2012-04-01 17:57:52

Mesazh i Benediktit XVI për Vitin Klarian: si shën Kiara, kërkojeni në Zotin, sekretin e gëzimit të vërtetë


Sekreti i gëzimit të vërtetë është t’ia besosh veten Zotit: kështu shkruan Benedikti XVI në një mesazh, me rastin e Vitit kushtuar Shën Kiarës së Asizit, gjatë të cilit kremtohet 800-vjetori i kthimit të shenjtes së madhe të klauzurës në rrugën e Hyjit. Mesazhi u lexua dje në katedralen e shën Rufinit në Asizi, gjatë kremtimit të Mbrëmësores së Parë të së Dielës së Larit.
Shën Françesku e Shën Kiara u flasin akoma zemrave të të rinjve, shkruan Papa, duke theksuar aktualitetin e mesazhit të françeskanizmit. “Si të mos e propozojmë shën Kiarën, njëlloj si shën Françeskun, para të rinjve të sotëm?”, pyet Ati i Shenjtë. “Koha që na ndan nga ngjarjet e jetuara prej dy shenjtorëve nuk e ka pakësuar bukurinë e jetës së tyre”. Përkundrazi, shihet qartë aktualiteti i mesazhit të dy françeskanëve të mëdhenj para iluzioneve e dëshpërimit, që shpesh shoqërojnë rininë e sotme. Kurrë ndonjëherë, vëren Benedikti XVI, bota nuk ka pasur kaq shumë për t’u propozuar të rinjve: çdo gjë duket e mundur, e ligjshme. E megjithatë, ata janë gjithnjë e më të pakënaqur e kërkimi pa fund i lumturisë i nxit të ndërmarrin rrugë pa krye, që çojnë drejt drogës e epsheve.
Jo vetëm kaq! Ati i Shenjtë përmend vështirësitë për të gjetur punë dinjitoze, për të krijuar familje e për të qenë të lumtur. Në këtë situatë, historia e shën Kiarës dhe e shën Françeskut është ftesë për të reflektuar mbi kuptimin e jetës e për ta kërkuar në Zotin, sekretin e gëzimit të vërtetë. Dy shenjtorët i treguan botës se ata, që plotësojnë vullnetin e Tënzot e ia besojnë jetën Hyjit, jo vetëm s’humbasin asgjë, por gjejnë thesarin, që i ndihmon t’i japin kuptim çdo gjëje.
Kthimi i Shën Kiarës në rrugën e Zotit ndodhi pikërisht në ditët para Pashkëve. Qe pikërisht nata e së Dielës së Larit, në vitin 1211, ajo e përkushtimit të saj në jetën e shuguruar, në kishën e Shën Marisë së Engjëjve, ku u prit nga shën Françesku, i cili vërente se “ajo nuk do të kishte më rrobat e rafinuara të fisnikërisë së Asizit, por elegancën e një shpirti, që shuhej në lavde për Hyjin e në dhurimin e vetvetes”. Pas qëndrimit të shkurtër në dy kuvende benedektinesh, shën Kiara shkoi në shën Damian, ku do të qëndronte deri në vdekje. Fama e shenjtërisë së saj u përhap aq shpejt, saqë shumë vajza të tjera e ndoqën, të tërhequra nga ky shembull jete. Benedikti XVI kujtoi se shën Kiara kërkoi nga Papa i atëhershëm “privilegjin” – siç e quante – të varfërisë, privilegjin për të mos pasur asgjë materiale.
Ati i Shenjtë e përfundon mesazhin me një mendim për klariset, që i tregojnë përditë botës bukurinë e jetës kundruese të klauzurës, në mbështetje të popullit të Zotit dhe me një tjetwr për françeskanët, kudo ndodhen, ndihmë për të rinjtë, që janë në kërkim të dritës.







All the contents on this site are copyrighted ©.