2012-03-29 15:58:02

45-vjetori i Enciklikës “Populorum progressio”


Më 26 mars Kisha shënoi 45-vjetorin e një enciklike papnore që sot mund të quhet profetike: “Populorum Progressio” – “Zhvillimi i Popujve”, shpallur nga Papa Pali VI më 26 mars 1967. Kjo enciklikë “Populorum Progressio” trajton problemet e mëdha të globalizimit ekonomiko-shoqëror në botë dhe prek tre fenomene tepër të rëndësishme shoqërore për kohën kur u shkrua, por edhe për kohën tonë: dekolonizimin, fenomen aktual i asokohshëm, pabarazitë ndërmjet Veriut e Jugut të botës në plan ekonomik, tepër aktuale edhe për sot së bashku me problemin dhe ushtrimit të drejtësisë ndërkombëtare në kornizën gjeopolitike të karakterizuar nga tensionet ndërmjet Veriut e Jugut, dhe së treti, procesin e kryesuar posaçërisht nga organizmat e Kombeve të Bashkuara për fillimin e një faze të re të bashkëpunimit ndërkombëtar për të sheshuar, të paktën pjesërisht, hendekun dramatik ndërmjet Veriut e Jugut të botës
Duke botuar në vitin 1967 Enciklikën Populorum progressio, Papa i nderuar Pali VI e ka ndriçuar temën e madhe të zhvillimit të popujve me shkëlqimin e të vërtetës dhe me dritën e këndshme të dashurisë së Krishtit. Ai ka pohuar se lajmi i Krishtit është faktori i parë dhe kryesor i zhvillimit dhe na ka lënë misionin që të ecim në rrugën e zhvillimit me gjithë zemrën tonë dhe me gjithë inteligjencën tonë, domethënë me zjarrin e dashurisë dhe dijen e të vërtetës.

Është e vërteta themelore e dashurisë së Hyjit, hir e bekim që na është dhuruar, ajo që ia hap jetën tonë dhurimit dhe bën të mundur që të shpresojmë në një “zhvillim të të gjithë njeriut dhe të të gjithë njerëzve”, në një kalim “nga kushtet më pak njerëzore në kushtet më njerëzore”, që arrihet duke i mposhtur vështirësitë që në mënyrë të pashmangshme ndeshen gjatë rrugës.

Më se dyzet vjet nga botimi i Enciklikës, Kisha e nderon kujtimin e Papës së madh Pali VI, duke marrë mësimet e tij mbi zhvillimin njerëzor të tërësishëm dhe duke u vënë në rrugën e hapur prej tyre, për t’i aktualizuar ato në të tashmen.
Në kryedioqezën Shkodër-Pult, enciklika “Populorum Progressio”, është përkthyer, lexuar e vënë në qendër të vëmendjes më një sërë konferencash, lidhur ngushtë me problemet më të mprehta të vendit. “Zhvillimi “ – shkruan Papa – është emri i ri i paqes”. Por - vijon të shpjegojë - duhet të jetë një zhvillimi i plotë, për çdo njeri e për të gjithë njerëzit.
ZHVILLIMI I POPUJVE (Populorum Progressio) 26 mars 1967

ÇËSHTJA SHOQËRORE SOT ËSHTË BOTËRORE

Zhvillimi i popujve

1. Zhvillimi i popujve, në mënyrë të veçantë i atyre që luftojnë për t’u liruar prej zgjedhës së urisë, të mjerimit, të sëmundjeve endemike, të padijes; që kërkojnë një pjesëmarrje më të gjerë në frytet e qytetërimit, një vlerësim më aktiv të cilësive të tyre njerëzore; që lëvizin me vendosmëri drejt cakut të lulëzimit të tyre të plotë, është objekt i shqyrtimit të kujdesshëm nga ana e Kishës. Të nesërmen e Koncilit II ekumenik të Vatikanit, një vetëdijësim i përtërirë për kërkesat e mesazhit ungjillor i dikton të vihet në shërbim të njerëzve, pra për t’i ndihmuar ata që t’i kuptojnë të gjitha përmasat e këtij problemi të rëndë dhe t’i bindë për ngutshmërinë e një veprimi solidar në këtë kthesë të historisë së njerëzimit.

Mësimi shoqëror i papëve

2. Në enciklikat e tyre të mëdha, Rerum novarum e Leonit XIII,2 Quadragesimo anno e Piut XI,3 ashtu si edhe - pa numëruar radiomesazhet drejtuar botës prej Piut XII4 - Mater et magistra5 dhe Pacem in terris6 e Gjonit XIII, paraardhësit Tanë e kryen detyrën e tyre, që u takon atyre në mënyrë specifike, për ta hedhur dritën e ungjillit mbi çështjet shoqërore të kohës së tyre.

Fakti më i madh

3. Sot, fakti me rëndësi më të madhe, për të cilin secili duhet të vetëdijësohet, është se çështja shoqërore ka marrë një përmasë botërore. Gjoni XXIII e ka pohuar qartë këtë,7 dhe Koncili i ka bërë jehonë me Kushtetutën e vet baritore mbi Kishën në botën bashkëkohore.8 Bëhet fjalë për një mësim me rëndësi të madhe, që kërkon një zbatim të ngutshëm. Sot popujt e uritur i bëjnë thirrje në mënyrë dramatike popujve të kamur. Kisha tronditet përpara kësaj britme plot ankth dhe thërret secilin që t’i përgjigjet me dashuri vëllait të vet.

Udhëtimet Tona

4. Para thirrjes Sonë për pontifikatin suprem, dy udhëtime, në Amerikën Latine (1960) dhe në Afrikë (1962), na kishin vënë në kontakt të drejtpërdrejtë me problemet e thekëta, që mundojnë kontinente plot jetë dhe shpresë. Të veshur me atësinë e gjithmbarshme, gjatë udhëtimeve të reja në Tokën e Shenjtë dhe në Indi, kemi mundur të shohim me sytë tanë dhe pothuajse të prekim me dorë vështirësitë shumë të mëdha, që u dalin përpara popujve me një qytetërim të lashtë, të cilët përballen me problemin e zhvillimit. Ndërsa ende po zhvillohej në Romë Koncili II ekumenik i Vatikanit, rrethana provanore na bënë që t’i drejtohemi drejtpërdrejt Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Dhe para atij areopagu të gjerë u bëmë avokati i popujve të varfër.

Drejtësi e paqe

5. Kohët e fundit, me dëshirën që t’i përgjigjemi vendimit të Koncilit dhe ta vëmë në jetë ndihmën e Selisë së Shenjtë ndaj kësaj çështjeje të madhe të popujve në rrugën e zhvillimit, kemi menduar se bënte pjesë në detyrën Tonë krijimi pranë organizmave qendrore të Kishës i një komisioni papnor, që të kishte detyrën «të nxisë në të gjithë popullin e Hyjit njohjen e plotë të rolit, që kohët e sotme kërkojnë me ngulm prej tij, në mënyrë që të nxisë përparimin e popujve më të varfër, të favorizojë drejtësinë shoqërore mes kombeve, t’u japë atyre, që janë më pak të zhvilluar, një ndihmë të tillë që t’i bëjë të aftë të kujdesen ata vetë dhe për veten e vet për përparimin e tyre».9 «Drejtësi e paqe» është emri dhe programi i tij. Ne mendojmë se me këtë program munden dhe duhet të bashkohen, së bashku me bijtë Tanë katolikë e vëllezërit e krishterë, edhe njerëzit vullnetmirë. Ne, pra, të gjithëve ua drejtojmë sot këtë apel solemn për një veprim të harmonizuar për zhvillimin e tërësishëm të njeriut dhe zhvillimin solidar të njerëzimit.

Pjesa e parë

PËR NJË ZHVILLIM TË TËRËSISHËM
TË NJERIUT

1. Të dhënat e problemit

Aspirata të njerëzve

6. Të jenë të liruar prej mjerimit, të garantojnë në mënyrë më të sigurt jetesën e tyre, shëndetin, një punësim të qëndrueshëm; një pjesëmarrje më të plotë në përgjegjësitë, jashtë çdo shtypjeje, të mbrojtur para situatave që fyejnë dinjitetin e tyre njerëzor; të gëzojnë një arsimim më të madh; me një fjalë, të bëjnë të njohur dhe të kenë më shumë, për të qenë më shumë: kjo është aspirata e njerëzve të sotëm, ndërsa një numër i madh i tyre është i dënuar të jetojë në kushte që e bëjnë të kotë këtë dëshirë të ligjshme. Nga ana tjetër, popujt të cilët prej pak kohësh e kanë arritur pavarësinë kombëtare ndiejnë nevojën, që këtë liri politike ta ndjekë një rritje autonome dhe e denjë, shoqërore po aq sa edhe ekonomike, për t’u siguruar shtetasve të tyre zhvillimin e tyre të plotë njerëzor, dhe për të zënë vendin që u takon në tërësinë e kombeve.

Kolonizimi dhe kolonializmi

7. Përballë gjerësisë dhe ngutshmërisë së veprës që duhet përmbushur, mjetet e trashëguara prej të kaluarës, edhe pse të papërshtatshme, megjithatë nuk kanë të meta. Sigurisht, duhet ta pranojmë se fuqitë kolonizuese shpesh kanë synuar vetëm interesin e tyre, fuqinë e tyre, prestigjin e tyre, dhe se tërheqja e tyre ka lënë nganjëherë një situatë ekonomike të dobët, të lidhur për shembull me prodhimtarinë e një bime të vetme, cikli i të cilës u nënshtrohet ndryshimeve të papritura e të mëdha. Por, megjithëse duhet t’i pranojmë fajet e njëfarë kolonializmi dhe pasojat e tij negative, në të njëjtën kohë duhet t’u bëjmë nderimet tona cilësive dhe realizimeve të kolonizatorëve që, në shumë krahina të braktisura, kanë çuar shkencën dhe teknikën e tyre, duke lënë dëshmi të çmueshme të pranisë së tyre. Megjithëse të paplota, vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë disa struktura që kanë pasur funksionin e tyre, për shembull në lëmin e luftës kundër padijes dhe sëmundjes, në atë, jo më pak të dobishëm, të komunikimeve apo të përmirësimit të kushteve të jetesës.

Çekuilibër në rritje

8. Pasi e pranuam këtë, mbetet jashtëzakonisht e vërtetë se kjo pajisje është dukshëm e pamjaftueshme për t’i bërë ballë realitetit të egër të ekonomisë moderne. I lënë në duart e veta, mekanizmi i saj është i tillë që e çon botën drejt një rëndimi, dhe jo drejt një zbutjeje, të pabarazisë së niveleve të jetesës: popujt e pasur gëzojnë një rritje të shpejtë, ndërsa ritmi i zhvillimit të popujve të varfër është i ngadaltë. Shtohet çekuilibri: disa prodhojnë me tepri të mira ushqimore, mungesën e të cilave disa të tjerë e vuajnë tmerrësisht, dhe këta të fundit shohin se bëhen të pasigurta eksportimet e tyre.

Vetëdijësim më i madh

9. Në të njëjtën kohë, konfliktet shoqërore janë zgjeruar aq sa të arrijnë përmasat e botës. Shqetësimi real, që i ka pushtuar klasat e varfra në vendet në fazë industrializimi, tani po arrin ata që kanë një ekonomi gati ekskluzivisht bujqësore: edhe fshatarët po vetëdijësohen për «mjerimin e pamerituar»10 të tyre. Kësaj i shtohet skandali i pabarazive të bujshme, jo vetëm në përdorimin e të mirave, por edhe më shumë në ushtrimin e pushtetit. Ndërsa një oligarki gëzon, në disa krahina, një qytetërim të rafinuar, pjesa tjetër e popullsisë, e varfër dhe e shpërndarë, është «pothuajse pa asnjë mundësi nisme vetjake dhe përgjegjësie, dhe shpesh edhe e shtrënguar të ketë kushte jetese e pune të padenja për personin njerëzor».11

Përplasja e qytetërimeve

10. Veç kësaj përplasja mes qytetërimeve tradicionale dhe risive që ka sjellë qytetërimi industrial kanë një efekt thërrmues mbi strukturat, që nuk u përshtaten kushteve të reja. Brenda rrethit, shpesh të ngurtë, të këtyre strukturave inkuadrohej jeta vetjake dhe familjare, që gjente në to mbështetjen e vet të domosdoshme dhe pleqtë mbeten të lidhur me to, ndërsa të rinjtë priren të lirohen prej tyre, si prej një pengese të kotë, për t’u drejtuar qartë drejt formave të reja të jetës shoqërore. Ndodh kështu që konflikti i brezave të ngarkohet me një dilemë tragjike: njerëzit ose ruajnë institucionet dhe besimet stërgjyshore, por heqin dorë nga përparimi, ose u hapen teknikave dhe mënyrave të jetesës të ardhura nga jashtë, por hedhin poshtë, së bashku me traditat e të kaluarës, krejt pasurinë e vlerave njerëzore që ato përmbanin. Faktikisht, tepër shpesh ndodh që mbështetjet morale, shpirtërore e fetare të së kaluarës mungojnë, pa u siguruar ende përfshirja në botën e re.


