2012-04-02 15:08:43

Papa Vojtila: Testamenti shpirtëror


“Rrini zgjuar, sepse nuk e dini në ç’ditë do të vijë Zoti juaj!”: niste kështu, me një fragment nga Ungjilli i Mateut, testamenti shpirtëror i Gjon Palit II. Pjesa e parë e dokumentit, prej tetë kartelash, shkruar herë pas here në vitet e papnisë, gjatë ose pas ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve - mban datën 6 mars 1979.
Nuk e di se kur do të më vijë çasti i vdekjes – shkruhet në Testament – por, si të gjitha çastet tjera, edhe këtë e lë në duart e Nënës së Mësuesit tim: Totus Tuus! Në të njëjtat duar amtare – vijon lutja e Papës – i lë të gjitha sendet e të gjithë njerëzit, me të cilët më ka lidhur jeta e thirrja ime. Në këto duar lë posaçërisht Kishën, Kombin tim e mbarë njerëzimin. I falënderoj të gjithë, të gjithëve u kërkoj të falur - shkruhet e, si shpjegohet se ky testament nisi të shkruhej, pas leximit të atij të Palit VI, u kërkohen besimtarëve lutje për shpirt, duke theksuar: “që kështu Mëshira e Zotit të tregohet më e madhe se ligështia e padenjësia ime”.
Gjon Pali II shkruan se nuk lë kurrfarë pasurie, që duhet trashëguar. Lë amanet që shënimet e tij personale të digjen e më pas falënderon sekretarin, Imzot Stanislau Dxhivish për bashkëpunimin, ndihmën e mirëkuptimin. Pastaj shton: “Të gjitha falënderimet tjera i ruaj në zemër para vetë Zotit, sepse është e vështirë t’i shpreh”. Papa e përfundon këtë pjesë të testamentit duke përsëritur për funeralin të njëjtat udhëzime që ka dhënë edhe Papa Pali VI: të varroset drejtpëdrejtë në dhé. Pas këtyre radhëve, shkruar në vitin 1979, shton: “Pas vdekjes kërkoj Meshë Shenjte e lutje”.
Kartela e dytë hapet me një deklaratë pa datë. Në të Papa shpreh besimin se, pavarësisht nga ligështia e tij, Zoti do t’i japë hirin e nevojshëm për ta përballuar, sipas vullnetit të Tij, çdo lloj detyre, prove e mundimi që do të kërkojë nga shërbëtori i vet gjatë jetës. Kam besim edhe – shton Papa – se Zoti nuk do të lejojë kurrë që unë, me ndonjë sjellje time: me fjalë, vepra ose lëshime, t’i tradhtoj detyrimet e mia në Selinë e Shën Pjetrit.
Ndërmjet fundit të shkurtit e një marsit 1980, Papa reflekton për vdekjen në lidhje me “të vërtetën mbi meshtarinë e Krishtit”. Rilexon ç’ka shkruar më parë, duke e krahasuar me ç’ka shkruar Pali VI – “Me këtë dëshmi sublime mbi vdekjen e një të krishteri e të një pape” – shkruan - dhe shton një reflektim, duke theksuar se ka rëndësi të madhe që secili të jetë gati për t’u paraqitur përpara Zotit e Gjykatësit – njëkohësisht Shpërblyes e Atë. Papa pohon se ai kujdeset vazhdimisht për të qenë gati, duke ia besuar çastin e mbram Nënës së Krishtit e të Kishës – Nënës së shpresës sime – siç e quan Papa.
Kohët, në të cilat jetojmë, janë të vështira e të shqeta – vëren. - E vështirë dhe e shqetë është bërë edhe rruga e Kishës, si për besimtarët, ashtu edhe për barinjtë. Në disa vende – reflekton Papa i vdekur – Kisha ndodhet në një periudhë të tillë persekutimi, që ia kalon edhe persekutimit të shekujve të parë përsa i përket mizorisë e urrejtjes, ndërsa shumë njerëz zhduken pa kurrnjë faj edhe në këtë vend ku jetojmë…”
Pas këtyre radhëve, Gjon Pali II pohon: “Dëshiroj edhe një herë t’ia besoj plotësisht veten hirit të Zotit. Do të vendosë Ai kur e si do të përfundojë jeta ime tokësore e detyra ime baritore”. Ripohon më tej moton “Totus Tuus” dhe thekson se është gati ta flijojë gjithçka për çështjen më të rëndësishme: “Shpëtimin e njerëzve, të familjes njerëzore e në të, të gjithë kombeve e popujve”. Papa uron që vdekja e tij t’i shërbejë njerëzve që Zoti ia ka besuar, çështjes së Kishës dhe lumnisë së vetë Perëndisë”.
