2012-04-02 13:57:20

I Lumi Papa Gjon Pali II në fjalët e Benediktit XVI


Sot më 2 prill Kisha përkujton shtatë vjetorin e vdekjes së Papës Gjon Palit II, ndërsa kujton plot emocion Lumturimin e tij, kremtuar më 1 maj të vitit të kaluar në Vatikan. Të shumta, nismat përkujtimore edhe sivjet, që kanë në qendër figurën madhore të të Lumit të ri Karol Vojtila. Për trashëgiminë e tij të jashtëzakonshme vazhdon të flitet ku në botë në institucione kishtare, shoqërore, akademike, kulturore e politike e sidomos ndër popull të Zotit. E pikërisht për të njohur e për të zbuluar sa më shumë e nga afër trashëgiminë e këtij Pape të Madh, po kthehemi mbrapa me kujtesë e të dëgjojmë fjalët e kardinalit të asaj kohe Racinger, e pastaj, edhe të vetë Gjon Palit II, që na kujtojnë vdekjen dhe shenjtërinë e Karol Vojtilës:
“Eja pas meje!”. Ç’gjë të jashtëzakonshme na la trashëgim Gjon Pali II? Gjatë salikimeve, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, më 8 prill 2005, ndërsa populli i Zotit nisi ta quante ‘Shenjt’, kardinali dekan i asaj kohe, Jozef Racinger, nënvizoi se Papa Wojtila i qe përgjigjur gjithnjë thirrjes së Zotit.
“Eja pas meje!”. Karol Vojtila eci pas Zotit në vitet e tmerrshme të luftës e të diktaturës, duke kapërcyer mijëra vështirësi. Eci në gjurmët e Zotit si i ri, si meshar, si ipeshkëv e në fund, si pasardhës i Shën Pjetrit. Gjon Pali II, vërejti miku e bashkëpunëtori i tij i ngushtë, “u bë një gjë e vetme me Krishtin, Bariun e mirë, që i do fort delet e veta”:
“Dashuria e Krishtit qe forca sunduese e Atit tonë të Shenjtë; kush e ka parë kur lutej, kush e ka dëgjuar kur predikonte, e di mirë këtë. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje në Krishtin, ai mundi të mbartë një barrë që i kapërcen forcat njerëzore: mundi të jetë Bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së Tij universale”.
Eja pas meje! Së bashku me mandatin për të kullotur grigjën e vet – pati nënvizuar Kardinali Jozef Racinger - Krishti i kumtoi Pjetrit edhe martirizimin e tij. Në periudhën e parë të papnisë, Ati i Shenjtë, ende i ri e përplot me forca, i udhëhequr nga Krishti, do të shkonte deri në skajet më të largëta të botës. Por më pas, gjithnjë më tepër, hyri në bashkim me mundimet e Krishtit. E pikërisht në këtë bashkim me Zotin e munduar, e kumtoi pa u lodhur kurrë e me thellësi të re Ungjillin, misterin e dashurisë, që shkon deri në fund të fundit. Papa vuajti e deshi në bashkim me Krishtin e prandaj edhe mesazhi i vuajtjes së tij e i heshtjes së tij ishte aq i kuptueshëm e aq i frytshëm.
Më pas, fjalët plot emocion, drejtuar Papës së dashur Vojtila, duke i kërkuar, nga qielli, bekimin e Tij: “Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i dashur, tani në dritaren e shtëpisë së Atit Qiellor, na shikon e na bekon. Po, bekona, o Atë i Shenjtë. Ne po ia besojmë shpirtin tënd të dashur Nënës së Hyjit, Nënës tënde, që të udhëhoqi çdo ditë e të udhëheq edhe tani në lumturinë e amshuar të Birit të saj, Jezu Krishtit, Zotit tonë. Amen!”.
E Jozef Racinger, tani Papa Benedikti XVI, në Meshën e fillimit të papnisë së tij, ia besoi përsëri veten mbrojtjes së Paraardhësit Vojtila, duke iu drejtuar, me emocion të thellë, ndërsa niste të ecte në gjurmët e Tij: “Akoma e vazhdimisht më jehojnë në veshë fjalët e tij: “Mos kini frikë! Hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën”.
“Mos kini frikë! Hapjani, madje dy kapakësh, portat Krishtit!”. Këtë thirrje Papa Vojtila na e përsërit me forcë të madhe e me bindje të madhe, duke u nisur nga përvoja e një jete të gjatë personale. Mos kini frikë nga Krishti! Ai nuk merr asgjë e jep gjithçka. Kush i dhurohet atij, merr njëqind fish më tepër. Po, hapjani, dy kapakësh, portat Krishtit – e do të gjeni të vërtetën! Të vërtetën që na bënë të lirë e na shpëton përjetësisht.
Gjon Pali u lartua në nderime të elterit më 1 maj 2011 në Vatikan nga Papa Benedikti XVI. Dy Papë, dy shërbëtorë të Kishës së Zotit, dy miq të ngushtë, dy personalitete tejet të lidhur ndërmjet tyre, edhe në udhëheqjen e popullit të Zotit udhës së Mësuesit Hyjnore, Krishtit Zot e Shpëtimtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.