Përfundim

11. Në këtë gjendje pështjellimi bëhet më i dhunshëm tundimi për ta lënë veten të tërhiqemi rrezikshëm drejt mesianizmash plot premtime, por krijues iluzionesh. Kush nuk i sheh rreziqet, që rrjedhin nga kjo, si: reagime të dhunshme popullore, trazira kryengritëse dhe shkarje drejt ideologjive totalitare? Këto janë të dhënat e problemit, rëndësisë së të cilit nuk mund t’i shmanget askush.



2. Kisha dhe zhvillimi
Vepra e misionarëve

12. Besnike ndaj mësimit dhe shembullit të Themeluesit të vet hyjnor, që e caktonte «shpalljen e Ungjillit skamnorëve» (krh. Lk 7, 22) si shenjë të misionit të Vet, Kisha nuk e ka lënë kurrë pa nxitur ngritjen njerëzore të popujve të cilëve u çonte fenë në Krishtin. Misionarët e saj, bashkë me kisha, qendra shërbimi dhe spitale, kanë ndërtuar edhe shkolla e universitete. Duke u mësuar vendasve mënyrën për të nxjerrë një përfitim më të mirë prej burimeve të tyre natyrore, shpesh i kanë mbrojtur prej grykësisë së të huajve. Pa dyshim vepra e tyre, për shkak të asaj që në të është njerëzore dhe e gabueshme, nuk qe e përsosur, dhe ndodhi që disa prej tyre të përzienin bashkë me kumtimin e mesazhit të përnjëmendtë ungjillor shumë mënyra të menduari dhe të jetuari të vendit të tyre të origjinës. Por ditën edhe të zhvillonin institucionet vendore dhe t’i nxisnin ato. Në shumë krahina, ata kanë qenë pionierët e përparimit material, ashtu si edhe të zhvillimit kulturor. Mjafton të kujtojmë shembullin e atë Charles de Foucauld, që, për dashurinë e tij, u gjykua i denjë të quhej «vëllai i gjithmbarshëm», dhe të cilit i detyrohet hartimi i një fjalori të çmuar të gjuhës tuarege. Është detyra Jonë t’i nderojmë këta pararendës tepër shpesh të lënë pas dore, njerëz të shtyrë prej dashurisë së Krishtit, ashtu si edhe ndjekësit e pasardhësit e tyre, që, edhe sot, vazhdojnë të jenë në shërbim të atyre që ungjillëzojnë.

Kisha dhe bota

13. Por tashmë nismat vendore dhe individuale nuk mjaftojnë më. Situata aktuale e botës kërkon një veprim të përbashkët në bazë të një vizioni të qartë të të gjitha aspekteve ekonomike, shoqërore, kulturore e shpirtërore. Eksperte në njerëzi, Kisha, pa pretenduar aspak të përzihet në politikën e shteteve, «nuk ka si synim përveçse një qëllim të vetëm: të vazhdojë, nën shtytjen e Shpirtit ngushëllues, veprën e Krishtit, i cili ka ardhur në botë për të dëshmuar të vërtetën (krh. Gjn 18, 37), për të shpëtuar, jo për të dënuar, për të shërbyer, jo për të qenë i shërbyer (krh. Gjn 3, 17; Mt 20, 28; Mk 10, 45)».12 E themeluar për të hedhur që këtu në tokë bazat e mbretërisë së qiellit dhe jo për të fituar një pushtet tokësor, ajo pohon qartësisht se dy sundimet dallojnë nga njëri-tjetri, ashtu sikurse janë sovrane dy pushtetet, ai kishtar dhe ai civil, secili në rendin e vet.13 Por, meqë ekziston në histori, ajo duhet «të shqyrtojë shenjat e kohëve dhe t’i interpretojë ato në dritën e Ungjillit».14 Në bashkësi me aspiratat më të mira të njerëzve dhe duke vuajtur tek i sheh ato të paplotësuara, ajo dëshiron t’i ndihmojë që të arrijnë lulëzimin e tyre të plotë, dhe për këtë qëllim u ofron atyre atë që zotëron vetë: një vizion global të njeriut dhe të njerëzimit.

Vizioni i krishterë i zhvillimit

14. Zhvillimi nuk kufizohet thjesht vetëm me rritjen ekonomike. Për të qenë një zhvillim i përnjëmendtë, duhet të jetë i tërësishëm, gjë që do të thotë se duhet t’i drejtohet nxitjes së çdo njeriu dhe të krejt njeriut. Siç është theksuar me të drejtë prej një eksperti të shquar: «ne nuk pranojmë ta ndajmë ekonomiken nga njerëzorja, zhvillimin nga qytetërimi ku ky i fundit realizohet. Ai që ka rëndësi për ne është njeriu, çdo njeri, çdo grup njerëzish, deri tek përfshirja e mbarë njerëzimit».15

Thirrja dhe rritja

15. Në planin e Hyjit, çdo njeri është i thirrur për një zhvillim, sepse çdo jetë është thirrje. Që prej lindjes, të gjithëve u është dhënë si farë një tërësi prirjesh dhe cilësish, që duhet t’i frytëzojë. Zhvillimi i tyre i plotë, njëkohësisht fryt i edukimit të marrë prej mjedisit dhe i përpjekjes vetjake, do t’i mundësojë secilit të orientohet drejt fatit të propozuar prej Krijuesit të vet. I pajisur me zgjuarsi dhe liri, ai është përgjegjës për rritjen e vet, ashtu si edhe për shpëtimin e vet. I ndihmuar, dhe nganjëherë i penguar, nga ata që e edukojnë dhe e rrethojnë, secili mbetet, cilatdo qofshin ndikimet që ushtrohen mbi të, autori i arritjes apo i dështimit të vet: vetëm me përpjekjen e zgjuarsisë dhe të vullnetit të vet, çdo njeri mund të rritet në njerëzi, të vlejë më shumë, të jetë më shumë.

Detyrë vetjake dhe bashkësiore

16. Gjithashtu, kjo rritje e personit nuk është fakultative. Ashtu sikurse krejt krijimi me rend orientohet drejt Krijuesit të vet, krijesa shpirtërore duhet ta orientojë në mënyrë të vetvetishme jetën e vet drejt Hyjit, e vërteta e parë dhe e mira supreme. Kështu rritja njerëzore përbën një si përmbledhje të detyrave tona. Por ka edhe më shumë: kjo harmoni e natyrës, e pasuruar prej punës vetjake dhe të përgjegjshme, është e thirrur për një tejkalim. Nëpërmjet përfshirjes së vet në Krishtin jetëdhënës, njeriu hyn në një përmasë të re, në një humanizëm transhendent, që i jep plotësinë e tij më të madhe: ky është pikësynimi suprem i zhvillimit vetjak.

17. Por çdo njeri është anëtar i shoqërisë: i takon tërë njerëzimit. Jo vetëm ky apo ai njeri, por të gjithë njerëzit janë të thirrur në këtë zhvillim të plotë. Qytetërimet lindin, rriten dhe vdesin. Por sikurse valët e baticës depërtojnë secila pak më thellë në ranishte, ashtu edhe njerëzimi ecën përpara në rrugën e historisë. Trashëgimtarë të brezave të kaluar dhe dobimarrës të punës së bashkëkohësve tanë, ne kemi disa detyrime kundrejt të gjithëve dhe nuk mund të mos interesohemi për ata që do të vijnë pas nesh për ta zgjeruar rrethin e familjes njerëzore. Solidariteti i gjithmbarshëm, që është një fakt, për ne është jo vetëm dobi, por edhe detyrë.

Shkalla e vlerave

18. Kjo rritje vetjake dhe bashkësiore do të vihej në rrezik nëse do të dëmtohej shkalla e vërtetë e vlerave. Dëshira për të nevojshmen është e ligjshme dhe puna për ta arritur atë është një detyrë: «Kush nuk do të punojë, as mos të hajë» (2 Sel 3, 10). Por fitimi i të mirave tokësore mund të na çojë në lakmi, në dëshirën për të pasur gjithnjë e më shumë dhe në tundimin për ta rritur fuqinë tonë. Koprracia e njerëzve, e familjeve dhe e kombeve mund t’i infektojë të varfrit, ashtu si edhe të pasurit dhe të nxisë në njërën palë e në tjetrën një materializëm që ia merr frymën shpirtit.

Rritje e dyvlershme

19. Pra, si për popujt, ashtu edhe për personat, të kenë më shumë nuk është qëllimi i fundit. Çdo rritje është e dyvlershme. Edhe pse është e nevojshme, meqë i mundëson njeriut të jetë më shumë njeri, ajo e mbyll si në një burg, kur bëhet e mira supreme, që e pengon atë të shohë më tej. Atëherë zemrat ngurtësohen dhe shpirtrat mbyllen, njerëzit nuk takohen më për miqësi, por të shtyrë prej interesit, i cili me lehtësi i vë kundër njëri-tjetrit dhe i përçan ata. Kërkimi ekskluziv i të pasurit bëhet në këtë mënyrë një pengesë për rritjen e të qenët dhe i kundërvihet madhështisë së tij të vërtetë: për kombet, ashtu si edhe për personat, koprracia është forma më e dukshme e nënzhvillimit moral.

Drejt një gjendjeje më njerëzore

20. Nëse arritja e zhvillimit kërkon një numër gjithnjë e më të madh teknikësh, kërkon edhe më shumë njerëz mendimtarë të aftë për një reflektim të thellë, që i kushtohen kërkimit të një «humanizmi» të ri, që i mundëson njeriut modern të gjejë vetveten, duke marrë përsipër vlerat më të larta të dashurisë, të miqësisë, të lutjes e të soditjes.16 Në këtë mënyrë mund të kryhet në plotësi zhvillimi i vërtetë, që për secilin dhe për të gjithë, është kalimi nga një gjendje më pak njerëzore në një gjendje më njerëzore.

Ideali që duhet ndjekur

21. Më pak njerëzore: mangësitë materiale të atyre që janë të privuar prej minimumit jetësor, dhe mangësitë morale të atyre që janë të sakatuar prej egoizmit. Më pak njerëzore: strukturat shtypëse, qoftë kur burojnë prej abuzimeve të zotërimit, qoftë prej atyre të pushtetit, qoftë prej shfrytëzimit të punëtorëve, qoftë prej padrejtësisë së ujdive. Më njerëzore: ngjitja prej mjerimit drejt zotërimit të të nevojshmes, fitorja mbi fatkeqësitë shoqërore, zgjerimi i njohurive, fitimi i kulturës. Më njerëzore, po ashtu: përfillja e rritur e dinjitetit të të tjerëve, orientimi drejt shpirtit të varfërisë (krh. Mt 5, 3), bashkëveprimi në të mirën e përbashkët, vullneti për paqe. Më njerëzore, përsëri: njohja nga ana e njeriut e vlerave shumë të larta dhe e Hyjit që është burimi dhe caku i tyre. Më njerëzore, së fundi dhe mbi të gjitha: besimi, dhuratë e Hyjit e pranuar prej vullnetit të mirë të njeriut dhe njësia në dashurinë e Krishtit, që na thërret të gjithëve për të marrë pjesë në cilësinë e bijve në jetën e Hyjit të gjallë, Atit të të gjithë njerëzve.


3. Vepra që duhet përmbushur

Adresimi i gjithmbarshëm i të mirave

22. «Mbusheni tokën dhe sundojeni atë» (Zan 1, 28): Bibla, që nga faqja e parë, na mëson se mbarë krijimi është për njeriun, të cilit i përcillet detyra të vërë në jetë përpjekjen e vet të zgjuar duke i dhënë vlerë këtij krijimi dhe, me punën e vet, ta çojë atë në plotësi, si të thuash, duke e vënë në shërbim të tij. Nëse toka është bërë për t’i dhënë secilit mjetet e jetesës së vet dhe mjetet e përparimit të vet, çdo njeri ka të drejtën të gjejë në këtë tokë atë që është e nevojshme për të. Koncili i fundit na ka kujtuar: «Hyji e ka adresuar tokën dhe gjithçka ajo përmban për përdorimin e të gjithë njerëzve dhe të të gjithë popujve, kështu që të mirat e krijimit duhet të dikohen me drejtësi në duart e të gjithëve, sipas rregullës së drejtësisë, që është e pandashme nga dashuria».17 Të gjitha të drejtat e tjera, të çfarëdo lloji, përfshirë edhe ato të pronësisë dhe të tregtisë së lirë, i nënshtrohen asaj: pra, nuk duhet ta pengojnë, por, përkundrazi, ta lehtësojnë realizimin e saj dhe është një detyrë shoqërore e rëndësishme dhe e ngutshme kthimi i tyre në pikësynimin zanafillor.

