2012-03-30 17:03:25

Udhë Kryqi me të burgosurit e Rebibbia. Papa: Jezusi është me ne, fjalën e fundit e ka drita e dashurisë së Zotit.


Udhë Kryqi me të burgosurit e Rebibbia. Papa: Jezusi është me ne, në udhën tonë të kryqit; fjalën e fundit e ka drita e dashurisë së Zotit. Karitasi dioqezan romak organizoi, sot pasdite, një Udhë Kryqi, së bashku me të burgosurit e burgut Rebibbia, në kuadrin e nismave të Kreshmëve, që sivjet në këtë burg, u quajtën “Kreshmët e dashurisë”, duke pasur parasysh vizitën e Benediktit XVI.
E pikërisht Papa u drejtoi të burgosurve një mesazh, përmes të cilit shprehu kënaqësinë për këtë Udhë Kryqi, kryesuar nga Mëkëmbësi i Atit të Shenjtë për Romën, kardinali Agostino Valini, me pjesëmarrjen e të burgosurve, punonjësve të burgut dhe besimtarëve nga famulli të ndryshme.
Jam pranë jush në këtë nismë, shkruan Papa, sepse në zemrën time është i gjallë kujtimi i vizitës, që bëra para Krishtlindjes në burgun e Rebibbias. Kujtoj fytyrat tuaja, që i njoha nga afër, e fjalët, që më thatë, të cilat kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në shpirtin tim. Bashkohem, prandaj, me lutjen tuaj, duke e shikuar si vazhdimësi të pranisë sime mes jush.
E di se kjo Udhë Kryqi kremtohet edhe si shenjë pajtimi. E kjo, sepse, siç më pati thënë një nga të burgosurit, burgu të shërben edhe për t’u ngritur në këmbë, pasi të jesh rrëzuar; për t’u pajtuar me vetveten, me të tjerët e me Zotin e për të hyrë përsëri në radhët e shoqërisë.
Kur Krishti rrëzohet, e jo një herë, por, dy, tri, e kuptojmë mirë se ai deshi të provojë rëniet tona, të marrë mbi vete barrën e mëkateve tona, sepse janë ata, që e bëjnë të rrëzohet. Jezusi ra tri herë – kujtonte mesazhi i Papës - por tri herë u ngrit përsëri në këmbë e vijoi rrugën drejt Kalvarit; e kështu edhe ne, me ndihmën e tij, mund të ringrihemi pas rënieve tona, ose mund të ndihmojmë ndonjë vëlla, që të ngrihet.
Por, ç’i jepte Jezusit forcë të ecte përpara? Siguria se Ati ishte me të! Ndonëse e ndjente në zemër hidhërimin e braktisjes, Jezusi e dinte se Ati e donte, e pikërisht kjo dashuri e pakufishme, kjo mëshirë e pafundme e Atit qiellor, e ngushëllonte e ishte pambarimisht më e madhe se dhuna e poshtërimet, që e rrethonin. Edhe pse të gjithë e përçmonin dhe e trajtonin si të mos ishte njeri, Jezusi, në zemrën e vet, e dinte me siguri se ishte biri, Biri i dashur i Hyjit Atë.
Kjo është dhurata e madhe, që na fali Jezusi me Udhën e Tij të Kryqit: na tregoi se Hyji është dashuri e pambaruar, është mëshirë e e mbart deri në fund të fundit barrën e padurueshme të mëkateve tona, që të mund të ngrihemi përsëri, të pajtohemi e të gjejmë paqen.
Kjo nënvizohej në mesazhin papnor, që u kujtoi të burgosurve se kështu as ne nuk kemi frikë ta përshkojmë ‘udhën tonë të kryqit”, ta mbartim kryqin bashkë me Jezusin. Ai është me ne. E me ne është edhe Maria, Nëna e Tij dhe e jona.
Maria, vijonte mesazhi, duke krijuar atmosferën e Javës së Madhe, që po afrohet, pikërisht në mjediset e një burgu, ku fjalët rrahje; rrëzim, kamxhik, poshtërim, tallje, britma, gjak, tingëllojnë dhimbshëm, si dymijë vjet më parë në vise shumë larg nga burgu romak, ishte pranë, është pranë. Zoja e Bekuar ishte me Të, është me ne. Besnike edhe tek këmbët e kryqit, lutet dhe për ringjalljen tonë, duke besuar plotësisht se edhe në natën më të errët, fjalën e fundit e ka drita e dashurisë së Zotit.

“Sot do të jesh me mua në Parajsë” – ishte tema e zgjedhur për Udhën e Kryqit, që u kremtua, në orën 16.30, në kompleksin e ri të Burgut Rebbibia, ku u lexua mesazhi i Papës, ndërsa kremtimi ishte meditim për Parajsën e vendi, ku kremtohej, sheshi para kapelës së burgut, me emrin “Zoti, Ati ynë”.Në përfundim të kremtimit, si simbol i paqes e i pajtimit, nga hekurat e burgut fluturuan, të lirë, tre pëllumba të bardhë!







All the contents on this site are copyrighted ©.