2012-03-29 15:56:58

Papa të rinjve të Ditës Botërore të Rinisë: qofshi misionarë të atij gëzimi, që vjen nga Zoti e nuk tradhton


I krishteri nuk mund të jetë kurrë i trishtuar, sepse ka takuar Krishtin, që ka dhënë jetën për të. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet të dielën e ardhshme, në të Kremten e Larit, në nivel dioqezan. Në tekstin me temë “Gëzohuni gjithmonë në Zotin”, marrë nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Filipianëve, Ati i Shenjtë ka parasysh Ditën Botërore të Rinisë 2013, që do të zhvillohet në Rio de Zhanejro të Brazilit, dhe i nxit të rinjtë të shkojnë drejt saj si “misionarë të gëzimit” të krishterë.
Prova e “besueshmërisë” së fesë së krishterë është pikërisht kjo: në një botë të trishtuar e plot ankth, i krishteri i vërtetë ka në zemër gëzimin, që e përhap rreth vetes. Të rinjtë, sipas Papës, kanë nevojë të jashtëzakonshme të dëgjojnë se mesazhi i krishterë është mesazh gëzimi e shprese. Në shtatë pika, Papa reflekton duke u nisur nga ky fakt i pamohueshëm: zemra e njeriut “është bërë për gëzim”, sepse ky është elementi, që “i jep shije” jetës. Familja, miqësia, puna e bërë si duhet, natyra me mrekullitë e saj, dashuria e sinqertë dhe e pastër: të gjitha këto, vëren Ati i Shenjtë, janë burime gëzimi. Po kështu, edhe kur njeriu shprehet lirisht e ndjen se të tjerët e kuptojnë, kur është i dobishëm, kur përjeton përvoja kulturore e kur udhëton. Por cili është kufiri ndërmjet “gëzimit të plotë” dhe “kënaqësisë së çastit, që të gënjen”, pyet Benedikti XVI? “Gëzimi i vërtetë – shkruan Papa një rresht më poshtë – si ai i vogël, i përditshëm, ashtu edhe ai i madh i jetës, e kanë zanafillën tek Zoti”. Prej Tij vjen gëzimi, që nuk na braktis edhe në çastet e vështira, sepse Hyji na krijoi pse na deshi e për të na dashur e dëshiron të jemi pjesëmarrës në gëzimin e Tij, i cili, në ndryshim nga ai njerëzor, është “hyjnor dhe i amshuar”. E në Jezu Krishtin, vazhdon Ati i Shenjtë, ky gëzim i Zotit bëhet i prekshëm e rrënjoset thellë në zemër. Madje edhe Mundimet e Krishtit e Kryqi janë burim gëzimi, i gëzimit të shëlbimit. “Së keqes – siguron Benedikti XVI – nuk i takon fjala e fundit për jetën tonë, por feja në Krishtin Shëlbues na thotë se dashuria e Zotit ngadhnjen”.
Pasi flet për origjinën e gëzimit të krishterë, Papa i ndihmon të rinjtë të kuptojnë se si mund ta kenë e ta ruajnë këtë lloj gëzimi. Edhe këtu, Benedikti XVI përsërit një të vërtetë dymijëvjeçare: gëzimi shpirtëror – ai që mbetet e nuk tradhton, edhe kur jeta bëhet e vështirë – vjen në zemra e ruhet brenda tyre, vetëm duke takuar Krishtin. “Të dashur të rinj – shkruan Ati i Shenjtë – nuk duhet të keni frikë se mos e rrezikoni jetën, duke e bazuar mbi Të e mbi Ungjillin. Çdo ditë, duhet ta ndjeni praninë e miqësinë e Jezusit e ta dini se nuk ju braktis kurrë”. Kërkojeni, këshillon Papa, në Fjalën e Tij; gjejeni në Sakramentet. I krishteri nuk e di ç’është trishtimi, sepse është takuar me Atë, që ka dhënë jetën për njeriun.
E më pas, nga udhëheqës shpirtëror, Benedikti XVI bëhet pedagog i hollë. Duke pohuar se gëzimi e dashuria janë të lidhura ngushtë, pasi i pari “është formë” e së dytës, Papa ndalet në vlerën e impenjimit të vazhdueshëm. Besnikëria dhe besueshmëria në marrëdhëniet njerëzore e në punë, sqaron, janë të pazgjidhshme. Gëzimi është si një portë, ku për të hyrë duhet të jemi bujarë, të mos kënaqemi me pak, por të impenjohemi deri në fund në jetë, duke u kushtuar vëmendje të veçantë nevojtarëve. Bota, kujton Papa, ka nevojë për burra e gra të aftë e bujarë, që vihen në shërbim të së mirës së përbashkët. Ati i Shenjtë i këshillon të rinjtë të studiojnë me seriozitet, të kultivojnë prirjet, duke mos u tunduar nga paraja, suksesi e pushteti, por nga shërbimi për të mirën e përbashkët. Duhen parë mirë horizontet e jetës, drejt të cilave Zoti orienton planet e secilit, si thirrjen për martesë, ashtu edhe atë për meshtari, ose për jetën e shuguruar.
Benedikti XVI e mbyll mesazhin e tij, duke përmendur dy figura të shkëlqyera: të Lumin Pier Xhorxho Frasati – të cilit i pëlqente të thoshte se “çdo katolik nuk mund të jetë tjetër, veçse i gëzuar” – dhe të Lumen Kiara Badano, provë se si mund të shndërrohet në gëzim, dhimbja e një sëmundjeje, që e mori me vete në moshën 18 vjeçare. E për Benediktin XVI, ky është kulmi, pika më e lartë e gëzimit të krishterë, të atij, që u reziston sprovave. Fjalët e fundit të mesazhit të kujtojnë ç’pati thënë Papa në fillim të papnisë, pak para Ditës Botërore të Rinisë në Këln të Gjermanisë: “Nganjëherë – shkruan Ati i Shenjtë – pasqyrohet krishterimi si të ishte propozim jete, që e shtyp lirinë tonë, që shkon kundër dëshirës për lumturi e gëzim. Por kjo nuk wshtw e vërtetë! Të krishterët janë burra e gra vërtet të lumtur, sepse e dinë se nuk janë kurrë vetëm, por në duart e Zotit!” Pra, përfundon Benedikti XVI, duhet të jeni “misionarë të gëzimit. Nuk mund të jesh i lumtur, nëse nuk janë edhe të tjerët: gëzimi duhet bashkëndarë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.