Prona

23. «Kush i ka të mirat e kësaj bote dhe e sheh vëllain e vet në ngushticë dhe e mbyll zemrën e vet para tij – në ç’mënyrë dashuria e Hyjit qëndron në të?» (1 Gjn 3, 17). Dihet se me sa vendosmëri Etërit e Kishës e kanë saktësuar se cili duhet të jetë qëndrimi i zotëruesve në lidhje me ata që janë nevojtarë: «Ti nuk i dhuron të varfrit, pohon shën Ambrozi, prej pasurisë sate; ti nuk bën gjë tjetër veçse i kthen atij atë që i përket. Pasi është dhënë për përdorimin e përbashkët të të gjithëve ajo që ti përvetëson. Toka u është dhënë të gjithëve, dhe jo vetëm të pasurve».18 Është sikur të thuash se prona private nuk përbën për askënd një të drejtë të pakushtëzuar dhe absolute. Askush nuk është i autorizuar të vërë mënjanë për përdorimin e vet eskluziv të asaj që tejkalon nevojën e vet, kur të tjerëve u mungon e nevojshmja. Me një fjalë, «e drejta e pronës kurrë nuk duhet të ushtrohet në dëm të dobishmërisë së përbashkët, sipas doktrinës tradicionale të Etërve të Kishës dhe të teologëve të mëdhenj». Kur ndodh një konflikt «mes të drejtave private të fituara dhe kërkesave bashkësiore zanafillëse», u përket pushteteve publike «të orvaten për ta zgjidhur, me pjesëmarrjen vepruese të personave dhe të grupeve shoqërore».19


Përdorimi i të ardhurave

24. E mira e përbashkët, pra, kërkon nganjëherë shpronësimin nëse, për shkak të përmasave të tyre, të shfrytëzimit të paktë apo të mosshfrytëzimit të tyre, të mjerimit që sjell për popullsitë, të dëmit të ndjeshëm që u shkakton interesave të vendit, disa zotërime janë pengesë për begatinë kolektive. Duke e pohuar këtë në mënyrë të prerë,20 Koncili ka kujtuar jo me më pak qartësi edhe se e ardhura e disponueshme nuk u lihet tekave të njerëzve, dhe se spekullimet egoiste duhet të zhduken. Si pasojë, nuk është e pranueshme që disa shtetas me të ardhura të bollshme, që vijnë prej burimeve dhe prej veprimtarisë kombëtare, ta transferojnë një pjesë të konsiderueshme të tyre jashtë vendit, për një dobi ekskluzivisht vetjake, duke mos marrë aspak parasysh padrejtësinë që duket sheshit, që ata i bëjnë me këtë atdheut të tyre.21

Industrializimi


25. E nevojshme për rritjen ekonomike dhe për përparimin njerëzor, futja e industrisë është njëkohësisht shenjë dhe faktor zhvillimi. Nëpërmjet përdorimit këmbëngulës të inteligjencës dhe punës së vet, njeriu ia nxjerr pak nga pak natyrës fshehtësitë e saj, duke favorizuar një përdorim më të mirë të pasurive të saj. Ndërsa u jep një disiplinë zakoneve të veta, ai zhvillon po ashtu në vetvete shijen e kërkimit dhe të shpikjes, pranimin e rrezikut të llogaritur, guximin e të ndërmarrurit, nismën bujare, ndjenjën e përgjegjësisë.

Kapitalizmi liberal

26. Por mbi këto kushte të reja të shoqërisë mjerisht është vendosur një sistem, që e konsideronte përfitimin si motorin thelbësor të përparimit ekonomik, konkurrencën si ligjin suprem të ekonomisë, pronën private të mjeteve të prodhimit si një të drejtë absolute, pa kufij e pa detyrime përkatëse shoqërore. Ky «liberalizëm» pa fre çonte në diktaturë, me të drejtë të denoncuar nga Piu XI si krijuese e «imperializmit ndërkombëtar të parasë».22 Kurrë nuk do të dënohen mjaftueshëm këto abuzime, duke kujtuar edhe një herë solemnisht se ekonomia është në shërbim të njeriut.23 Por nëse është e vërtetë se njëfarë «kapitalizmi» ka qenë burimi i shumë vuajtjeve, i kaq shumë padrejtësive dhe i luftërave vëllavrasëse, efektet e të cilave vazhdojnë edhe sot, do të ishte e gabuar t’ia vishnim industrializimit ato të këqija, që shkaktohen prej sistemit të kobshëm që e shoqëronte atë. Përkundrazi, për hir të drejtësisë, duhet ta pranojmë ndihmesën e pazëvendësueshme të organizimit të punës dhe të përparimit industrial ndaj veprës së zhvillimit.

Puna dhe dyvlershmëria e saj

27. Po ashtu, nëse është e vërtetë se nganjëherë mund të përhapet një mistikë e tepruar e punës, nuk është më pak e vërtetë se puna dëshirohet dhe bekohet prej Hyjit. I krijuar në shëmbëlltyrë të Tij, «njeriu duhet të bashkëpunojë me Krijuesin në përmbushjen e krijimit, dhe të lërë në tokë vulën shpirtërore që i është dhënë».24 Hyji, që e ka pajisur njeriun me zgjuarsi, me imagjinatë dhe ndjeshmëri, i ka dhënë në këtë mënyrë mjetin për ta përmbushur në njëfarë mënyre veprën e Vet: qoftë ai artist apo zejtar, sipërmarrës, punëtor në fabrikë apo fshatar, çdo punëtor është një krijues. I përkulur mbi një lëndë që i reziston, punëtori i vë shenjën e vet, duke zhvilluar në të njëjtën kohë këmbënguljen e vet, zgjuarsinë e vet dhe shpirtin e vet shpikës. Do të themi edhe më shumë: kur jetohet bashkarisht, duke bashkëndarë shpresat, vuajtjet, ambiciet dhe gëzimet, puna i lidh vullnetet, i afron shpirtrat dhe i bashkon zemrat: duke e kryer atë, njerëzit zbulojnë se janë vëllezër.25

28. Pa dyshim e dyvlershme, pasi premton paratë, gëzimin dhe fuqinë, duke i ftuar disa në egoizëm dhe të tjerët në kryengritje, puna zhvillon edhe ndërgjegjen profesionale, ndjenjën e detyrës dhe dashurinë për të afërmin. Kur është më shkencore dhe e organizuar më mirë, ajo rrezikon ta çnjerëzojë zbatuesin e saj, të bërë skllav të saj, sepse puna është njerëzore vetëm nëse mbetet inteligjente dhe e lirë. Gjoni XXIII ka kujtuar ngutshmërinë për t’i kthyer punëtorit dinjitetin e vet, duke e bërë të marrë pjesë realisht në veprën e përbashkët: «Duhet të priremi të bëjmë të mundur që ndërmarrja të bëhet një bashkësi personash, në funksionet dhe në situatën e të gjithë përbërësve të saj».26 Pastaj, mundi i njerëzve për të krishterin ka një domethënie shumë më të madhe, pasi ai ka edhe misionin të bashkëpunojë për krijimin e botës mbinatyrore,27 që mbetet e pakryer deri sa të arrijmë të gjithë së bashku të ndërtojmë atë Njeri të përsosur për të cilin flet Shën Pali, «që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit» (Ef 4, 13).

Ngutshmëria e veprës që duhet përmbushur

29. Duhet të shpejtojmë: shumë njerëz vuajnë dhe rritet distanca që ndan përparimin e disave dhe vendqëndrimin, nëse jo prapavajtjen, e disa të tjerëve. Po ashtu, nevojitet, që vepra, e cila duhet të përmbushet, të përparojë në mënyrë harmonike, përndryshe ndodh prishja e ekuilibrave të domosdoshëm. Një reformë agrare e bërë aty për aty mund të dështojë në qëllimin e vet. Një industrializim i nxituar mund të shkatërrojë struktura ende të nevojshme dhe të krijojë mjerime shoqërore, që do të përbënin një hap prapa nga këndvështrimi i vlerave njerëzore.

Tundimi i dhunës

30. Sigurisht ka situata padrejtësia e të cilave klith drejt qiellit. Kur popullsi të tëra, të cilave u mungon e nevojshmja, jetojnë në një gjendje varësie të tillë sa u pengohet çfarëdo nisme dhe përgjegjësie, si edhe çdo mundësi nxitjeje kulturore dhe pjesëmarrjeje në jetën shoqërore e politike, i madh është tundimi për t’i sprapsur me dhunë të tilla fyerje, që i bëhen dinjitetit njerëzor.

Revolucioni

31. E megjithatë e dimë se kryengritja revolucionare – përveç rastit të një tiranie të dukshme e të zgjatur, që i rrezikon rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe e dëmton në mënyrë të rrezikshme të mirën e përbashkët të vendit – është burim padrejtësish të reja, sjell çekuilibra të rinj dhe shkakton rrënime të reja. Nuk mund të luftohet një e keqe reale duke e paguar atë me një të keqe edhe më të madhe.

Reforma

32. Por dëshirojmë që mendimi Ynë të kuptohet drejt: situata e tashme duhet të trajtohet me guxim dhe padrejtësitë, që ajo shkakton, të luftohen e të mposhten. Zhvillimi kërkon shndërrime të guximshme, thellësisht novatore. Duhet të ndërmerren pa vonesë reforma të ngutshme. I përket secilit, me bujari, të marrë përsipër pjesën e vet, sidomos atyre që për arsye të edukimit, të situatës dhe të pushtetit të tyre kanë mundësi të mëdha veprimi. Duke paguar personalisht në mënyrë shembullore, ata nuk duhet të ngurrojnë për të ndikuar në atë që është e tyrja, siç kanë bërë disa prej vëllezërve Tanë në Episkopat.28 Në këtë mënyrë do t’i përgjigjen pritjes së njerëzve dhe do të jenë besnikë ndaj Shpirtit të Hyjit: meqë është «tharmi ungjillor ai që ka nxitur dhe nxit në zemrën njerëzore një kërkesë të pandalshme për dinjitet».29

Programet dhe planifikimi në shërbim të njeriut

33. Vetëm nisma individuale dhe loja e thjeshtë e konkurrencës nuk mund të sigurojnë arritjen e zhvillimit. Nuk duhet të rrezikojmë ta rrisim edhe më shumë pasurinë e të pasurve dhe fuqinë e të fortëve, duke përforcuar mjerimin e të varfërve dhe duke e bërë më të rëndë nënshtrimin e të shtypurve. Pra, janë të nevojshme programe «për të nxitur, për të stimoluar, për të bashkërenditur, për të zëvendësuar dhe për të integruar»30 veprimin e individëve dhe të trupave të ndërmjetëm. U takon pushteteve publike të zgjedhin, ose edhe të diktojnë, objektivat që duhen ndjekur, pikësynimet që duhen mbërritur, mjetet për t’i arritur; u takon atyre të stimulojnë të gjitha forcat e organizuara në këtë veprim të përbashkët. Por duhet të kenë kujdes që t’i bashkojnë në këtë vepër edhe nismat e privatëve dhe trupat e ndërmjetëm, duke shmangur në këtë mënyrë rrezikun e një kolektivizimi të tërësishëm ose të një planifikimi arbitrar, që, duke qenë mohues të lirisë, do të përjashtonin ushtrimin e të drejtave themelore të personit njerëzor.


34. Meqenëse çdo program, i përpunuar për të shtuar prodhimin, në fund të fundit nuk ka arsye tjetër ekzistence përveçse t’i shërbejë personit. Funksioni i tij është të pakësojë pabarazitë, të luftojë diskriminimet, ta lirojë njeriun prej robërive të tij, ta bëjë të aftë që të bëhet ai vetë një aktor i përgjegjshëm i përmirësimit të vet material, i përparimit të vet moral, i zhvillimit të plotë të fatit të vet shpirtëror. Të thuash zhvillim, në të vërtetë, do të thotë të thuash diçka që ka të bëjë si me përparimin shoqëror, ashtu edhe me rritjen ekonomike. Nuk mjafton të shtojmë pasurinë e përbashkët, që të ndahet me drejtësi, nuk mjafton të nxisim teknikën, që toka të bëhet më njerëzore për t’u banuar. Ata që janë në rrugën e zhvillimit duhet të mësojnë prej gabimeve të atyre që e kanë provuar më parë këtë rrugë, cilat janë rreziqet që duhet të shmangen në këtë fushë. Teknokracia e nesërme mund të jetë burim i të këqijave jo më pak të frikshme se ato të liberalizmit të djeshëm. Ekonomia dhe teknika nuk kanë kuptim përveçse në marrëdhënie me njeriun të cilit ato duhet t’i shërbejnë. Dhe njeriu nuk është vërtet njeri përveçse në masën në të cilën, duke qenë zot i veprimeve të veta dhe gjykues i vlerës së tyre, ai vetë bëhet autor i përparimit të vet, në përputhje me natyrën, që i ka dhënë Krijuesi i vet dhe mundësitë e kërkesat e së cilës ai i merr përsipër lirisht.


