2012-04-01 17:50:29

T’ia besojmë Hyjit të gjitha vuajtjet, edhe ankthin për të ardhmen: kështu Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot


Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa përshëndeti komitetin organizator të Ditës Botërore të Rinisë në Madrid dhe atë, që po organizon Takimin Rinor në Rio-de-Zhanejro të Brazilit, vitin e ardhshëm. Përshëndeti gjithashtu, delegatët në Takimin Ndërkombëtar mbi Ditët Botërore të Rinisë, organizuar nga Këshilli Papnor për Laikët, i cili përfundoi sot në Romë, pas katër ditë punimesh. Kujtoi se pikërisht në të Dielën e Larit, kremtohet Dita Botërore e Rinisë në nivelin dioqezan e u drejtoi të rinjve thirrjen:
“Ju ftoj t’ia hapni dykanatësh portat e zemrës Krishtit… Në këtë Javë të Madhe do të kundrojmë Krishtin në Mundimet e Tij… T’ia ofrojmë Atij vuajtjet e botës e të kemi besim në Të”.
Ati i Shenjtë, në gjuhë të ndryshme, nuk harroi të përmendë shqetësimet e rinisë, disa të vjetra, por disa, mjaft karakterizuese për epokën, në të cilën jetojmë: sëmundja, aftësitë e kufizuara mendore ose fizike, por edhe ankthi moral, dëshpërimi, pasiguria për të ardhmen. Papa u kërkoi të rinjve t’i lënë pas mëkatet e të zgjedhin një jetë, plot dashuri e shërbim për të afërmin. Është mënyra e vetme për të plotësuar dëshirën e natyrshme për lumturi e për një jetë plot kuptim.
Benedikti XVI kujtoi temën e Ditës së sotme Botërore të Rinisë “Gëzohuni gjithmonë në Zotin”, për t’u thënë të rinjve se gëzimi, i cili lind nga vetëdija se Hyji na do, është element qendror i krishterimit, që çdo i krishterë duhet t’ia përçojë botës së sotme, shpesh të karakterizuar nga trishtimi e ankthi, si dëshmi të rëndësishme të bukurisë e të besueshmërisë së fesë:
“Të dashur miq, lutem që në zemrat tuaja të banojë gëzimi i vërtetë, ai që rrjedh nga dashuria e që nuk mungon edhe në orën e flijimit”.
Të gjithëve, Papa u uroi ta kalojnë mirë Javën e Madhe e Pashkët e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.