulli e re. Sot për sot, arrijnë, nga të katër anët e botës shumë sinjalizime hiresh me ndërmjetësimin e të Lumit Gjon Pali II; e disa janë shumë interesante. Po pres dokumentimin, për të filluar studimin e thelluar, që çon pastaj, në një gjykim sa më të mirë të rasteve, që flasin për mrekulli.







All the contents on this site are copyrighted ©.