Alfabetizimi

35. Mund të pohohet se rritja ekonomike është e lidhur para së gjithash me përparimin shoqëror, që ajo është në gjendje të ngjallë, dhe se edukimi bazë është pikësynimi i parë i një plani zhvillimi. Uria për arsimim në realitet nuk është më pak e trishtueshme, sesa uria për ushqim: një analfabet është një shpirt i kequshqyer. Të dish të lexosh e të shkruash, të marrësh një formim profesional do të thotë të rifitosh besimin në vetvete dhe të zbulosh se mund të përparosh së bashku me të tjerët. Siç thonim në mesazhin tonë në Kongresin e UNESCO-s (1965) në Teheran, alfabetizimi është për njeriun «një faktor zanafillës i integrimit shoqëror, ashtu si edhe i pasurimit vetjak, dhe për shoqërinë një mjet i privilegjuar i përparimit ekonomik dhe i zhvillimit».31 Duam edhe të gëzohemi për punën e mirë të bërë në këtë fushë prej nismave private, pushteteve publike dhe organizatave ndërkombëtare: janë autorët e parë të zhvillimit, sepse synojnë ta bëjnë njeriun të aftë për t’u bërë ai vetë protagonist.

Familja

36. Por njeriu nuk është vetvetja përveçse në mjedisin e tij shoqëror, në të cilin familja luan një rol zanafillës. Rol që, sipas kohëve dhe vendeve, ka mundur të jetë edhe i tepërt, kur është ushtruar në dëm të lirive themelore të njeriut. Strukturat e vjetra shoqërore të vendeve në rrugën e zhvillimit, edhe pse shpesh janë tepër të ngurta dhe të organizuara keq, megjithatë janë ende të nevojshme për njëfarë kohe, megjithëse në një proces ngadalësimi shkallë-shkallë të sundimit të tyre të tepruar. Por familja natyrore, monogamike dhe e qëndrueshme, siç është konceptuar në planin hyjnor (krh. Mt 19, 6) dhe e shenjtëruar prej krishterimit, duhet të mbetet «vendi i takimit të shumë brezave, që e ndihmojnë njëri-tjetrin për të fituar një urti më të madhe dhe për të harmonizuar të drejtat e personave me kërkesa të tjera të jetës shoqërore».32

Demografia

37. Është e vërtetë se tepër shpesh rritja demografike e përshpejtuar u shton vështirësi të reja problemeve të zhvillimit: vëllimi i popullsisë rritet më shpejt, sesa burimet e disponueshme dhe në dukje gjendemi të mbërthyer në një rrugicë qorre. Prandaj, është i madh tundimi për ta ndaluar rritjen demografike nëpërmjet masave rrënjësore. Është e qartë se pushtetet publike, në fushën e kompetencës së tyre, mund të ndërhyjnë, nëpërmjet përhapjes së një informacioni të përshtatshëm dhe marrjes së masave të duhura, mjafton që të jenë në përputhje me kërkesat e ligjit moral dhe në respektim të lirisë së drejtë të çiftit; sepse e drejta për martesë dhe për lindjen e fëmijëve është një e drejtë e patjetërsueshme, pa të cilën nuk ekziston dinjiteti njerëzor. Në instancë të fundit, u përket prindërve që, me dijeni të plotë, të vendosin mbi numrin e fëmijëve të tyre, duke marrë përgjegjësitë e tyre para Hyjit, para vetvetes, para fëmijëve që kanë nxjerrë në dritë më parë, dhe para bashkësisë së cilës i përkasin, duke ndjekur udhëzimet e ndërgjegjes së tyre të ndriçuar prej ligjit të Hyjit, të interpretuar në mënyrë të përnjëmendtë, dhe të mbështetur prej besimit në të.33

Organizatat profesionale

38. Në veprën e zhvillimit, njeriu, që gjen në familje mjedisin zanafillës për jetën e vet, ndihmohet shpesh prej organizatave profesionale. Edhe pse arsyeja e ekzistencës së tyre është të nxisin interesat e anëtarëve të tyre, përgjegjësia e tyre është e madhe në lidhje me funksionin edukativ, që ato në të njëjtën kohë mund dhe duhet të kryejnë. Nëpërmjet informacionit që japin, formimit që ofrojnë, ato mund të bëjnë shumë për t’u dhënë të gjithëve ndjenjën e të mirës së përbashkët dhe të detyrimeve, që ajo sjell për secilin.

Pluralizëm i ligjshëm

39. Çdo veprim shoqëror përmban një doktrinë. I krishteri nuk mund ta pranojë atë që supozon një filozofi materialiste dhe ateiste, që nuk respekton as orientimin fetar të jetës drejt qëllimit të saj të fundit, as lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Por, me kusht që të mbrohen këto vlera, një pluralizëm organizatash profesionale e sindikaliste është i pranueshëm dhe, nga disa këndvështrime, i dobishëm, nëse shërben për të mbrojtur lirinë dhe për të nxitur emulacionin. Dhe nga zemra Ne i nderojmë të gjithë ata që punojnë në to në një shërbim të painteres ndaj vëllezërve.

Formimi kulturor

40. Përveç organizatave profesionale, janë po ashtu në veprim edhe institucionet kulturore, roli i të cilave nuk ka peshë më të vogël për arritjen e zhvillimit. «E ardhmja e botës do të ishte në rrezik – pohon seriozisht Koncili – nëse epoka jonë nuk do të dinte të nxirrte prej gjirit të vet njerëz të pajisur me urti». Dhe shton: «Shumë vende ekonomikisht të varfra, por të pasura me urti, do të mund t’u japin një ndihmë të fuqishme të tjerëve në këtë pikë».34 I pasur apo i varfër, çdo vend ka një qytetërim të vetin të trashëguar nga brezat e kaluar: institucione që nevojiten për zhvillimin e jetës tokësore dhe shfaqje më të larta – artistike, intelektuale e fetare – të jetës shpirtërore. Kur këto të fundit përmbajnë vlera me të vërtetë njerëzore, do të ishte një gabim i madh po të humbisnin për shkak të të parave. Një popull që do ta lejonte këtë, do të humbiste gjënë më të mirë të vetvetes: për të jetuar do të humbiste arsyet e veta të jetës. Paralajmërimi i Krishtit vlen edhe për popujt: «Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën?» (Mt 16, 26).

Tundimi materialistik

41. Popujt e varfër nuk do të ruhen kurrë sa duhet nga ky tundim, që u vjen atyre prej popujve të pasur, të cilët tepër shpesh, së bashku me shembullin e arritjes së tyre në fushën e kulturës dhe të qytetërimit teknik, u ofrojnë edhe një model veprimtarie të prirur kryesisht nga arritja e begatisë materiale. Jo se kjo e fundit përbën në vetvete një pengesë ndaj veprimtarisë së shpirtit, i cili madje, kur në këtë mënyrë bëhet «më pak skllav i gjërave, me lehtësi mund të lartësohet në adhurimin dhe në soditjen e Krijuesit».35 Megjithatë, «qytetërimi modern, sigurisht jo për natyrën e vet të brendshme, por sepse gjendet tej mase i përfshirë në realitetet tokësore, shpesh mund ta bëjë më të vështirë afrimin me Hyjin».36 Për arsye se u parashtrohet atyre, popujt në rrugën e zhvillimit duhet pra, të dinë të bëjnë një zgjedhje: t’i kritikojnë dhe t’i zhdukin të mirat e rreme, që do të sillnin një ulje të idealit njerëzor, t’i pranojnë vlerat e shëndosha e të dobishme për t’i zhvilluar ato, së bashku me të tyret, sipas shpirtit të tyre të veçantë.

Përfundim

Drejt një humanizmi të përgjithshëm

42. Është një humanizëm i përgjithshëm që duhet të nxitet.37 Çfarë do të thotë kjo, nëse mos zhvillimi i krejt njeriut dhe i të gjithë njerëzve? Një humanizëm i mbyllur, i pandjeshëm ndaj vlerave të shpirtit dhe ndaj Hyjit që është burimi i tyre, në dukje mund të ketë mundësi më të mëdha për të ngadhënjyer. Pa dyshim njeriu mund ta organizojë tokën pa Hyjin, por «në fund, pa Hyjin ai nuk mund veçse ta organizojë kundër njeriut. Humanizmi ekskluziv është një humanizëm çnjerëzor».38 Pra, nuk ka një humanizëm të vërtetë nëse nuk është i hapur ndaj Absolutit, në pranimin e një thirrjeje, që jep idenë e vërtetë të jetës njerëzore. Meqë nuk është norma e fundit e vlerave, njeriu nuk e realizon vetveten ndryshe përveçse duke e tejkaluar vetveten. Sipas shprehjes aq të drejtë të Paskalit: «Njeriu e tejkalon pafundësisht njeriun».39

Pjesa e dytë

DREJT ZHVILLIMIT SOLIDAR
TË NJERËZIMIT

43. Zhvillimi i tërësishëm i njeriut nuk mund të bëhet pa zhvillimin solidar të njerëzimit. Siç thamë në Bombej: «Njeriu duhet të takojë njeriun, kombet duhet të takohen si vëllezër e motra, si fëmijë të Hyjit. Në këtë mirëkuptim dhe miqësi të ndërsjellë, në këtë bashkësi të shenjtë, ne po ashtu duhet të fillojmë të punojmë së bashku për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të njerëzimit».40 Dhe po ashtu sugjeruam kërkimin e mjeteve konkrete dhe praktike të organizimit dhe të bashkëveprimit, që t’i bëjmë të përbashkëta burimet e disponueshme dhe kështu të realizojmë një bashkësi të vërtetë mes të gjitha kombeve.

Vëllazëria e popujve

44. Kjo detyrë u përket në rend të parë më të favorizuarve. Detyrimet e tyre janë të rrënjosura në vëllazërinë njerëzore e mbinatyrore dhe paraqiten në një aspekt të trefishtë: detyra e solidaritetit, pra ndihma që kombet e pasura duhet t’u japin vendeve në rrugën e zhvillimit; detyra e drejtësisë shoqërore, domethënë rivendosja në mënyrë më korrekte e marrëdhënieve tregtare mes popujve të fortë e popujve të dobët; detyra e dashurisë së gjithmbarshme, domethënë nxitja e një bote më njerëzore për të gjithë, një botë në të cilën të gjithë të kenë diçka për të dhënë e për të marrë, pa ndodhur që përparimi i disave të përbëjë një pengesë për zhvillimin e të tjerëve. Ky problem është i rëndësishëm, sepse prej zgjidhjes së tij varet e ardhmja e qytetërimit botëror.


1. Shërbimi ndaj të dobtëve
Lufta kundër urisë, sot dhe nesër

45. «Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?!» (Jak 2, 15-16). Sot, askush nuk mund të mos e përfillë: në kontinente të tëra, të panumërt janë burrat dhe gratë e munduar prej urisë, të panumërt janë fëmijët e kequshqyer, deri në atë pikë sa shumë prej tyre vdesin në moshë të njomë, sa rritja fizike dhe zhvillimi mendor i shumë të tjerëve mbeten të dëmtuar, sa krahina të tëra për këtë arsye janë të dënuara me ligështimin më të thellë.

46. Apele plot ankth kanë kumbuar tashmë. Ai i Gjonit XXIII është pritur ngrohtësisht.41 Ne vetë e kemi përsëritur në mesazhin tonë të Krishtlindjes 1963,42 e pastaj përsëri në dobi të Indisë në vitin 1966.43 Fushata kundër urisë, e filluar nga Organizata ndërkombëtare për ushqimin dhe bujqësinë (FAO) dhe e nxitur prej Selisë së Shenjtë, është pranuar me bujari. “Karitasi ndërkombëtar” i ynë vepron kudo dhe shumë katolikë, me nxitjen e vëllezërve Tanë në Episkopat, japin, dhe shkrihen edhe personalisht pa rezerva, për të ndihmuar ata që kanë nevojë, duke e zgjeruar shkallë-shkallë rrethin e atyre, që e pranojnë si të afërmin e tyre.


