Mirënjohja e shqiptarëve ndaj Papës Gjon Pali II për dashurinë e ndihmën e tij të
pakursyer
Me rastin e 7 vjetorit të vdekjes së Papës Vojtila, duam të kujtojmë me nderim të
veçantë veprimtarinë e Papës Gjon Pali II në ndihmë të Shqipërisë, të Kosovës e të
shqiptarëve kudo që ndodhen. Po e bëjmë këtë me fjalët që vetë Ati i Shenjtë Karol
Wojtila pat thënë në shumë raste e rrethana. Së pari nga Otranto kur më 1980 Papa
Gjon Pali II dënoi persekutimin e besimtarëve e të qytetarëve në Shqipërinë komuniste Ati
i Shenjtë Gjon Pali II më 1980 nga Otranto e Italisë kujtoi persekutimin e egër të
komunizmit në Shqipëri. Pra më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të Italisë,
Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar
mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të
martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë
e Meshës Shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj,
Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund
të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë
nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij,
meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”. “Përveç
tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë besimtarët
në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”. Pastaj gjatë vizitës
së tij historike në Shqipëri 25 prillit 1993. Me atë rast në Sheshin Skënderbe të
Tiranës, Gjon Pali II iu drejtuar me këto fjalë shqiptarëve që lanë pas diktaturën
komuniste: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit.
Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë
forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund
të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen,
shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin
tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”!. Gjatë
vizitës së tij në Shkodër më 25 prill 1003, Papa Gjon Pali II në mbarim të lutjes
së mesditës “Mbretëresha e Qiellit”, nga ballkoni i kryeipeshkvisë së Shkodrës i drejtoi
një përshëndetje Nënë Terezës. Këto fjalë kuptimplote të Atit të Shenjtë Wojtilla
ripohuan përfundimisht para mbarë botës origjinën shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut, të
së Lumes Nënë Terezë. Ja fjalët e Papës: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes
një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nënë Tereza E Kalkutës.
Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe
në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur,
kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën
emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar
gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës
së vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju
falënderoj sot në emër të Kishës Universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për
këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”!
Papa Gjon Pali II në Tiranë i drejton
përshëndetjen kombit shqiptar në përfundim të vizitës së tij të 25 prillit 1993.
“Vëllezër e Motra shqiptare! Ju përshëndes përzemërsisht! Pas një dite me një
program të ngjeshur me kremtime e takime të cilat më dhanë mundësinë të shikoja dhe
të përjetoja nga afër jo vetëm fenë e gjallë të Bashkësisë katolike, por edhe ngrohtësinë
e mikpritjes së popullit shqiptar, ja erdhi i ndarjes e përshëndetjes dhe thellësisht
i prekur nga përzemërsia, po përgatitem të ndahem prej jush. Në miqësinë që më
keni shfaqur, kam kuptuar se pata të bëj me miq që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë
tuaj pash guximin e një demokracie të re, një demokracie që po ecën me hapa të sigurta
drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund e të errët të një diktature e të një ateizmi
mbytës. Ju faleminderit për mikpritjen tuaj! Vëllezër e motra shqiptarë fort
të dashur! Zoti e ruajt Atdheun tuaj. Zoti e mbrojt popullin shqiptar në mbarë botën.
Në emër të Zotit ju përqafoj dhe ju bekoj të gjithëve. Mirupafshim. Ju uroj me gjithë
zemër: gjithë të mirat”!
Shenjtëria e Tij Gjon Palit II e pat për zemrën fatin
e kosovarëve. Më 7 qershor 1998 Papa Wojtilla i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare
për paqe në Kosovë, prej nga vinin lajme që tregonin për acarimin e situatës: “Jo
larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive
nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve
paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”.
Ja
edhe fjalët e Papës Wojtila për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar
Romës e Botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani. Ishte koha kur
në trojet kosovare zhvillohej lufta shqiptaro-serbe, që shkaktoi kaq shumë viktima
e sakrifica për popullin shqiptar të atyre trojeve. “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi
dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot
e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për atë që u
vra, për atë që mbetet pa strehë, për atë që e ndajnë nga familjarët, për atë që detyrohet
të ikë larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin
e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit
të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar
ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngushtme
Autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori
humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar
në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja
e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.