2012-03-29 13:16:23

Kuba duhet të jetë shtëpia e të gjithë kubanëve në drejtësi e në liri: kështu Papa në ceremoninë e lamtumirës nga ishulli karaibik


“Kuba duhet të jetë shtëpia e të gjithë kubanëve, ku të bashkëjetojnë drejtësia e liria, në një atmosferë vëllazërimi e pajtimi”: kjo qe lutja e zjarrtë e Benediktit XVI, gjatë ceremonisë së lamtumirës, në aeroportin “José Martì” të Havanës, në praninë e presidentit kuban Raul Kastro. Me këtë veprimtari, zhvilluar kur në Evropë ishte ora 23.30 e ditës së djeshme, përfundoi udhëtimi i 23-të apostolik i Papës në Meksikë e në Kubë, një vizitë 5-ditore, gjatë së cilës Ati i Shenjtë i përforcoi në fe besimtarët, u foli për shpresë e paqe meksikanëve, në 200-vjetorin e pavrësisë, dhe për liri e drejtësi, kubanëve, me të cilët kremtoi 400-vjetorin e gjetjes së shtatores së Zojës së Dashurisë së Krishterë.
Ceremonia e lamtumirës, para nisjes së Papës për në Romë, ku mbërriti, sot paradite në orën 10.15, u zhvillua në një nga sallat e aeroportit, e jo jashtë, për shkak të shiut. Vetëm pak orë më parë, Benedikti XVI ishte takuar në Nunciaturën Apostolike me ish-liderin kuban, Fidel Kastro. Në aeroport, Papa vuri në dukje vuajtjet e popullit për shkak të embargos e theksoi se askujt nuk duhet t’i ndalohen liritë themelore. Dhjetra-mijëra kubanë vërshuan nëpër rrugë, pavarësisht nga koha e keqe, për të përshëndetur Atin e Shenjtë, gjatë 18 kilometrave, që e ndanin nunciaturën apostolike nga aeroporti. Për herë të parë në tokën kubane, Jozef Racinger dënoi me forcë embargon amerikane kundër ishullit, i cili ndodhet në një situatë të vështirë:
“Gjendje, që keqësohet edhe më shumë, kur masat ekonomike kufizuese, të imponuara nga jashtë vendit, rëndojnë negativisht mbi popullsinë… Do të vijoj të lutem me zjarr, që të vazhdoni rrugën e nisur dhe Kuba të bëhet shtëpia e të gjithëve e për të gjithë kubanët, ku të bashkëjetojnë drejtësia e liria, në një atmosferë vëllazërimi të sinqertë”.
“Respekti dhe kujdesi për lirinë, që regëtin në zemrën e çdo njeriu – pohoi Jozef Racinger – është i domosdoshëm për t’iu përgjigjur si duhet kërkesave themelore të dinjitetit të tij, duke ndërtuar kështu, një shoqëri, në të cilën secili të ndjehet protagonist i pazëvendësueshëm i së ardhmes dhe i jetës së vet, i familjes dhe i atdheut”:
“Koha e sotme kërkon urgjentisht që në bashkëjetesën njerëzore, kombëtare e ndërkombëtare, të eliminohen qëndrimet e ngurtësuara e këndvështrimet e njëanshme, të cilat kanë prirjen për t’i bërë më të vështira marrëveshjet e më pak të frytshme përpjekjet për bashkëpunim”.
Është i nevojshëm, nënvizoi Benedikti XVI, një dialog plot durim e sinqeritet, për të kërkuar pikat e bashkimit me të gjithë, përmes vullnetit të mirë për të dëgjuar Fjalën e Zotit e për ta rinovuar jetën personale e shoqërore, duke u nisur nga Ungjilli i Krishtit.
Papa e la Kubën nën shiun e rrëmbyeshëm, që “mungonte prej kohësh e ishte mëse i nevojshëm”, tha në përshëndetjen e vet, kreu i shtetit, Raul Kastro. Por e la edhe me shpresën, se drita e Krishtit do të përforcojë shpirtin kuban dhe vlerat më fisnike të këtij populli, për të hapur horizonte të reja para një shoqërie të përtërirë e të pajtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.