47. Por e gjithë kjo nuk mund të mjaftojë, siç nuk mund të mjaftojnë investimet private e publike të realizuara, dhurimet dhe kreditë e dhëna. Nuk bëhet fjalë vetëm për të mposhtur urinë dhe as për të përzënë varfërinë. Lufta kundër mjerimit, megjithëse e ngutshme dhe e nevojshme, është e pamjaftueshme. Bëhet fjalë për të ndërtuar një botë, në të cilën çdo njeri, pa përjashtim race, besimi, kombësie, mund të jetojë një jetë plotësisht njerëzore, të liruar prej robërive që i vijnë prej njerëzve dhe prej një natyre jo mjaft të sunduar; një botë ku liria nuk është një fjalë e kotë dhe ku Lazri i shkretë mund të ulet në të njëjtën sofër me të pasurin (krh. Lk 16, 19-31). Kjo kërkon prej këtij të fundit shumë bujari, shumë flijime dhe një përpjekje të pareshtur. Secili të shqyrtojë ndërgjegjen e vet, që ka një zë të ri për epokën tonë. A është ai i gatshëm t’i mbështesë me paratë e veta veprat dhe misionet e organizuara në dobi të më të varfërve? Të durojë taksa më të mëdha në mënyrë që pushtetet publike të jenë në gjendje ta shtojnë përpjekjen e tyre për zhvillim? T’i paguajë më shtrenjtë prodhimet e importuara, që fitimi i prodhuesit të jetë i drejtë? Të lërë, kur të jetë e nevojshme, vendin e vet, nëse është i ri, që të ndihmojë në rritjen e kombeve të reja?

Detyra e solidaritetit

48. Detyra e solidaritetit, që ka vlerë për personat, vlen edhe për popujt: «Kombet e zhvilluara kanë detyrën shumë të ngutshme që t’i ndihmojnë kombet në rrugën e zhvillimit».44 Duhet ta vëmë në jetë këtë mësim konciliar. Nëse është normale që një popullsi të jetë dobimarrësja e parë e dhuratave, që i ka bërë Provania, ashtu si edhe e fryteve të punës së vet, asnjë popull nuk mund të mëtojë, për këtë arsye, që t’i ruajë për përdorimin e vet ekskluziv pasuritë që zotëron. Çdo popull duhet të prodhojë më shumë e më mirë, për t’u dhënë, nga njëra anë, të gjithë shtetasve të vet një dinjitet jete vërtet njerëzor, dhe njëkohësisht, nga ana tjetër, për të ndihmuar në zhvillimin solidar të njerëzimit. Përballë varfërisë në rritje të vendeve në rrugën e zhvillimit, duhet ta konsiderojmë si normale që një vend i përparuar t’ia kushtojë një pjesë të prodhimit të vet përmbushjes së nevojave të tyre; po ashtu është normale edhe që të kujdeset për të formuar edukatorë, inxhinierë, teknikë, shkencëtarë, që pastaj do ta vënë dijen dhe kompetencën e vet në shërbim të tyre.

Teprica

49. Një gjë duhet të përsëritet rishtas: teprica e vendeve të pasura duhet t’u shërbejë vendeve të varfra. Rregulla që vlente dikur në dobi të më të afërmve sot duhet të zbatohet për tërësinë e nevojtarëve të botës. Në fund të fundit, do të jenë të pasurit ata që të parët do të kenë dobi prej kësaj. Përndryshe, duke u treguar kokëfortë në koprracinë e tyre, nuk mund të bëjnë tjetër veçse të nxisin gjykimin e Hyjit dhe zemërimin e të varfërve, me pasoja të paparashikueshme. Duke u mbyllur në koracën e egoizmit të tyre, qytetërimet aktualisht të lulëzuara do të arrinin t’i vinin në rrezik vlerat e tyre më të larta, duke ia flijuar vullnetin për të qenë më shumë lakmues për të pasur më shumë. Dhe për to do të duhej të përdorej shëmbëlltyra e njeriut të pasur, tokat e të cilit kishin dhënë fryte të shumta dhe që nuk dinte ku t’i mblidhte të lashtat: «Porse Hyji i tha: “I marrë! Pikërisht sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje”» (Lk 12, 20).

Programet

50. Këto përpjekje, për të arritur efektshmërinë e tyre të plotë, nuk mund të mbeten të shpërndara dhe të izoluara, dhe aq më pak duhet t’i kundërvihen njëra-tjetrës për arsye të prestigjit apo të fuqisë: situata kërkon programe të bashkërenditura. Një program në të vërtetë është diçka më shumë dhe më e mirë se një ndihmë e rastësishme e lënë në dorë të vullnetit të mirë të secilit. Ai, siç thamë më lart, supozon studime të thelluara, përcaktim të pikësynimeve, caktim të mjeteve, organizim të përpjekjeve, për t’iu përgjigjur nevojave të tashme dhe kërkesave të ardhshme të parashikueshme. Por është edhe shumë më tepër meqë i tejkalon perspektivat e rritjes së thjeshtë ekonomike dhe të përparimit shoqëror, si dhe i jep kuptim e vlerë veprës që duhet realizuar. Programi shërben për ta rregulluar më mirë botën dhe, në të njëjtën kohë, për t’ia rritur vlerën njeriut.

Fondi botëror: dobia dhe ngutshmëria

51. Duhet të shkojmë edhe më përpara. Në Bombej Ne kërkonim krijimin e një Fondi të madh botëror, të ushqyer nga një pjesë e shpenzimeve ushtarake, për t’u ardhur në ndihmë më të mjerëve.45 Ajo që vlen për luftën e drejtpërdrejtë kundër mjerimit vlen edhe për zhvillimin. Vetëm një bashkëpunim botëror, shprehje dhe njëkohësisht mjet i të cilit do të ishte një fond i përbashkët, do të bënte të mundur kapërcimin e rivaliteteve të shterpëta dhe nxitjen e një dialogu të frytshëm dhe paqësor mes të gjithë popujve.

52. Pa dyshim, mund të mbahen me dobi marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe, meqë bëjnë të mundur zëvendësimin e marrëdhënieve të varësisë dhe të mllefeve që janë rrjedhojë e epokës koloniale me marrëdhënie miqësie të dobishme, të zhvilluara në një plan barazie juridike e politike. Por të përfshira në një program bashkëpunimi botëror ato do të ishin të liruara prej çdo dyshimi. Mosbesimet e dobimarrësve do të pakësoheshin, pasi ata do të kishin më pak arsye të druanin, që, të fshehura nën ndihmën financiare apo asistencën teknike, të paraqiten disa shfaqje të atij që është quajtur neokolonializëm: dukuri që përvijohen në terma presionesh politike dhe pushteti ekonomik të ushtruar me qëllim që të mbrohet apo të fitohet një hegjemoni sunduese.

53. Nga ana tjetër, kush nuk e kupton se si një fond i tillë do të jepte mundësinë që të hiqet nga shpenzimet e përgjithshme diçka prej shkapërderdhjeve, që janë fryt i frikës apo i krenarisë? Kur shumë popuj kanë uri, kur shumë familje vuajnë prej mjerimit, kur shumë njerëz jetojnë të zhytur në padije, kur duhet të ndërtohen shumë shkolla, shumë spitale, shumë banesa të denja për këtë emër, çdo shkapërderdhje publike apo private, çdo shpenzim i bërë, çdo garë e lodhshme për armatim bëhet një skandal i padurueshëm. Ne kemi për detyrë ta denoncojmë. Shpresojmë që përgjegjësit të na dëgjojnë para se të jetë tepër vonë.

Dialogu që duhet vendosur: nevojshmëria e tij

54. Kjo do të thotë se është e domosdoshme që mes të gjithëve të vendoset ai dialog i kërkuar prej Nesh në enciklikën e parë Ecclesiam suam.46 Nëse do të vendosej një dialog i tillë mes atyre që japin ndihma dhe atyre që i marrin ato, një gjë e tillë u bëftë me dëshirën që ndihmat e dhëna të vendosen në mënyrë të drejtë, jo vetëm në lidhje me sasinë dhe bollëkun e tyre, por edhe në lidhje me nevojën e vërtetë të këtyre ndihmave dhe të aftësisë për të ditur që t’i përdorin këto ndihma. Vendet në rrugën e zhvillimit në këtë mënyrë nuk do të rrezikojnë më ta shohin veten të zhytur në borxhe, larja e të cilëve arrin të përpijë pjesën më të mirë të fitimeve të tyre. Përqindja e interesit dhe kohëzgjatja e kredive mund të caktohen në mënyrë të pranueshme për njërën palë dhe për tjetrën, duke ekuilibruar dhuratat falas, kreditë pa interes ose me interes minimal, dhe kohëzgjatjen e amortizimit. Mund t’u sigurohen garanci atyre që japin mjetet financiare, mbi përdorimin e tyre në bazë të planit të caktuar dhe me një përkujdesje të arsyeshme për efektshmërinë, pasi nuk bëhet fjalë për të favorizuar dembelinë apo parazitizmin. Dhe dobimarrësit, nga ana e tyre, mund të pretendojnë që të mos ndërhyhet në politikën e tyre dhe as të shkaktohen çrregullime në strukturat shoqërore të vendit të tyre. Si shtete sovrane që janë, vetëm atyre u takon t’i drejtojnë në mënyrë autonome punët e veta, të përcaktojnë politikën e tyre, të orientohen lirisht drejt tipit të parapëlqyer të shoqërisë. Pra, është një bashkëpunim vullnetar që duhet të vendoset, një bashkëpjesëmarrje e efektshme e njërit dhe e tjetrit, në një klimë dialogu ku pjesëmarrësit kanë dinjitet të barabartë, për ndërtimin e një bote më njerëzore.

55. Ky është një angazhim që mund të duket i parealizueshëm në krahinat ku shqetësimi për mbijetesën e përditshme është i tillë sa pengon krejt ekzistencën e familjeve, të paafta të mendojnë për një punë të përshtatshme për ta përgatitur një të ardhme më pak të mjerueshme. Megjithatë, këta janë burrat e gratë që duhet të ndihmohen, që duhet të binden për nevojën që të merren ata vetë me zhvillimin e tyre, duke fituar shkallë-shkallë mjetet. Kjo vepër e përbashkët sigurisht që do të jetë e pamundur pa një përpjekje të bashkërenditur, të vazhdueshme dhe të guximshme. Por duhet të jetë e qartë për këdo se ajo që është në lojë është vetë jeta e popujve të varfër, është paqja civile në vendet në rrugën e zhvillimit, dhe është paqja e botës.

2. Drejtësi në marrëdhëniet tregtare

56. Përpjekjet, edhe ato të konsiderueshmet, që bëhen për të ndihmuar në planin financiar e teknik vendet në rrugën e zhvillimit, do të ishin të rreme nëse rezultati i tyre do të asgjësohej pjesërisht prej lojës së marrëdhënieve tregtare mes vendeve të pasura dhe vendeve të varfra. Besimi i këtyre të fundit do të tronditej thellë po t’u krijohej përshtypja se atyre u merret me njërën dorë ajo që u jepet me tjetrën.

Shtrembërim në rritje, përtej liberalizmit

57. Kombet shumë të industrializuara eksportojnë në realitet sidomos prodhime industriale, ndërsa ekonomitë pak të zhvilluara nuk kanë tjetër për të shitur përveç prodhimeve bujqësore dhe lëndëve të para. Falë përparimit teknik, vlera ekonomike e të parave rritet shpejt dhe ato gjejnë tregje të mjaftueshme shitjeje, ndërsa, përkundrazi, prodhimet parësore që vijnë prej vendeve në rrugën e zhvillimit pësojnë ndryshime të gjera e të papritura në çmim, që i mbajnë larg prej mbivlerës së prodhimeve të para. Prej këtu burojnë vështirësitë e mëdha me të cilat ndeshen kombet e industrializuara prej pak kohësh, kur duhet të mbështeten në eksportimet për të ekuilibruar ekonomitë e tyre dhe për të realizuar planet e tyre të zhvillimit. Kështu ndodh që të varfrit mbeten përsëri të varfër, ndërsa të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur.

58. Kjo do të thotë se ligji i tregtisë së lirë nuk është më në gjendje t’i mbështesë i vetëm marrëdhëniet ndërkombëtare. Dobitë e tij me siguri janë të dukshme kur palët gjenden në kushte fuqie ekonomike jo tepër të ndryshme: atëherë është një nxitje për përparim dhe një shpërblim për përpjekjet e bëra. Kështu shpjegohet se si vendet industrialisht të zhvilluara janë të prirur të shohin në të një ligj drejtësie. Por puna ndryshon kur kushtet janë tepër të pabarabarta nga një vend në tjetrin: atëherë, çmimet që vendosen «lirisht» në treg, mund të çojnë në rezultate të padrejta. Ia vlen ta pranojmë: është parimi themelor i liberalizmit si rregull e shkëmbimeve tregtare ai që është në pikëpyetje këtu.

Drejtësia e kontratave në nivel popujsh

59. Mësimi i Leonit XIII në Rerum novarum e ruan vlefshmërinë e vet: miratimi i palëve, nëse ato bien në një situatë pabarazie të tepërt, nuk mjafton për të garantuar drejtësinë e kontratës, dhe ligji i miratimit të lirë vazhdon t’u nënshtrohet kërkesave të së drejtës natyrore.47 Ajo që ishte e vërtetë në lidhje me rrogën e drejtë individuale është e tillë edhe në lidhje me kontratat ndërkombëtare: një ekonomi shkëmbimi nuk mund të mbështetet ekskluzivisht në ligjin e konkurrencës së lirë, edhe ai tepër shpesh shkaktar diktature ekonomike. Liria e shkëmbimeve nuk është e drejtë nëse nuk u nënshtrohet mëtimeve të drejtësisë shoqërore.

