2012-04-02 16:09:49

Benedikti XVI të rinjve të DBR-së së Madridit 2011: të jeni misionarë të Krishtit!


Një ftesë drejtuar të rinjve për të qenë, pa asnjë ngurrim, “misionarë të Krishtit” në shoqërinë bashkëkohore. Ua drejtoi Benedikti XVI rreth 5000 të rinjve të kryedioqezës së Madridit, me të cilët u takua sot paradite, në Sallën e Palit VI, në Vatikan. Të rinjtë, shoqëruar, ndërmjet të tjerëve, nga kryeipeshkvi i kryeqytetit spanjoll, kardinali Antonio Maria Ruoko Varela, ishin në Vatikan për t’i kujtuar Papës shtegtimin e tij apostolik në Madrid e për ta falënderuar fort për praninë e paharrueshme në Ditën botërore të rinisë, gusht 2011, me temë: “Të rrënjosur e të themeluar në Krishtin, të fortë në fe” (cfr Kol 2,7). Një shtegtim që “la pas hirin e pranisë së Benediktit XVI në jetët tona, në kryeqytetin tonë e në mbarë atdheun tonë” u shpreh kardinali Varela, duke përshëndetur Papën e duke i kujtuar edhe suksesin e jashtëzakonshëm të vizitës së tij të fundit në Meksikë e Kubë.

Të rinjtë janë “protagonistë e përfitues kryesorë të Ditëve të tyre botërore”. Atyre Benedikti XVI u drejtoi sot fjalën, duke u kujtuar atë, që i dha nxitjen e fuqishme këtyre mbledhjeve vigane, të jashtëzakonshme, në të gjitha shtigjet e pafundme të botës, të Lumin Gjon Pali II, të cilin Kisha e bota e përkujtuan sot, në shtatë vjetorin e kalimit nga toka, në qiell.

Duke i falënderuar të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit në DBR-në e Madridit, Papa e kujtoi ngjarjen e madhe kishtare të verës së kaluar, duke nënvizuar se kur i vijnë në mendje këto ditë të paharrueshme, zemra e tij mbushet përplot me mirënjohje ndaj Zotit. Me mikpritjen e miqësinë, që lindi në këto ditë, feja e gëzimi i të rinjve, tha Ati i Shenjtë, u bënë shenja, që flasin vetë për Krishtin e Ngjallur.
Nga ana tjetër, vijoi Papa, Dita botërore e rinisë mund të kuptohet vetëm në dritën e pranisë së Shpirtit Shenjt në Kishë, që vijon t’i japë frymë zemrës, duke dëshmuar mrekullitë e Zotit, në ditë Rrëshajësh të reja. Prej këndej, ftesa drejtuar të rinjve për të bashkëpunuar në këtë detyrë, që të nxit t’ia hapësh Zotit zemrën pa asnjë kusht, asnjë rezervë.

“Krishti ka nevojë të na ketë përkrah për të shtrirë e për të ndërtuar Mbretërinë e tij të dashurisë. E kjo është plotësisht e mundur, shtoi Papa, në se ju e keni Krishtin mikun më të mirë e jetoni sipas mësimeve të Ungjillit të Tij, me guxim e besnikëri. Në këtë aventurë, u shpjegoi Benedikti XVI të rinjve, mos u kurseni, edhe në se ndokush mund t’ju kujtojë që kjo sipërmarrje i kapërcen shumë kufijtë e aftësive e të talenteve njerëzore. Duhet kuptuar ç’detyrë dëshiron të na ngarkojë Zoti, pse na thërret, në ç’rrugë duhet të ecim e si mund të na ndihmojë. Të gjithë ju, shtoi Papa, e keni një thirrje, të menduar posaçërisht për të arritur lumturinë e shenjtërinë.

Kur Ai të pushton me zjarrin e syve, asnjë flijim nuk të duket i madh në përpjekjen për ta ndjekur e për t’i dhuruar atë, që ke më të mirë, ashtu siç bënë shenjtorët, kujtoi Papa, që përhapën dritën e Zotit dhe i mësuan njerëzimit fuqinë e pushtetit të dashurisë së Tij, duke e shndërruar botën në një strehë mikpritëse për të gjithë njerëzit.

Të dashur të rinj, vijoi, ashtu si Apostujt e orës së parë, tani duhet të jeni ju misionarët e Krishtit ndërmjet familjarëve, miqve, dashamirëve, në mjedisin e studimit e të punës, ndërmjet të shëndoshëve e të sëmurëve, të pasurve e, sidomos, të varfërve, duke folur për dashurinë dhe mirësinë e Tij me thjeshtësi, pa komplekse e pa frikë: Krishti vetë, i siguroi Papa të rinjtë, do t’ju japë forcë, në se do të lidheni sinqerisht me Të, duke pranuar prej tij gëzimet e dhimbjet, e jo vetëm tuajat, por edhe të të afërmve. Papa i nxiti, në vijim, të rinjtë, të bëjnë çdo përpjekje të mundshme për të krijuar kushte që edhe njerëzit rreth tyre, ta zbulojnë e ta takojnë personalisht Zotin e Kishën e tij.

Duke kujtuar, në përfundim Javën e Madhe, që sapo filloi, Benedikti XVI i ftoi të rinjtë të bëhen një gjë e vetme me Shëlbuesin, duke sjellë në mend Udhën e Kryqit të DBR-së e duke marrë mbi vete edhe dhimbjet e mëkatet e botës, për ta kuptuar më mirë dashurinë e Krishtit për njerëzimin: sepse, shpjegoi Papa, Zoti e do njeriun, prandaj e dërgoi Birin e Tij të vetëm, jo për të na dënuar, por për të na dhuruar një jetë të plotë e të lumtur.
Në përfundim Ati i Shenjtë kujtoi Ditën e ardhshme botërore të rinisë të Rio-de-Zhanéjros që, theksoi, do të jetë, pa dyshim, një gur i ri kilometrik në udhën e Kishës, që është gjithnjë e re e që dëshiron ta mbushë përplot horizontin e breznive të reja me thesarin e Ungjillit. Thënë me dy fjalë, do të jetë një takim i ri gazmor me Krishtin e Ngjallur!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.