2012-04-02 13:57:56

Jetëshkrim i shkurtër i Gjon Palit II


Papa Gjon Pali II (Ioannes Paulus PP. II), në pagëzim Karol Józef Wojtyła, lindi në Vadovice (Poloni), më 18 maj 1920; vdiq në qytetin e Vatikanit, më 2 prill 2005 Vojtila ishte pasardhësi i 263-të i Shën Pjetrit; Papa i 264-t i Kishës Katolike Romake; Kryeipeshkvi i Romës, Kreu i Qytet-Shtetit të Vatikanit. I zgjedhur papë më 16 tetor 1978, po mbushte 27 vjet papnie, e treta për gjatësi në historinë e Kishës.
Karol Vojtila para papnisë
Karol Wojtyla lindi më 18 maj të vitit 1920, në Wadovicë (Poloni), rreth 50 km larg Krakovisë. Karol Vojtila, Ati, ishte oficer; nëna, Emilia Kacazorowska, mësuese. Vëllai më i madh, Edmundi, mjek, ndërsa motra më e vogël, Olga kishte vdekur në lindje. Karoli u pagëzua më 20 qershor 1920.
Më 13 prill 1929 i vdiq e ëma; tri vjet më vonë, edhe vllau, Edmundi (5 dhjetor 1932). Mbeti vetëm me të atin.
Më 1934, pasi kreu shkollën fillore, u regjistrua në gjimnazin klasik (Marcin Wadowitza). Përveç sportit, nisi të interesohej edhe për teatër, duke themeluar teatrin amator të Wadowices.
Në maj të vitit 1938 mori sakramentin e Krezmimit dhe dëftesën e pjekurisë. Gjatë verës, së bashku me të atin, u vendos në Krakovi. Në vjeshtë u regjistrua në Universitetin Jagiellonian të Krakovisë, ku nisi studimet në degën e gjuhës e të letërsisë polake, pa e harruar dashurinë për teatrin. Arriti të përvetësojë 11 gjuhë të ndryshme: polonisht, sllovakisht, rusisht, italisht, frëngjisht, spanjisht, portugalisht, gjermanisht, ukrainisht, anglisht e latinisht. U radhit, kështu, ndërmjet intelektualëve më të njohur poliglotë të kohës.
Me 1939 filloi Lufta II Botërore. Nacistët pushtuan Poloninë dhe e mbyllën Universitetin. Karol Wojtyla u detyrua t’i ndërpresë studimet.
Me 1940, për të shpëtuar nga internimi në Gjermani, punoi në guroren e lidhur me fabrikën kimike Solvay. Nisi të lexojë veprat e Shën Terezës së Avilës, përmes së cilës u njoh me përshpirtërinë e karmelitanëve.
Më 18 shkurt 1941 i vdiq edhe i ati.
Gjatë viteve 1942-1944 punoi në një fabrikë prodhimesh kimike.
Me 1942 hyri në Seminarin e Madh klandestin të Krakovisë. Filloi, fshehurazi, edhe studimet në Fakultetin teologjik të Universitetit Jagellonica, pa e ndërprerë punën në fabrikë.
Më 01. 11. 1946, ditën e Gjithë Shenjtorëve, kardinali Adam Stepan Sapieha e shuguroi meshtar, në kapelën e tij private.
Më 02. 11. 1946, ditën e Purgatorëve, kremtoi Meshën e parë në kripten e shën Leonardit, në katedralen e Wavelit.
Gjatë viteve 1946-1948 vazhdoi studimet pasuniversitare në Romë, në Universitetin Papnor të Shën Tomës (Angelicum). Shkroi punimin e doktoraturës mbi shën Gjonin e Kryqit, duke theksuar natyrën personale të takimit të Zotit me njeriun.
Me 1947, gjatë pushimeve verore, vizitoi Francën, Holandën e Belgjikën.
Në korrik 1948 mbrojti doktoratën dhe u kthye në Krakovi. U emërua famullitar në fshatin Niegowicy.