Masa që duhen marrë

60. Përveç të tjerash, këtë e kanë kuptuar mjaft mirë edhe vetë vendet e zhvilluara, meqë orvaten për të rivendosur me masa të përshtatshme, brenda ekonomive përkatëse, një ekuilibër që konkurrenca e lënë në duart e vetvetes priret ta vërë në rrezik. Për këtë arsye shpesh i shohim ta mbajnë bujqësinë e tyre përmes flijimeve, që u diktohen sektoreve ekonomike më të favorizuara. Shohim edhe se si, për t’i mbajtur marrëdhëniet tregtare që zhvillohen mes tyre, veçanërisht brenda një tregu të përbashkët, politika e tyre financiare, fiskale dhe shoqërore përpiqet t’u rijapë industrive konkurrente, pabarazisht të begatshme, kushte të një konkurrueshmërie të rivendosur.

Konventa ndërkombëtare

61. Nuk është e lejueshme që në këtë fushë të përdoren dy pesha dhe dy masa. Ajo që vlen në sferën e një ekonomie kombëtare, ajo që pranohet mes vendeve të zhvilluara, vlen po ashtu edhe në marrëdhëniet tregtare mes vendeve të pasura dhe vendeve të varfra. Jo se duam të paraqesim shfuqizimin e tregut të bazuar në konkurrencë: duam vetëm të themi se duhet të mbahet brenda kufijve që e bëjnë të drejtë e moral, pra njerëzor. Në tregtinë mes ekonomive të zhvilluara dhe atyre në rrugën e zhvillimit, situatat e pikënisjes janë tepër të çekuilibruara dhe liritë reale të shpërndara në mënyrë tepër të pabarabartë. Drejtësia shoqërore imponon që tregtia ndërkombëtare, për të qenë njerëzore e morale, të rivendosë mes palëve të paktën një barazi relative mundësish. Kjo e fundit nuk mund të jetë tjetër veçse një pikësynim afatgjatë. Por për ta arritur duhet të krijohet qysh tani një barazi reale në diskutime dhe në bisedime. Edhe kjo është një fushë ku konventat ndërkombëtare me rreze mjaft të gjerë do të ishin të dobishme, pasi janë të afta të japin norma të përgjithshme për të rregulluar disa lloj çmimesh, për të garantuar disa lloj prodhimesh, për të mbajtur disa lloj industrish që po krijohen. Kushdo e sheh se si kjo përpjekje e përbashkët drejt një drejtësie më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare mes popujve do t’u jepte vendeve në rrugën e zhvillimit një ndihmë pozitive, me efekte jo vetëm të menjëhershme, por edhe të qëndrueshme.

Pengesa që duhen kapërcyer: nacionalizmi dhe racizmi

62. Ndërtimit të një bote më të drejtë e më të strukturuar sipas një solidariteti të gjithmbarshëm i kundërvihen edhe pengesa të tjera: duam të flasim për nacionalizmin dhe për racizmin. Është e natyrshme që disa bashkësi, të cilat prej pak kohësh e kanë arritur pavarësinë e tyre politike, janë xheloze për një njësi kombëtare ende të brishtë dhe kujdesen për ta mbrojtur atë. Është gjithashtu normale që kombet me kulturë të vjetër të jenë krenare për traditën e trashëguar prej historisë së tyre. Por këto ndjenja të ligjshme duhet të sublimohen prej dashurisë së gjithmbarshme, që i përqafon të gjithë anëtarët e familjes njerëzore. Me të vërtetë nacionalizmi i ndan popujt mes tyre dhe pengon arritjen e interesave të tyre më të përnjëmendtë; dhe do të ishte veçanërisht i dëmshëm aty ku brishtësia e ekonomive kombëtare kërkon bashkimin e përpjekjeve, të njohurive dhe të mjeteve financiare, për të realizuar programet e zhvillimit dhe për të shpeshtuar shkëmbimet tregtare e kulturore.

63. Racizmi nuk është prerogativë ekskluzive e kombeve të reja, ku ai fshihet nganjëherë nën vellon e rivaliteteve të fiseve e të partive politike, duke e dëmtuar rëndë drejtësinë dhe duke rrezikuar paqen civile. Gjatë erës koloniale shpesh ka shkaktuar përçarje mes kolonëve dhe vendasve, duke krijuar pengesa për një mirëkuptim të frytshëm e të ndërsjellë dhe duke shkaktuar mllefe, që janë pasojë e padrejtësive reale. Ai përbën po ashtu një pengesë për bashkëpunimin mes kombeve më pak të favorizuara dhe një tharm krijues të ndarjes dhe të urrejtjes në gjirin e vetë shteteve, kur, duke i përçmuar të drejtat e pamohueshme të personit njerëzor, individë dhe familje e nënshtrohen me të padrejtë një regjimi përjashtimi, për shkak të racës së tyre apo të ngjyrës së tyre.

Drejt një bote solidare

64. Një situatë e tillë, kaq e mbushur me kërcënime për të ardhmen, na hidhëron thellë. Megjithatë, mbajmë shpresë se një nevojë më e ndier për bashkëpunim, një ndjenjë më e mprehtë për solidaritet do të fitojnë mbi moskuptimet dhe mbi egoizmat. Shpresojmë se vendet me një nivel më të ulët zhvillimi do të dinë të përfitojnë prej marrëdhënieve të mira të afërsisë me vendet fqinje, me qëllim që të organizojnë mes tyre, në rajone territoriale më të gjera, zona zhvillimi të bashkërenditur: duke përcaktuar programe të përbashkëta, duke bashkërenditur investimet, duke shpërndarë mundësitë e prodhimit, duke organizuar shkëmbimet. Shpresojmë edhe se organizatat shumëpalëshe dhe ndërkombëtare, nëpërmjet një organizimi të nevojshëm, do t’i gjejnë rrugët që do t’u mundësojnë popujve ende në rrugën e zhvillimit daljen prej pikës së vdekur, në të cilën duket se përpëliten si të burgosur dhe të gjejnë vetë, duke qenë besnik ndaj aftësisë së secilit, mjetet e përparimit të tyre shoqëror e njerëzor.

Të gjithë popujt autorë të fatit të tyre

65. Pikërisht kjo duhet të arrihet. Solidariteti botëror, gjithnjë e më veprues, duhet t’u bëjë të mundur të gjithë popujve, që të bëhen ata vetë autorë të fatit të tyre. E kaluara tepër shpesh është shënuar prej marrëdhënieve të forcës mes një kombi e një tjetri: ardhtë më në fund dita në të cilën marrëdhëniet ndërkombëtare të kenë shenjën e respektit të ndërsjellë dhe të miqësisë, të ndërvarësisë në bashkëpunim dhe të nxitjes së përbashkët nën përgjegjësinë e secilit. Popujt më të rinj e më të dobët kërkojnë me ngulm rolin aktiv, që u takon atyre në ndërtimin e një bote më të mirë, më respektuese të të drejtave dhe të thirrjes së secilit. Apeli i tyre është i ligjshëm: secili ta kuptojë e t’i përgjigjet.

3. Dashuria e gjithmbarshme

66. Bota është e sëmurë. E keqja e saj gjendet më pak në shkapërderdhjen e burimeve apo në grumbullimin e tyre nga ana e disave, sesa në mungesën e vëllazërisë mes njerëzve dhe mes popujve.

Detyra të lidhura me mikpritjen

67. Për këtë arsye Ne nuk do të këmbëngulim kurrë sa duhet se detyra e mirëpritjes – detyrë solidariteti njerëzor dhe dashurie të krishterë – u takon jo vetëm familjeve, por edhe institucioneve publike, që kanë një rol edukues, të vendeve mikpritëse. Duhet që, sidomos për të rinjtë, të shumohen familjet dhe vendet e përshtatshme për t’i mirëpritur. Kjo sidomos për t’i mbrojtur nga vetmia, ndjenja e braktisjes, dëshpërimi, që minojnë çdo aftësi burimi moral, por edhe për t’i mbrojtur nga situata e rrezikshme në të cilën gjenden, që i shtyn ta krahasojnë varfërinë e skajshme të atdheut të tyre me luksin dhe shkapërderdhjen që i rrethojnë. Gjithashtu: për t’i mbrojtur prej infektimit të doktrinave kryengritëse dhe prej tundimeve agresive, që ua shkakton kujtimi i kaq shumë «mjerimi të pamerituar».48 Së fundi, sidomos për t’u dhënë atyre, së bashku me ngrohtësinë e një mirëpritjeje vëllazërore, edhe shembullin e një jete të shëndoshë, shijen e dashurisë së krishterë të përnjëmendtë dhe vepruese, nxitjen për të vlerësuar vlerat shpirtërore.

Drama e të rinjve studentë dhe e punëtorëve emigrantë

68. Është e dhimbshme ta mendojmë: shumë të rinj, që kanë shkuar në vende më të përparuara për të mësuar aty shkencën, kompetencën dhe kulturën, që do t’i bëjnë më të aftë për t’i shërbyer atdheut të tyre, me siguri marrin një formim me cilësi të lartë, por në raste jo të rralla e humbin ndjenjën e vlerave shpirtërore, që shpesh ishin të pranishme, si një pasuri e çmuar, në qytetërimet ku ishin rritur.

69. Po kjo mirëpritje u duhet dhënë edhe punëtorëve emigrantë, që shpesh jetojnë në kushte çnjerëzore, të detyruar që ta fitojnë me shumë djersë rrogën e tyre për të lehtësuar pak familjet e mbetura në mjerim në dheun e lindjes.

Ndjenja shoqërore

70. Porosia Jonë e dytë është për ata, që, për arsye të veprimtarisë së tyre ekonomike, në vende që i janë hapur prej pak kohësh industrializimit janë të thirrur: industrialistë, tregtarë, krerë apo përfaqësues të ndërmarrjeve të mëdha. Ndoshta bëhet fjalë për njerëz që, në vendin e tyre, me të vërtetë shfaqin ndjenja shoqërore: pse duhet të prapakthehen në parimet çnjerëzore të individualizmit kur veprojnë në vende më pak të zhvilluara? Gjendja e tyre e epërsisë, përkundrazi, duhet t’i shtyjnë që të bëhen nismëtarë të përparimit shoqëror dhe të nxitjes njerëzore, aty ku angazhimet e tyre ekonomike i kanë çuar. Vetë ndjenja e tyre e organizimit duhet t’u sugjerojë mënyrën më të mirë për t’i dhënë vlerë punës vendase, për të formuar punëtorë të kualifikuar, për të përgatitur inxhinierë dhe drejtues, për t’i lënë vend nismës së tyre, për t’i futur shkallë-shkallë në postet më të larta, duke i përgatitur kështu që të bashkëndajnë, në një të ardhme jo të largët, përgjegjësitë e drejtimit. Që, të paktën, marrëdhëniet mes krerëve dhe vartësve të rregullohen nga drejtësia. Ato u mbështetshin prej kontratave të rregullta me detyrime të ndërsjella. Së fundi, që asnjëri, cilado qoftë gjendja e tij, të mos mbetet padrejtësisht në dorë të veprimit arbitrar.

Misioni i zhvillimit

71. Gjithnjë e më të shumtë, dhe Ne gëzohemi për këtë, janë ekspertët e dërguar në mision zhvillimi prej institucioneve ndërkombëtare apo dypalëshe apo prej organizmave private. «Ata nuk duhet të sillen si zotërinj, por si asistentë dhe si bashkëpunëtorë».49 Një popullsi e kupton menjëherë nëse ndihma e dhënë u jepet me pasion apo jo, nëse ato janë aty thjesht për të zbatuar disa teknika apo edhe për t’i dhënë njeriut krejt vlerën e tij. Mesazhi i tyre rrezikon të mos pranohet, nëse nuk shoqërohet nga një shpirt dashurie vëllazërore.

Cilësia e ekspertëve

72. Pra, kompetenca teknike e domosdoshme duhet të shoqërohet prej shenjave të përnjëmendta të një dashurie të painteres. Të zhveshur prej çdo krenarie nacionaliste, ashtu si edhe prej çdo hijeje racizmi, ekspertët duhet të mësojnë të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë. Ata duhet të dinë se kompetenca e tyre nuk u jep atyre një epërsi në të gjitha fushat. Qytetërimi në të cilin janë formuar përmban padyshim disa elemente humanizmi të gjithmbarshëm, por nuk është as i vetmi dhe as ekskluziv, dhe nuk mund të importohet pa përshtatje. Përgjegjësit e këtyre misioneve duhet të kujdesen për të zbuluar, së bashku me historinë e tij, edhe karakteristikat e pasuritë kulturore të vendit që i mirëpret. Kështu do të vendoset një afrim i frytshëm për të dyja qytetërimet.