Në mars të vitit 1982, Gjon Pali II vijon të shkruajë Testamentin e tij shpirtëror. Rilexon ç’ka shkruar më 1979, shënon se gjithçka është e përkohshme, por megjithatë vendos që përkohësisht të mos prekë, as të mos ndryshojë asgjë. Atentati kundër jetës sime më 13 maj 1981 – shënon – në një farë mënyre konfirmoi saktësinë e fjalëve të shkruara në periudhën e ushtrimeve shpirtërore të 1980-tës. Prandaj e ndjej veten edhe më thellësisht në duart e Zotit tim, duke ia besuar vetveten Atij e Nënës së Tij të Papërlyer. (Totus Tuus”)
Në një shënim të bërë gjithnjë në mars të ’82-shit, prek çështjen e salikimeve të veta, duke sqaruar ç’pati shkruar në marsin e ’79-tës. I kërkon Kolegjit Kardinalor t’i plotësojë, për sa të jetë e mundur, kërkesat lidhur me këtë, të metropolitit të Krakovisë ose të Këshillit të përgjithshëm të Episkopatit të Polonisë. Në një shënim të mëvonshëm, të 1 marsit 1985, shton: “Kolegji Kardinalor nuk ka asnjë detyrim të pyesë bashkatdhetarët; ndonëse edhe mund ta bëjë këtë, në se e gjykon të drejtë”.
Gjon Pali II e përfundon testamentin në kohën e ushtrimeve shpirtërore të marsit 2000, gjatë Jubileut. “Kur, më 16 tetor 1978, më zgjodhi konklavi i kardinajve – shkruan – Primati i Polonisë, kardinali Vishinski, më tha: “Detyra e papës së ri do të jetë t’i prijë Kishës në Mijëvjeçarin e Tretë”. Pas këtij kujtimi, Gjon Pali II shton: “Sipas planeve të Provanisë hyjnore, m’u desh ta kaloj jetën në një shekull të vështirë: qoftë lavdëruar Provania hyjnore që periudha e ashtuquajtur “e luftës së ftohtë” përfundoi pa konflikt të dhunshëm bërthamor, rreziku i të cilit rëndonte mbi botën në periudhën e mëparshme.
Pas këtij reflektimi, Papa rikujton 13 majin 1981, ditën e atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit. “Provania hyjnore – shkruan – më shpëtoi mrekullisht nga vdekja. Ai, që është i vetmi Zot i jetës e i vdekjes, Ai vetë ma zgjati këtë jetë; në një farë mënyre, ma fali rishtas. Që nga ky çast ajo i përket Atij edhe më shumë. Shpresoj se Ai do të më ndihmojë të kuptoj se deri kur duhet ta vijoj këtë shërbim, për të cilin më ka thirrur. I lutem të më thërrasë kur të dëshirojë Ai vetë. Si në jetë, ashtu edhe në vdekje, i përkasim Zotit… jemi të Zotit. Shpresoj – shton Gjon Pali II – se derisa të më kërkohet të kryej shërbimin si Pasardhës i Shën Pjetrit në Kishë, Mëshira e Zotit do të më japë edhe forcën e duhur për këtë shërbim”.
Më pas Papa i shpreh mirënjohjen Shpirtit Shenjt për dhuratën e madhe të Koncilit II të Vatikanit, të cilit – shkruan – i jam borxhli, së bashku me të gjithë Kishën. Jam i bindur se edhe breznitë e ardhshme do të zbulojnë pasuri të reja nga ky Koncil i shekullit XX. Si ipeshkëv, që kam marrë pjesë në ngjarjen e madhe konciliare që nga dita e parë deri në të mbramen, dëshiroj t’ia besoj këtë trashëgimi të madhe të gjithë atyre që janë e do të jenë të thirrur ta realizojnë në të ardhmen. Gjon Pali II i falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar gjatë papnisë së tij, e jo vetëm katolikët, por edhe shumë vëllezër të krishterë, Rabinin e Romës, përfaqësues të shumtë të feve jo të krishtera e, sidomos, përfaqësuesit e botës së kulturës, të shkencës, të politikës e të mjeteve të komunikimit shoqëror”. Sa më tepër i afrohem fundit të jetës sime tokësore – përfundon Gjon Pali II – aq më tepër kujtoj fillimin e saj, Prindërit e mi, Vëllaun e Motrën (që nuk e kam njohur, sepse vdiq para se të lindesha), famullinë e Vadovicës, ku jam pagëzuar, qytetin tim aq të dashur, bashkëmoshatarët, shokët e shoqet e shkollës fillore, të gjimnazit, të universitetit, deri në kohën e pushtimit, kur punoja si punëtor. Të gjithëve dëshiroj t’u them një gjë: “Jua shpërbleftë Zoti!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.