Më 1949 u transferua në famullinë e Shën Florianit, në Krakovi. Famullitari e caktoi atë shpirtëror të studentëve të Krakovisë dhe të punonjësve të shërbimit shëndetësor. Nisi të krijojë poezi me pseudonimin Andrzej Jawien, të shkruajë artikuj për revistën ˝Tygodnik Powszechny˝, t’u japë mësim katekizmi studentëve, të inskenojë pjesë teatrale, të organizojë shëtitje e shtegtime.
Më 1951 kryeipeshkvi i Krakovisë, Eugeniusz Baziak, e liroi nga detyrat famullitare, duke i krijuar kushtet për punë shkencore, në fushën e etikës dhe të teologjisë morale.
Më 1953 nisi të japë leksione në disiplinën e etikës katolike, pranë Universitetit Jagellonica.
Më 1954 vijoi punën në Lublin, në Universitetin Katolik. Drejtoi katedrën e etikës, pranë fakultetit të filozofisë.
Më 28. 09. 1958 u emërua ipeshkëv–ndihmës i Krakovisë e, katër vjet më pas, drejtoi dioqezën si mëkëmbës kapitullar. Vetëm 38 vjeç, ishte ipeshkvi më i ri i episkopatit polak.
Në vitin 1960 botoi librin “Dashuria dhe përgjegjësia”.
Më 30 dhjetor 1963 Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv të Krakovisë.
Prej 1962 deri më 1965 mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit, ku dha ndihmesë të çmuar për hartimin e Dignitatis Humanæ dhe Gadium et Spes, dy dokumentet historike më të rëndësishme të Koncilit.
Më 5- 15. 12. 1963 shtegtoi për herë të parë në Tokën e Shenjtë.
Më 30. 12. 1963 Papa Pali VI e emëroi Karol Wojtylën kryeipeshkëv metropolit të Krakovisë.
Më 26. 06. 1967 u krijua kardinal i Shën Cesareo in Palatio, diakoni e lartuar në titullin pro illa vice nga Papa Pali VI.
U kthye në Krakovi, ku nisi të dallohet për veprimtari kundër komunizmit. Filloi të botojë në gazetën e tij dioqezane disa libra, që ishin ndaluar nga censura komuniste. Ndërmjet tyre, “Hamendje mbi Jezusin” shkruar nga Vitorio Mesori dhe “Letër e një fëmije, që s’doli kurrë në dritë”, shkruar nga Oriana Falaçi.
Në vitin 1969 botoi librin e dytë “Njeriu e vepra”.
Më 1970 vizitoi disa vende të Evropës.
Me 1973 mori pjesë në Kongresin Eukaristik në Australi; vizitoi Manilën dhe Guinenë e Re. Udhëtoi në Belgjikë e në Francë. Si u rikthye në Krakovi, bëri thirrje për mbledhjen e parë të sinodit të ipeshkvijve.
Gjatë vitit 1974 ishte disa herë për vizitë në Romë.
Më 1975 vazhdoi punën për përfundimin me sukses të sinodit të ipeshkvijve; mbajti një ligjëratë në Seminarin Ndërkombëtar në Friburg dhe në Konferencën e Milanos.
Me 1976 kryesoi ushtrimet shpirtërore të Kuries në Vatikan, në praninë e Papës Pali VI; vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadanë, mori pjesë në kongrese filozofësh në Romë dhe Gjenevë.
Me 1977 Universiteti Johannes Gutenberg i Mainz-it i dha titullin e nderit doctor honoris causa. Mori pjesë në disa konferenca në Romë, Milano, Paris.
