2012-03-30 17:05:20

Kremtimet e Javës së Madhe 2012, që do të kryesohen nga Benedikti XVI


Me Javën e Shenjtë ose Javën e Madhe, siç quhej në shekullin IV në Egjeri e siç quhet edhe sot e kësaj dite ndër shqiptarë – përfundojnë Kreshmët e hyjmë në kremtimet e Pashkëve. Zyra e Kremtimeve liturgjike publikoi programin e kremtimeve të Javës së Madhe që do të kryesohen nga Ati i Shenjtë.

Java e Madhe do të nisë me të Dielën e Larit, më 1 prillin e ardhshëm, e do të arrijë kulmin me Triditshën e Pashkëve, qendër e gjithë vitit liturgjik.
Në Javën e Madhe, Kisha kremton misteret e shëlbimit: “Vepër e shpërblimit e kryer nga Krishti i cili, duke vdekur, e mundi vdekjen e, duke u ngjallur, na dha përsëri jetë ne të gjithëve”.
Benedikti XVI do t’i kryesojë të gjitha ritet e Javës së Madhe, duke filluar nga 1 prilli i ardhshëm në orën 9.30 me Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit për të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit. Kjo datë përkon me Ditën XXVII Botërore të Rinisë me temë “Gëzohuni gjithmonë në Zotin!”(Fil4,4), që do të kremtohet në nivel dioqezan. Para se të fillojë proçesioni eukaristik, Ati i Shenjtë do të bekojë larin, palmat e degët e ullinjve, ndërsa në përfundim të proçesionit, do të kremtojë Meshën Shenjte të Mundimeve të Krishtit.

Të Enjten e Madhe, më 5 prill 2012, duke nisur nga ora 9.30, Shenjtëria e Tij do të kryesojë bashkëkremtimin e Meshës së Bagmit në Bazilikën e Vatikanit. Gjatë kremtimit do të bekohet vaji i katekumenëve dhe i të sëmurëve. Bashkëkremtimi i Papës me kardinajtë, ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë do të jetë simbol i bashkimit të ngushtë ndërmjet Kryebariut të Kishës universale dhe bashkvëllëzërve të tij në meshtari.

Triditshja e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, ‘kulm i gjithë vitit liturgjik’ do të fillojë me Meshën e Darkës së Fundit të Krishtit, që Papa do ta kremtojë duke nisur nga ora 17.30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Benedikti XVI do t’u lajë këmbët 12 burrave. Gjatë ritit, të pranishmëve do t’u drejtohet ftesa për të bërë një akt bamirësie si ndihmë humanitare për refugjatët sirianë. Shuma që do të mblidhet do t’i dorëzohet Atit të Shenjtë në çastin e paraqitjes së dhuratave.

Të Premten e Madhe, më 6 prill, në orën 17.00, Shenjtëria e Tij do të kryesojë, në Bazilikën e Vatikanit, Kremtimin e Mundimeve të Zotit me ritin e Adhurimit të Kryqit
e pastaj, në mbrëmje, në orën 21.15, Udhën tradicionale të Kryqit në Koloseum, në përfundim të së cilës do të përshëndesë besimtarët dhe do të japë bekimin e tij apostolik.
Sivjet Benedikti XVI ia besoi një çifti bashkëshortësh tekstet e meditimeve për Udhën e Kryqit: quhen Danilo e Ana Maria Xanxuki. Janë nismëtarë të lëvizjes “Familje të reja”, në mjediset e Fokolarëve. Reflektimet do të frymëzohen nga jeta e familjes. Skema e Udhës së Kryqit do të jetë ajo tradicionale, me 14 stacione.

Të Shtunën e Madhe, ndërmjet 7-8 prillit, në orën 21.00 Benedikti XVI do të kryesojë kremtimin e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit. Sipas traditës, kjo natë në të cilën Krishti u ngjall njihet si ‘Nëna e të gjitha netëve të lutjes’, prandaj edhe kalohet në uratë. Kisha rri zgjuar duke pritur Ngjalljen e Zotit me kremtimin e sakramenteve fillestare të jetës së krishterë. Kremtimi do të nisë me ritin e bekimit të zjarrit të ri në tremen e Bazilikës e do të vijojë me ndezjen e qiriut të Pashkëve e me Exsultet, pasuar nga Mesha Shenjte, e kryesuar nga Benedikti XVI.

Më 8 prill, Solemniteti i Pashkëve, në orën 10.15, Papa do të kremtojë Meshën e Ditës në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit e më pas, nga lozha qëndrore e Bazilikës, do të japë Bekimin ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’.

Fillon kështu “Koha e gëzueshme’ e Rrëshajëve, kur Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt. Këtë vit Pashkët, ndërmjet tjerash, përkojnë me ditëlindjen e Atit të Shenjtë që pikërisht më 16 prill mbush 85 vjet: tri ditë më pas, më 19 prill, mbushen 7 vjet nga fillimi i papnisë së Benediktit XVI.








All the contents on this site are copyrighted ©.