Dialogje qytetërimesh

73. Mes qytetërimeve, ashtu si edhe mes personave, dialogu i sinqertë është faktikisht krijues vëllazërie. Nismat në dobi të zhvillimit njerëzor do t’i afrojnë popujt, në realizimet e çuara përpara me një përpjekje të përbashkët, nëse të gjithë, duke filluar prej qeverive dhe prej përfaqësuesve të tyre deri te eksperti më i thjeshtë, do të gjallërohen prej një shpirti dashurie vëllazërore dhe do të vihen në lëvizje prej dëshirës së sinqertë për të ndërtuar një qytetërim të bazuar në solidaritetin botëror. Atëherë mund të hapet një dialog i përqendruar tek njeriu dhe jo tek prodhimet e teknikat. Një dialog që do të jetë i frytshëm, nëse do të bëjë që popujt, të cilët përdorin mjetet e tij, të lartësohen e të arrijnë një shkallë më të lartë jete shpirtërore; nëse teknikët do të dinë të bëhen edukatorë dhe nëse mësimi i përçuar do të ketë shenjën e një cilësie shpirtërore e morale aq të lartë sa të garantojë një zhvillim, që të mos jetë vetëm ekonomik, por edhe njerëzor. Pasi të kalojë faza e asistencës, marrëdhëniet e krijuara në këtë mënyrë do të vazhdojnë dhe nuk ka njeri që të mos vërejë se çfarë rëndësie do të kenë ato për paqen e botës.

Apeli drejtuar të rinjve

74. Shumë të rinj i janë përgjigjur tashmë me gatishmëri e zell apelit të Piut XII për një laikat misionar.50 Të shumtë janë edhe ata që në mënyrë të vetvetishme janë vënë në dispozicion të organizmave, zyrtare apo private, të bashkëpunimit me popujt në rrugën e zhvillimit. Ne gëzohemi kur marrim vesh se në disa kombe «shërbimi ushtarak» mund të zëvendësohet pjesërisht me një «shërbim alternativ», një «shërbim të pastër dhe të thjeshtë», dhe i bekojmë këto nisma dhe vullnetet e mira që u përgjigjen. Të gjithë ata që i referohen Krishtit e dëgjojnë apelin e Tij: «Pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë» (Mt 25, 35-36). Askush nuk mund të mbetet mospërfillës ndaj fatit të vëllezërve të vet ende të zhytur në mjerim, pre të padijes, viktima të pasigurisë. Ashtu sikurse zemra e Krishtit, edhe zemra e të krishterit duhet të ketë dhembshuri për këtë mjerim: «Po më dhimbsen këta njerëz» (Mk 8, 2).

Lutja dhe veprimi

75. Lutja e të gjithëve duhet të ngjitet e zjarrtë drejt të Gjithëpushtetshmit, që njerëzimi, pasi të vetëdijësohet për këto të këqija kaq të mëdha, të kushtohet me inteligjencë dhe vendosmëri për t’i asgjësuar ato. Kësaj lutjeje duhet t’i përgjigjet angazhimi i vendosur i secilit, sipas forcave dhe mundësive të veta, në luftë kundër nënzhvillimit. Personat, grupet shoqërore dhe kombet i dhënshin vëllazërisht dorën njëri-tjetrit, i forti duke ndihmuar të dobëtin për t’u rritur, duke përdorur për këtë gjithë kompetencën e vet, entuziazmin e vet dhe dashurinë e vet të painteres. Më shumë se kushdo tjetër, ai që është i gjallëruar prej një dashurie të vërtetë është mendjehollë në zbulimin e shkaqeve të mjerimit, në gjetjen e mjeteve për ta luftuar atë, në mposhtjen e tij me vendosmëri. Veprues paqeje, «ai do të përshkojë rrugën e vet, duke ngjallur gëzim dhe duke derdhur dritë e hir në zemrën e njerëzve mbi gjithë faqen e dheut, duke i bërë të zbulojnë, përtej të gjithë kufijve, fytyra vëllezërish, fytyra miqsh».51

Përfundim

Zhvillimi është emri i ri i paqes

76. Pabarazitë ekonomike, shoqërore e kulturore tepër të mëdha mes popujve shkaktojnë tensione e grindje dhe vënë në rrezik paqen. Siç u thamë etërve konciliarë kur u kthyem prej udhëtimit tonë të paqes në OKB: «Gjendja e popullsive në rrugën e zhvillimit duhet të përbëjë objektin e shqyrtimit tonë; më mirë të themi, dashuria jonë për të varfrit që gjenden në botë – dhe janë një legjion i pafund – duhet të bëhet më e vëmendshme, më vepruese, më bujare».52 Ta luftosh mjerimin dhe të luftosh kundër padrejtësisë do të thotë të nxitësh, së bashku me përmirësimin e kushteve të jetesës, edhe përparimin njerëzor e shpirtëror të të gjithëve, pra, të mirën e përbashkët të njerëzimit. Paqja nuk kufizohet në mungesën e luftës, fryt i ekuilibrit gjithmonë të paqëndrueshëm të forcave. Ajo ndërtohet dita-ditës, në ndjekjen e një rendi të vendosur prej Hyjit, që bashkëmbart një drejtësi më të përsosur mes njerëzve.53

Dalja prej izolimit

77. Autorë të zhvillimit të vet, popujt janë përgjegjësit e tij të parë. Por atë nuk do të mund ta realizojnë në izolim. Akorde krahinore mes popujve të dobët për ta mbështetur njëri-tjetrin, marrëveshje më të gjera për t’u ardhur atyre në ndihmë, konventa më angazhuese mes njërës palë e tjetrës, që synojnë të përcaktojnë programe të bashkërenditura: janë etapat e kësaj ecjeje të zhvillimit që çon në paqe.

Drejt një autoriteti botëror të efektshëm

78. Ky bashkëpunim ndërkombëtar në nivel botëror kërkon institucione që ta përgatisin, ta bashkërendojnë dhe ta mbajnë, deri sa të ndërtojnë një rend juridik të pranuar universalisht. Me gjithë zemër Ne i nxisim organizatat që e kanë marrë në dorë bashkëpunimin për zhvillim dhe urojmë që autoriteti i tyre të rritet. «Thirrja juaj – u thamë përfaqësuesve të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork – është që t’i bëni të vëllazërohen, jo vetëm disa popuj, por të gjithë popujt… Kush nuk e sheh nevojën për të arritur shkallë-shkallë në vendosjen e një autoriteti botëror, që është në gjendje të veprojë në mënyrë të efektshme në planin juridik e politik?».54

Shpresa të bazuara në një botë më të mirë

79. Disa do t’i gjykojnë si utopistike këto shpresa. Ndoshta realizmi i tyre mund të mos jetë i mjaftueshëm dhe ata nuk e kanë perceptuar dinamizmin e një bote që dëshiron të jetojë në mënyrë më vëllazërore dhe që, pavarësisht prej padijeve të saj, gabimeve të saj, si edhe mëkateve të saj, rënieve të saj në barbari e shmangieve të gjata të saj prej rrugës së shpëtimit, i afrohet dalëngadalë, edhe pa e kuptuar, drejt Krijuesit të vet. Kjo ecje drejt një rritjeje në njerëzi kërkon përpjekje e flijim: por vetë vuajtja, kur pranohet për dashuri ndaj vëllezërve, është mbartëse e përparimit për krejt familjen njerëzore. Të krishterët e dinë se bashkimi me flinë e Shpëtimtarit ndihmon «për ndërtimin e trupit të Krishtit» (Ef 4, 12) në plotësinë e tij: popullin e mbledhur të Hyjit.55

Të gjithë solidarë

80. Në këtë ecje jemi të gjithë solidarë. Prandaj të gjithëve kemi dashur t’u kujtojmë madhësinë e dramës dhe ngutshmërinë e veprës që duhet të përmbushet. Ora e veprimit tashmë ka ardhur: mbijetesa e shumë fëmijëve të pafajshëm, mundësia për kushte njerëzore për shumë familje të pafat, paqja e botës, e ardhmja e qytetërimit janë në pikëpyetje. Të gjithë njerëzve dhe të gjithë popujve u takon të marrin përsipër përgjegjësitë e veta.


APELI PËRFUNDIMTAR
Katolikë

81. Të parëve Ne u lutemi të gjithë fëmijëve Tanë. Në vendet në rrugën e zhvillimit, ashtu si edhe gjetiu, laikët duhet të marrin përsipër si detyrë të tyre specifike përtëritjen e rendit tokësor. Nëse detyra e hierarkisë është të mësojë e të interpretojë në mënyrë të përnjëmendtë parimet morale, që duhen ndjekur në këtë fushë, atyre, nëpërmjet nismës së tyre të lirë dhe pa pritur në mënyrë pasive urdhra apo udhëzime, u takon ta depërtojnë me shpirtin e krishterë mendësinë e bashkësisë ku jetojnë.56 Janë të nevojshme ndryshime, janë të domosdoshme reforma të thella: ata duhet të angazhohen vendosmërisht për t’u dhënë atyre frymën e shpirtit ungjillor. Fëmijëve Tanë katolikë, që u përkasin vendeve më të favorizuara, Ne u kërkojmë ndihmesën e kompetencës së tyre dhe të pjesëmarrjes së tyre vepruese në organizatat zyrtare apo private, civile apo fetare, që kushtohen në mposhtjen e vështirësive të kombeve në rrugën e zhvillimit. Ata pa asnjë dyshim do të dëshirojnë të jenë në vijë të parë mes atyre që punojnë për të kthyer në vepra një moral ndërkombëtar të drejtësisë e të barazisë.


Të krishterë dhe besimtarë
82. Nuk e vëmë në dyshim se të gjithë të krishterët, vëllezërit Tanë, do të duan ta zgjerojnë përpjekjen e tyre të përbashkët dhe të bashkërenditur me qëllim që ta ndihmojnë botën për të ngadhënjyer mbi egoizmin, mbi krenarinë dhe mbi rivalitetet, për të kapërcyer ambiciet dhe padrejtësitë, dhe për t’u hapur të gjithëve rrugët e një jete më njerëzore, ku kushdo të duhet dhe të ndihmohet prej vëllezërve sikur të ishte vëllai i tyre. Si edhe, ende të prekur prej kujtimit të takimit të paharrueshëm në Bombej me vëllezërit Tanë jo të krishterë, përsëri Ne i ftojmë ata të bashkëpunojnë me gjithë zemrën dhe mendjen e tyre, me qëllim që të gjithë fëmijët e njerëzve të mund të bëjnë një jetë të denjë për fëmijët e Hyjit.

Njerëz vullnetmirë

83. Së fundi, u drejtohemi të gjithë njerëzve vullnetmirë, që janë të vetëdijshëm se ecja e paqes kalon nëpërmjet zhvillimit. Të dërguar pranë institucioneve ndërkombëtare, njerëz të shtetit, publicistë, edukatorë, të gjithë, secili në vendin e vet, ju jeni ndërtuesit e një bote të re. I përgjërohemi Hyjit të gjithëpushtetshëm që ta ndriçojë mendjen tuaj dhe ta forcojë guximin tuaj në zgjimin e opinionit publik dhe në dhënien hov të popujve. Edukatorë, juve ju takon të ngjallni qysh në fëmijëri dashurinë për popujt, që janë të braktisur. Publicistë, është detyra juaj të tregoni para syve tanë përpjekjet e bëra për të nxitur ndihmën e ndërsjellë mes popujve, ashtu si edhe spektaklin e mjerimeve që njerëzit priren t’i harrojnë për ta qetësuar ndërgjegjen e tyre: që të pasurit të dinë të paktën se të varfrit janë tek dera e tyre dhe zënë vend për të pritur tepricat e gostive të tyre.


Pushtetarë

84. Njerëz të shtetit, mbi ju bie detyra për të nxitur bashkësitë tuaja për një solidaritet botëror më të efektshëm, dhe para së gjithash t’i bëni ata të pranojnë që të heqin prej luksit dhe shkapërderdhjeve të tyre atë që është e nevojshme për të nxitur zhvillimin dhe për të shpëtuar paqen. Të dërguar pranë organizatave ndërkombëtare, prej jush varet nëse përballja e rrezikshme dhe shterpë e forcave do t’ia lërë vendin bashkëpunimit miqësor, paqësor dhe të painteres për një zhvillim solidar të njerëzimit: një njerëzim në të cilit të gjithë njerëzit të mund të arrijnë lulëzimin e tyre të plotë.