Në gusht të vitit 1978, pas vdekjes së Palit VI, ishte i pranishëm në konklavin, që përfundoi me zgjedhjen e Patrikut të Venedikut, kardinalit Albino Luçiani, Papa Gjon Pali I. Në moshën 65 vjeçare, Luçiani konsiderohej si papë i ri, në krahasim me paraardhësit. Më 28 shtator 1978, pasi papnoi vetëm 33 ditë, Gjon Pali I vdiq. Në tetor 1978 Vojtila u rikthye në Vatikan, për të marrë pjesë në konklavin e dytë, brenda dy muajve.
Më 16. 10. 1978, në orën 18.18 tymi i bardhë lajmëroi zgjedhjen e Papës së ri. Gjysmë ore më vonë në lozhën e Bazilikës së shën Pjetrit u paraqit kardinali Felici, që njoftoi: Habemus papam! Kemi Papën! Papa i ri i Kishës Katolike ishte kardinali i Krakovisë, Karol Vojtila, që deshi të zgjidhte emrin Stanislau I, por me që ky emër nuk përfshihej në traditën romake, u quajt Gjon Pali II. Ishte i 264-ti papë, i pari papë polak.
Pak minuta pas zgjedhjes, Papa i ri u duk në lozhë për të përshëndetur mijëra besimtarët e mbledhur në Shesh. Në fjalimin e tij të shkurtër, u paraqit si ‘papa i ri, i thirrur nga një vend i largët”. Me entuziazmin e tij ia fitoi menjëherë zemrën italianëve, që e shikonin me dyshim zgjedhjen e një pape të huaj, pas kaq shekujsh. Mbeti e famshme fraza: “Në se do të gaboj, ju do të më korrigjoni” dhe i paharrueshëm për ata që patën fatin të ishin të pranishëm, Bekimi i tij i parë Urbi et Orbi - Romës dhe Botës, transmetuar përmes Mondovizionit.
Të nesërmen Papa i ri kremtoi Meshën shenjte, së bashku me Kolegjin Kardinalor, në Kapelën Sikstine e më 22 tetor, nisi solemnisht shërbimin papnor.

Papnia e Gjon Palit II
16. 10. 1978 : Fillon papnia e Karol Vojtilës. Për herë të parë, që nga viti 1522 (Adriani VI, i 218-ti papë, gjerman) ulet në Fronin e Shën Pjetrit një Papë me origjinë jo italiane.
Papa Polak deshi ta fillojë papninë duke nderuar dy pajtorët e Italisë: kështu, më 5 nëntor 1978 vizitoi Asizin e Shën Françeskut, ndërsa më pas, Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë, për t’u gjunjëzuar tek varri i Shën Katerinës së Sienës.
Më 12 nëntor mori në dorëzim katedrën e Shën Gjonit në Lateran, seli e ipeshkvit të Romës.
Më 5 dhjetor nisi vizitën e parë baritore në dioqezën e tij, duke filluar me famullinë e Shën Françesk Saverit, në lagjen Garbatela.
25. 01. 1979 : Shtegtimi i parë ndërkombëtar, nê Republikn Domenikane, Meksik, Bahamas.
04. 03. 1979: Boton Enciklikën “Redemptor Hominis”
13. 05. 1981, Gjon Pali II plagoset rëndë nga turk Ali Agça, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në një atentat, që tronditi mbarë botën.
15. 09. 1982 : Pret në audiencë, në Vatikan, prijësin palestinez Jaser Arafat Në dhjetor 1983 Papa vizitoi atentatorin Ali Agça, në burgun e Romës.
13. 04. 1986 : Është Papa i parë që shkel në një : viziton sinagogën hebraike të Romës.
27. 10. 1986 : Fton prijësit e të gjitha besimeve të botës për t’u lutur së bashku në Asizi.
01. 12. 1989 : Pret për herë të parë sekretarin e përgjithshëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, zotin Mihail Gorbaçov.
15. 07. 1992 : I nënshtrohet t për heqjen e një tumori në zorrë. Pak më vonë shfaqen e sëmundjes së Parkinsonit.
Më 25 prill 1993 Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Në Tiranë e në Shkodër u takua edhe me Nënën Terezë.
