2012-03-30 19:14:02

Atë Kantalamesa: besimtari nuk heq dorë nga arsyetimi, por e lartohet kah Zoti.


Benedikti XVI, që u kthye dje nga Kuba, ndoqi, sot paradite, predikimin e katërt e të fundit të Kreshmëve, mbajtur, atë Raniero Kantalamesa. Në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, predikatari i Shtëpisë Papnore foli për udhën e njohjes së Zotit, sipas Gregorit të Nisës, Atë i Kishës Lindore, që jetoi në shekullin IV. Për të takuar Zotin, shpjegoi rregulltari kapuçin, duke kujtuar mësimet e Nisenit, duhen kapërcyer kufijtë e arsyes.
Kush niset për t’iu afruar Zotit, duhet të besojë se Ai ekziston: është Shkrimi Shenjt që, në Letrën drejtuar Hebrenjve, na tregon si mund t’i afrohemi Hyjit; ndërsa Gregori i Nisës pati meritën të shpjegojë se njeriu mund ta njohë vërtet Zotin e të ketë vegimin e Tij, vetëm kur arrin të shikojë se Ai është i padukshëm. Pikërisht pranimi i panjohshmërisë së Zotit, është udha për njohjen e Tij.
Por, pse atë Kantalamesa, në predikimin e fundit të Kreshmëve, plot nxitje për reflektime, zgjodhi pikërisht Gregorin e Nisës si prijës, për njohjen e atij Zoti, para të cilit jemi si krijesa përballë Krijuesit? Së pari, për të na shpjeguar se udha e njohjes së Zotit kalon përmes mosnjohjes. Prej këndej, duke kujtuar Librin e Daljes, predikatari kujtoi se herën e parë Zoti iu duk Mosiut në dritë; më pas, i foli nga reja, së fundi, kur ai u bë më i përkryer, e pa Zotin në errësirën e mbrëmjes. Gjithnjë duke u mbështetur mbi shkrimet e Nisenit, komentoi:
… Kalimi nga errësira, në dritë është shkëputja e parë nga idetë e rreme e të gabuara mbi Zotin; inteligjenca më e vëmendshme ndaj sendeve të fshehta, duke i prirë shpirtit përmes sendeve të dukshme, kah realitetet e padukshme, i ngjet resë, e cila errëson gjithçka shqisore dhe e mëson shpirtin të kundrojë atë, që është e fshehur; së fundi, shpirti që ka ecur përmes këtyre udhëve drejt sendeve qiellore, duke i pasë lënë sendet tokësore, aq sa është e mundur për natyrën njerëzore, depërton në shenjtëroren e njohjes hyjnore(në theognosia-n e famshme), rrethuar në të katër anët prej hijes hyjnore të Zotit”.
Më pas predikatari i Shtëpisë Papnore shpjegoi se në kërkimin e Zotit nuk përjashtohet arsyeja, mbasi njeriu nuk është i detyruar të zgjedhë ose rrugën e fesë, ose atë të arsyes:
“Duke besuar, njeriu nuk heq dorë nga arsyeja, por e larton atë, gjë krejt e ndryshme, kjo. Besimtari i thellon burimet e arsyes së tij, u krijon mundësinë të kryejnë veprimin më të fisëm, sepse, siç pohon Paskal, akti më i lartë i arsyes, është të pranojë se ka një pafundësi sendesh, që e tejkalojnë arsyen”.
Kjo do të thotë dituri e paditurisë; do të thotë të marrësh vesh, se nuk mund të kuptosh. E kjo është edhe panjohshmëria e Hyjit, që nuk e poshtëron aspak njeriun, përkundrazi:
“Një panjohshmëri e tillë synon ta mbushë njeriun me entuziazëm e gëzim: na thotë se Zoti është pambarimisht më i madh, më i bukur, më i mirë, sesa mund ta marrim me mend; se e gjithë kjo është bërë për ne, që gëzimi ynë të jetë i plotë, që të mos na shkojë as nëpër mend se mund edhe të mërzitemi, duke jetuar në shekuj të shekujve pranë Tij”.
Nuk është aspak përhumbje, ajo që ndjen njeriu, i cili hyn në misterin e Hyjit, shtoi Atë Kantalamesa, përkundrazi, si e quan Gregori i Nisës, është “ndjesia e një pranie”, ndjesi e frikshme e joshëse njëherësh, që e pushton krejtësisht qenien njerëzore, përballë shfaqjeve të mbinatyrshme ose mbiracionale. Një prani, që bëhet gjithnjë më e ndryshme, sa më shumë njeriu pastrohet nga mëkati e nga pasionet. E në se udha e intelektit dhe e shpirtit drejt Zotit duket e vështirë, nuk duhet harruar se mbi Malin e Kalvarit Njeriu-Zot, Jezusi i Nazaretit, e bashkoi përgjithmonë njeriun me Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.