Në të Dielën Larit Kisha na fton të qëndrojmë ‘Larg nga mendjemadhësia’.
Me procesionin dhe bekimin e palmave e të degëve të ullinjve, këtë të diele të Larit,
Kisha katolike nis ritet e së Javës së Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, kulm i mbarë
vitit liturgjik. Solemniteti i Dielës së Larit, prej vitesh, përkon edhe me Ditën
Botërore të Rinisë, që sivjet kremtohet në nivelin dioqezan. Në Meshën e Dielës
së Larit e të Mundimeve të Zotit, Kisha na kujton rrugën e Jezusit drejt Kryqit, që
nga hyrja e Tij në Jeruzalem, rrethuar nga turma brohoritësh e deri në kryqëzimin
e Tij mbi Kryq. Mesazhi nga Liturgjia e shenjtë e kësaj dite kujton hyrjen e Jezusit
në Jeruzalem, nënvizoi misterin e Kryqit, shpjegon se dhuratat e Krishtit janë varfëria,
paqja e universaliteti dhe bënë thirrje për të mos iu kundërvënë dhunës me dhunë. E
në përkujtim të asaj ngjarje shpëtimprurëse të hyrjes së Jezusit në Jerusalem e të
pritjes së hareshme nga turma e popullit, Kisha i ftoi besimtarët të heqin dorë nga
mendjemadhësia, në se duan ta njohin vërtetë Hyjin. Jezusi nuk vjen me shpatën e revolucionarit,
por me dashurinë e atij që di të dojë aq shumë njerëzimin, sa të japë edhe jetën.
Hyrja e Jezusit në Jeruzalem, pritet me brohoritjet e turmës që përshëndetnin Birin
e Davidit. Zoti arrin në tempull, po pikërisht atje, ku duhet të ishte hapësira e
takimit të Hyjit me njeriun, Ai gjen tregtarët e bagëtive e kambistët, që në Tempull
ata interesoheshin e shikonin hesapet e tyre në vend të lutjes e të nderimit të Zotit.
Është tremja e Tempullit e caktuar për paganët. Hyji i Izraelit, Hyji i të gjithë
njerëzve priste që edhe ata t’i luteshin, ta kërkonin, ta thërrisnin. Po ata e kanë
mendjen te fitimi, i njohur ligjërisht nga autoritetet kompetente të kohës, që merrnin
pjesën e tyre nga xhepi i tregtarëve. Tregtarët vepronin drejtë, sipas rendit të padrejtë
e të korruptuar në fuqi. Po nuk mund të mos pyesim se e gjithë kjo duhet të na bëjë
edhe ne, të krishterëve, të mendojmë: a është feja jonë aq e pastër, sa duke u nisur
prej saj, edhe ‘paganët’, njerëzit që sot janë në kërkim të Zotit e bëjnë një mori
pyetjesh, të shikojnë në të dritën e të vetmit Hyj e të kthehen edhe ata në adhurues
të Tij? A jemi të vetëdijshëm se etja për fitim e idhujtaria, prek edhe zemrën tonë
e mënyrën tonë të jetesës? Thua nuk lejojmë, në mënyra të ndryshme, të na depërtojnë
idhujt në botën e zemrës e të fesë sonë? A jemi të gatshëm ta lemë Zotin të na pastrojë
vazhdimisht, duke na ndihmuar ta flakim tutje nga vetja e nga Kisha gjithçka është
në kundërshtim me të?. Duke pastruar tempullin, Jezusi kumton se ka ardhur çasti,
në të cilin adhuruesit e vërtetë, do ta adhurojnë Atin Qiellor në shpirt e vërtetësi.
Ka marrë fund koha kur njerëzit flijonin kafshë para Hyjit. Vendin e flijimeve e të
mblatave ushqimore, e zë korpi i Krishtit, e zë pra ai Vetë. Vetëm dashuria deri në
fund të fundit, vetëm dashuria që i dhurohet plotësisht Hyjit për njerëzit, është
kulti i vërtetë, është flijimi i vërtetë! Të adhurosh në shpirt e në vërtetësi, do
të thotë të adhurosh në bashkim me Atë, që është e vërteta; të adhurosh në bashkim
me Korpin e tij, me të cilin na bën një Shpirti Shenjt. Njerëzit e shndërruan tempullin
në shpellë hajdutësh. Por ashtu si gjithnjë, duke nisur nga rënia e Adamit, dështimi
i njerëzve shndërrohet në rast impenjimi edhe më të madh nga ana e Hyjit për t’i shpëtuar.
Kështu Jezusi, i akuzuar se dëshiron ta shembë tempullin, po në atë vend, shëron të
verbër e të çalë. Ai nuk vjen si shkatërrimtar; nuk vjen me shpatën e revolucionarit.
Vjen me dhuratën e shërimit. U kushtohet atyre që, për shkak të gjymtimeve, lodhen
nga jeta e flaken jashtë radhëve të shoqërisë. Jezusi u tregon se Hyji i do, se pushteti
i tij është pushtet i dashurisë. E na tregon edhe ne se cili është kulti i drejtë
i Hyjit: është shërimi, shërbimi, mirësia që e rikthen njeriun në jetë. Ndërmjet
atyre që e brohorasin Jezusin si birin e Davidit, ka edhe fëmijë. E Jezusi u pati
thënë dishepujve të vet se për të hyrë në mbretërinë e Hyjit, duhet të ribëheshin
si fëmijët . Ai vetë, që rrok mbarë botën, u bë i vogël për të na shpëtuar, për të
na dhënë dorën, për të na prirë në rrugën që çon drejt Hyjit. Për ta njohur Hyjin,
duhet të heqim dorë nga mendjemadhësia që na verbon, që na shtyn ta shohim Hyjin si
të ishte konkurrenti ynë. Për të takuar Zotin, duhet të bëhemi të aftë të shikojmë
jo me sytë e ballit, por me sytë e zemrës. Duhet të mësojmë për ta parë gjithçka me
zemër rinore, që s’ njeh paragjykime e nuk verbohet nga interesat. Kështu, në të vegjlit,
që e pranojnë Zotin me zemër të lirë e të hapur, Kisha shikon figurën e besimtarëve
të të gjitha kohërave, shikon figurën e vet. Prandaj Kisha i lartoi Hyjit lutjen
së bashku me të rinjtë e botës mbarë, të shkojmë drejt takimit me Jezusin. Ta lemë
të na prijë drejt Hyjit, për të mësuar nga Hyji vetë si të bëhemi njerëz të vërtetë.
Me Të e falënderojmë Hyjin, sepse me Jezusin, birin e Davidit, na dhuroi një hapësirë
paqeje e pajtimi, që rrok mbarë botën. Ta lusim të bëhemi edhe ne, me Të e duke u
nisur nga Ai, kasnecë të paqes së tij, që në shpirtin tonë e kudo rreth nesh, të rritet
Mbretëria e Tij.