Mendimtarë

85. Dhe nëse është e vërtetë se bota vuan prej mungesës së mendimit, Ne i thërrasim njerëzit e reflektimit e të mendimit, katolikët, të krishterët, ata që e nderojnë Hyjin, që janë të etur për absoluten, për drejtësinë e për të vërtetën: të gjithë njerëzit vullnetmirë. Sipas shembullit të Krishtit, Ne guxojmë t’ju lutemi me këmbëngulje: «Kërkoni e do të gjeni» (Lk 11, 9), hapni rrugët që, nëpërmjet ndihmës së ndërsjellë, thellimit të dijes, zgjerimit të zemrës, shpien në një jetë më vëllazërore në një bashkësi njerëzore vërtet të gjithmbarshme.

Të gjithë në veprim

86. Ju të gjithë që e keni kuptuar apelin e popujve që vuajnë, ju të gjithë që punoni për t’iu përgjigjur atij, ju jeni apostujt e zhvillimit të mirë e të vërtetë, që nuk është pasuria egoiste dhe e dëshiruar sepse ka vlerë në vetvete, por ekonomia në shërbim të njeriut, buka e përditshme që u ndahet të gjithëve, si burim i vëllazërisë dhe shenjë e Provanisë.

87. Me gjithë zemër ju bekojmë dhe i thërrasim të gjithë njerëzit vullnetmirë të bashkohen vëllazërisht me ju. Sepse, nëse zhvillimi është emri i ri i paqes, kush nuk do të donte të bashkëpunonte për ta arritur me të gjitha forcat e veta? Po, të gjithë: Ne ju ftojmë t’i përgjigjeni britmës Sonë që lind prej ngashërisë, në emër të Zotit.

Romë, pranë Shën Pjetrit, më 26 mars, e kremtja e Ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit, në vitin 1967, IV të pontifikatit tonë.

PAPA PALI VI


SHËNIME

1 PAULUS PP. VI, Litt. enc. Populorum progressio de populorum progressione promovenda, [Ad Episcopos, ad Sacerdotes, ad Religiosos, ad Christifideles totius Catholici Orbis, itemque ad universos bonae voluntatis homines], 26 martii 1967: AAS 59 (1967), fq. 257-299.
Hyrje: Çështja shoqërore sot është botërore: Zhvillimi i popujve dhe mësimi shoqëror i papëve; Udhëtimet e Palit VI dhe komisioni papnor “Drejtësi e paqe”. – Pjesa I: Për një zhvillim të tërësishëm të njeriut: I. Të dhënat e problemit (aspirata të njerëzve; kolonizimi dhe kolonializmi; çekuilibër në rritje; vetëdijësim më i madh; përplasja e qytetërimeve; përfundim). II. Kisha dhe zhvillimi (vepra e misionarëve; kisha dhe bota; vizioni i krishterë i zhvillimit; thirrja dhe rritja; detyrë vetjake dhe bashkësiore; shkalla e vlerave; rritje e dyvlershme; drejt një gjendjeje më njerëzore; ideali që duhet ndjekur). III. Vepra që duhet përmbushur (adresimi i gjithmbarshëm i të mirave; prona; përdorimi i të ardhurave; industrializimi; kapitalizmi liberal; puna dhe dyvlershmëria e saj; ngutshmëria e veprës që duhet përmbushur; tundimi i dhunës; revolucioni; reforma; programet dhe planifikimi në shërbim të njeriut; alfabetizimi; familja dhe demografia; organizatat profesionale; pluralizëm i ligjshëm; formimi kulturor; tundimi materialistik. Përfundim: drejt një humanizmi të përgjithshëm). – Pjesa II: Drejt zhvillimit solidar të njerëzimit në vëllazërinë mes popujve: I. Ndihma ndaj të dobtëve (lufta kundër urisë, sot dhe nesër; detyra e solidaritetit; teprica; programet; fondi botëror: dobitë dhe ngutshmëria; dialogu që duhet vendosur: nevojshmëria e tij). II. Drejtësia në marrëdhëniet tregtare (shtrembërim në rritje, përtej liberalizmit; drejtësia e kontratave në nivel popujsh; masa që duhen marrë; konventa ndërkombëtare; pengesa që duhet kapërcyer: nacionalizmi dhe racizmi; drejt një bote solidare ku popujt të jenë autorë të fatit të tyre). III. Dashuria e gjithmbarshme (detyra të lidhura me mikpritjen; drama e të rinjve studentë dhe e punëtorëve emigrantë; ndjenja shoqërore; misioni i zhvillimit; cilësia e ekspertëve; dialogje qytetërimesh; apeli drejtuar të rinjve; lutja dhe veprimi;). Përfundim: Zhvillimi është emri i ri i paqes; Dalja prej izolimit; Drejt një autoriteti botëror të efektshëm; Shpresa të bazuara në një botë më të mirë; Të gjithë solidarë. Apeli përfundimtar (katolikë, të krishterë dhe besimtarë, njerëz vullnetmirë, pushtetarë, mendimtarë: të gjithë në veprim).
2 Krh. Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 97-148; EE 3.
3 Krh. AAS 23 (1931), fq. 177-228; EE 5/583-730.
4 Krh. e.g. Nuntius radiophonicus, datus die 1 mensis iunii anno 1941, quinquagesimo exeunte anno a Litteris Encyclicis Rerum novarum a Leone XIII datis: AAS 33 (1941), fq. 195-205; EE 6/app.; Nuntius radiophonicus, datus pridie Nativ. D.N.I.C. anno 1942: AAS 35 (1943), fq. 9-24; Allocutio catholicae Solidalitati Operariorum Italicorum, ob commemorationem Litt. Enc. Rerum novarum congressae, habita die 14 mensis Maii anno 1953: AAS 45 (1953), fq. 402-408.
5 Krh. AAS 53 (1961), fq. 401-464; EE 7/222-481.
6 Krh. AAS 55 (1963), fq. 257-304; EE 7/541-712.
7 Krh. Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961), fq. 440; EE 7/378.
8 Krh. Kusht. barit. Gaudium et spes de Ecclesia in mundo huius temporis, nr. 63: AAS 58 (1966), fq. 1084; EV 1/1537).
9 Litt. apost. motu proprio datae Catholicam Christi Ecclesiam: AAS 59 (1967), fq. 27; EV 2/959.
10 Krh. Leoni XIII, Let. enc. Rerum novarum: Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 98; EE 3.
11 KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 3: AAS 58 (1966), fq. 1085; EV 1/1535.
12 KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 3: AAS 58 (1966), fq. 1026; EV 1/1323.
13 Krh. Leoni XIII, Let. enc. Immortale Dei: Acta Leonis XIII, V (1885), fq. 127; EE 3.
14 Gaudium et spes, nr. 4: AAS 58 (1966), fq. 1027; EV 1/1324.
15 Krh. L.J. LEBRET OP, Dynamique concrète du développement, Économie et Humanisme, Les éditions ouvrières, Paris 1961, fq. 28.
16 Krh. e.g. J. MARITAIN, Les conditions spirituelles du progrès et de la paix, in libro qui inscribitur Rencontre des cultures à l’UNESCO sous le signe du Concile oecuménique Vatican II, Mame, Paris 1966, fq. 66.
17 KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 69: AAS 58 (1966), fq. 1090; EV 1/1551.
18 De Nabuthe, k. 12, nr. 53: PL 14, 747. Krh. J.R. Palanque, Saint Ambroise et l’empire romain, De Boccard, Paris 1933, fq. 336ss.
19 Krh. Cardinalis a publicis Ecclesiae negotiis Epistola ad catholicos viros socialis vitae studia in urbe vulgo Brest celebrantes, in libro qui inscribitur L’homme et la révolution urbaine, Chronique sociale, Lyon 1965, fq. 8-9.
20 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 71: AAS 58 (1966), fq. 1093; EV 1/1557-1559.
21 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 65: AAS 58 (1966), fq. 1086; EV 1/1541.
22 Let. enc. Quadragesimo anno: AAS 23 (1931), fq. 212; EE 5/692.
23 Krh. e.g. COLIN CLARK, The conditions of economic progress, III ed., McMillan & Co. (London), St. Martin’s Press (New York), 1960, fq. 3-6.
24 Krh. Cardinalis a publicis Ecclesiae negotiis Epistula ad catholicos viros socialis vitae studia Lugduni celebrantes, in libro qui inscribitur Le travail et les travailleurs dans la société contemporaine, Chronique sociale, Lyon 1965, fq. 6.
25 Krh. e.g. M.D. CHENU OP, Pour une Théologie du travail, Éditions du Seuil, Paris 1955.
26 Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961), fq. 423; EE 7/312.
27 Krh. e.g. O. VON NELL-BREUNING SI, Wirtschaft und Gesellschaft, vëll. 1: Grundfragen, Herder, Freiburg 1956, fq. 183-184.
28 Krh. e.g. Emmanuelis LARRAIN ERRAZURIS, Episcopi Talcensis in Chilia, Praesidis Consilii compendiariis litteris Celam appellati, Pastorales Litterae de civili progressu et de pace, Pax Christi, Parisiis 1965.
29 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 26: AAS 58 (1966), fq. 1046; EV 1/1402.
30 GJONI XXIII, Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961), fq. 414; EE 7/274.
31 Krh. Diarium quod inscribitur L’Osservatore romano, die 11 mensis Septembris anno 1965, vel commentarium La Documentation catholique, t. 62, Paris 1965, fq. 1674-1675.
32 KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 52: AAS 58 (1966), fq. 1073; EV 1/1486.
33 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 50-51 cum adnotatione nr. 14: AAS 58 (1966), fq. 1070-1073; EV 1/1478-1484. Krh. etiam nr. 87: fq. 1110; EV 1/1625-1627.
34 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Gaudium et spes, nr. 15: AAS 58 (1966), fq. 1036; EV 1/1367.
35 Gaudium et spes, nr. 57: AAS 57 (1966), fq. 1078; EV 1/1507.
36 Gaudium et spes, nr. 19: AAS 58 (1966), fq. 1039; EV 1/1374.
37 Krh. e.g. J. MARITAIN, L’humanisme intégral, Aubier, Paris 1936.
38 Krh. H. DE LUBAC SI, Le drame de l’humanisme athée, III éd., Spes, Paris 1945, fq. 10.
39 Krh. Pensées, éd. Brunschvicg, nr. 434; krh. Maurice Zundel, L’homme passe l’homme. Éditions du lien, Le Caire 1944.
40 Krh. Allocutio ad viros e variis religiosis Communitatibus non-christianis, habita die 3 mensis Decembris anno 1964: AAS 57 (1965), fq. 132.
41 Krh. GJONI XXIII, Let. enc. Mater et Magistra: AAS 53 (1961), fq. 440ss; EE 7/378ss.
42 Krh. Nuntius radiophonicus, datus pridie Nativ. D.N.I.C. anno 1963: AAS 56 (1964), fq. 57-58.
43 Krh. Encicliche e discorsi di Paolo VI, vëll. IX, bot. Paoline, Roma 1966, fq. 132-136.
44 KONC. II I VAT., Gaudium et spes, nr. 86: AAS 58 (1966), fq. 1109; EV 1/1620.
45 Nuntius ad homines universos datus astantibus diurnariis scriptoribus, die 4 mensis Decembris 1964: AAS 57 (1965), fq. 135.
46 Krh. AAS 56 (1964), fq. 639ss; EE 7/776ss.
47 Krh. Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 131; EE 3.
48 Krh. LEONI XIII, Let. enc. Rerum novarum: Acta Leonis XIII, XI (1892), fq. 98; EE 3.
49 Krh. KONC. II I VAT., Gaudium et spes, nr. 85: AAS 58 (1966), fq. 1108; EV 1/1616.
50 Krh. Let. enc. Fidei donum: AAS 49 (1957), fq. 246; EE 6/1337.
51 Krh. GJONI XXIII, Allocutio habita die 10 mensis Maii anno 1963, cum praemio a Bazanio nuncupato donaretur: AAS 55 (1963), fq. 455.
52 AAS 57 (1965), fq. 896; EV 1/407*.
53 Krh. GJONI XXIII, Let. enc. Pacem in terris: AAS 55 (1963), fq. 301; EE 7/702s.
54 AAS 57 (1965), fq. 880; EV 1/381*.
55 Krh. KONC. II I VAT., Kusht. barit. Lumen gentium de Ecclesia, nr. 13; AAS 57 (1965), fq. 17; EV 1/318-321.
56 Krh. KONC. II I VAT., Dekr. Apostolicam actuositatem de apostolatu laicorum, nr. 7, 13 dhe 24: AAS 58 (1966), fq. 843, 849 dhe 856; EV 1/941.962-964.1001-1007.

ZHVILLIMI I POPUJVE
(Populorum Progressio)
26 mars 1967

Përktheu nga italishtja
ANGJELINA GJEKA

Redaktorë
LORETA TOMAJ
ATË RAFFAELE LANZILLI S.I.

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE
SHKODËR - PULT








All the contents on this site are copyrighted ©.