2012-03-29 13:16:10

Bilanc i atë Lombardit mbi udhëtimin e Papës në Kubë dhe reflektimi i tij për takimin e Benediktit XVI me Fidel Kastron


Biseda ndërmjet Papës dhe Fidel Kastros – tha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi – qe shumë intensive dhe e përzemërt. Ish-lideri kuban ishte shumë i interesuar të dinte mendimin e Benediktit XVI mbi temat e mëdha të aktualitetit. Një Fidel Kastro i kujdesshëm e i gatshëm për të reflektuar së bashku me Atin e Shenjtë, siç na thotë atë Lombardi në mikrofonin tonë, duke nënvizuar se ish- “Lideri Maximus” tani lexon e shkruan libra:
Aktualisht, kjo është gjendja, pasi Fidel Kastro nuk ka më përgjegjësi të tipit politik. Dëshironte me gjithë shpirt të takohej me Atin e Shenjtë për t’i bërë pyetje, ndër të cilat, disa kishin të bënin me Kishën dhe me shërbimin e Papës, të tjera, më të përgjithshme, me gjendjen e njerëzimit sot: sfidat, vështirësitë e shkencës për t’i dhënë njerëzimit përgjigjet që pret, problemet e dialogut ndërfetar… Ja pra: cilat janë rrugët, përmes të cilave, njeriu mund të gjejë përgjigjen për pyetjet e tij të mëdha? Ati i Shenjtë u përgjigj, natyrisht sipas perspektivës së vet, duke nënvizuar kontributin, që mund të japë këndvështrimi fetar mbi njeriun e botën, për të gjetur dritën, orientimin, themelin, për të kërkuar udhët, zgjidhjet, në kohën e sotme.
Fidel Kastro e vlerësoi faktin se Nënë Tereza e Gjon Pali II janë shpallur të Lum, duke u lartuar në nderimet e elterit…
Janë dy personalitete të jashtëzakonshme, që ai i ka njohur e takuar personalisht dhe i vlerëson e i admiron shumë.
Një bilanc përfundimtar: para 14 vjetëve, Gjon Pali II, tani, Benedikti XVI. Dy vizita, që mund ta ndihmojnë Kishën në Kubë për veprimtarinë e saj në gjirin e shoqërisë…
Sigurisht, ky është edhe qëllimi i këtyre vizitave: inkurajimi i Kishës, gjallërimi i saj, dhënia e shpresës, në mënyrë që ajo të japë kontributin e vet. Natyrisht, këtu hyjnë edhe kërkesat, që Ati i Shenjtë u drejtoi autoriteteve kubane, për hapësira të reja, më të mëdha, për lirinë fetare – të kuptuar si dëshmi e plotë e jetës së Kishës – e edhe, për zgjerimin e veprimtarive në fushën edukative, në atë të bamirësisë, që i japin Kishës mundësinë të kontribuojë sa më shumë për të mirën e përbashkët të krejt popullsisë.
Takim personal i Papës me popullin kuban: mund ta karakterizojmë kështu këtë udhëtim, këtë interesim të Atit të Shenjtë në takimet me autoritetet, përmes thellimit në problemet e vendit e të shoqërisë…
Udhëtim do të thotë të shkosh personalisht në një vend e të takohesh me njerëzit. Pra, populli të sheh konkretisht, ta sheh fytyrën, sjelljen e prandaj, mund të të dojë më shumë e të të ndjejë më pranë. Edhe liderët, sido të jetë qëndrimi i tyre, shohin njerëz e një njeri në veçanti, Papën, me të cilin mund të flasin, i cili tregon kujdes të madh për kërkesat e popullit, që autoritetet duhet t’i shërbejnë. Me Atin e Shenjtë, ata kanë një element të përbashkët: si duhet ushtruar përgjegjësia, për të mirën e popullit?







All the contents on this site are copyrighted ©.