17. 05. 1993 : Botohet katekizmi i ri i Kishës Katolike, i dyti pas atij të vitit 1566.
30. 12. 1993: Nënshkruhet, në Jerusalem, marrëveshja themelore Izrael Vatikan për fillimin e marrëdhënieve diplomatike.
29. 04. 1994: Pas rrëzimit, thyerja në këmbën e djathtë.
26. 11. 1994 Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar priftin shkodran, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin…..
09. 12. 1994: Revista amerikane Time e zgjedh "Burri më i shquar i vitit".
15. 01. 1995: Gjatë shtegtimit apostolik në Filipine, kryeson në Manila një nga Meshët më të mëdha në historinë e Kishës Katolike, i rrethuar nga 4 milion njerëz.
25. 12. 1995: Për herë të parë nga fillimi i papnisë, i sëmurë nga gripi, nuk i drejton Romës e Botës (Urbi et Orbi) mesazhin e Krishtlindjes.
21. 01. 1998: Shtegtimi apostolik i shumëpritur në Kubë.
25.12.1999: Hapja e Portës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit: fillimi i Vitit të madh Jubilar 2000.
20. 03. 2000: Shtegtimi apostolik në Izrael, Jordani dhe Palestinë. Lutja pranë Murit të Lotëve në Jerusalem; kremtimi i meshëve në Betlehem e në Nazaret.
06. 05. 2001: Papa i parë në histori, që viziton një xhami islamike: xhaminë Omajade në Damask.
Më 19 tetor 2003, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e më se 300 mijë shtegtarëve, ardhur nga e gjithë bota, Gjon Pali II kryesoi kremtimin me ritin e lumnimit të Nënë Terezës.
16. 10. 2003: I sëmurë rëndë, kremton e 25-vjetorit të Papnisë.
01. 02. 2005: Shtrohet për probleme në rrugët e frymëmarrjes, në klinikën romake Gemelli. Rikthehet shpejt në Vatikan.
06. 02. 2005 : Papa del në dritaren e klinikës për të bekuar besimtarët
10. 02. 2005 : Papa del nga spitali Gemelli. Me mijëra njerëz e përshëndesin me gjatë kthimit me në Vatikan.
13. 02. 2005 : duket në dritaren e studios së tij, mbi Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan dhe bekon besimtarët. Lutjen e Engjëllit të Tënzot e lexon imzot Leonardo Sandri.
24. 02. 2005 : Ati i Shenjtë shtrohet përsëri në spital. I bëhet një trakeotomi për ta ndihmuar në frymëmarrje. Vatikani shpreson se do ta ndihmojë për ta kapërcyer sëmundjen.
27. 02. 2005 : Papa duket për disa sekonda pas dritares së mbyllur të klinikës.
01. 03. 2005 : Kardinali Jozef Racinger viziton Papën në spital. Bisedon me Gjon Palin II italisht dhe gjermanisht.
13. 03. 2005 : Gjon Pali II rikthehet në Vatikan, ndonëse shëndeti i tij është rënduar shumë.
27. 03. 2005 : Ati i Shenjtë duket në dritaren e studios së tij në Sheshin e Shën Pjetrit dhe orvatet t’u flasë besimtarëve të Dielën e Pashkëve. Por nuk mundet. Shtegtarët e besimtarët e mbledhur në Shesh, të prekur thellë, qajnë me dënesë.
30. 03. 2005 : Papa dëshiron përsëri t’u flasë besimtarëve. Vatikani njofton zyrtarisht se Papa ushqehet me një sondë në stomak.
01. 04. 2005 : Vatikani pohon se gjendja shëndetësore e Gjon Palit II është tepër serioze. Për shkak të një infeksioni të rrugëve urinare, Papa pëson goditje në sistemin kardiologjik dhe helmim gjaku. I jepet Sakramenti i Vajimit.
Me 2 prill 2005, në ora 21:37 zemra e madhe e Gjon Palit II-të pushoi së rrahuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.