2012-03-29 17:05:18

Kur Gjoni XXIII i foli Kubës përmes Radio Vatikanit


Akoma jehon gëzimi e forca e fjalëve të Benediktit XVI gjatë Meshës së kremtuar në sheshin e Revolucionit, në Havanë. Por në këtë shesh nuk kanë folur vetëm Papa aktual e Gjon Pali II, në vitin 1998. Para 53 vjetësh, aty u dëgjua edhe zëri i Papës Gjoni XXIII, jo i pranishëm fizikisht. Nga larg, Papa Ronkali u fliste kubanëve përmes valëve të Radio Vatikanit, në një radiomesazh, dëgjuar nga besimtarët e mbledhur në meshën kulmore të Kongresit I katolik kombëtar dhe të Asamblesë së përgjithshme të Apostullatit laik.
“Habla Radio Vaticana, desde del Palacio Apostólico del Vaticano. Trasmitimos en audiciones extraordinaria el Radiomensaje de Su Santidad Juan XXIII dirigidos a los fieles de Cuba”.
Kështu lajmërohej radiomesazhi i Gjonit XXIII. Ishte e dielë, 29 nëntor 1959, pak muaj pas fitores së revolucionit kuban, të udhëhequr nga Fidel Kastro. Në Sheshin e Revolucionit, besimtarët dëgjonin me emocion – falë Radio Vatikanit – fjalët e një pape, të Gjonit XXIII, që i përshëndeste nga Vatikani. Ishte hera e parë, që zëri i një pape arrinte në Kubë.
“Fytyra e botës mund të ndryshojë, nëse mbretëron dashuria e vërtetë; ajo e të krishterit, që bashkohet me dhimbjen e vuajtjen e të mjerit, që kërkon, për këtë njeri, lumturinë, shëlbimin, njësoj si për vete; ajo e të krishterit – vazhdon Papa Ronkali – të bindur se të mirat, që zotëron, kanë funksion shoqëror e se përdorimi i tepricave në favor të atyre, që u mungon edhe më e nevojshmja, nuk është bujari fakultative, por detyrë”.
E akoma, më pas:
“Nëse urrejtja ka dhënë frytet e hidhura të vdekjes, duhet të kalojmë sërish tek ajo dashuri e krishterë, e vetmja, që mund të limojë kaq ashpërsi, të kapërcejë kaq rreziqe të mëdha e të ëmbëlsojë kaq shumë dhimbje”.
Kjo dashuri mund të konsolidojë paqen shoqërore, paralajmëronte Papa, i cili u kërkonte institucioneve ta nxisnin bashkëpunimin ndërmjet njerëzve, duke pasur parasysh se të gjithë janë anëtarë të familjes së madhe të Zotit, Atit të tyre. Gjithashtu, i bënte thirrje secilit ta jetonte dashurinë e krishterë, pasi prej kësaj do të varej paqja në Kubë e ruajtja e traditave të saj katolike. Koha tregoi sa të drejta ishin mësimet e Papës, të cilat Kuba, fatkeqësisht, nuk i ndoqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.