Tragjedia e shqiptarëve në detin e Otrantos më 1997
Përkujtojmë sot 15-vjetorin e mbytjes së 81 personave, shumica vlonjatë, por edhe
nga Fieri e Lushnja, shumica gra e fëmijë, më i vogli prej të cilëve 3 muajsh.
“Ikën nga një tmerr pa fund dhe ju çuan në një fund të tmerrshëm”. Ky është epitafi
i shkruar në Obeliskun, që në varrezat e Babicës në Vlorë dëshmon për viktimat e asaj
që në histori ka hyrë si Tragjedia e Otrantos. Ishte nata e 28 marsit 1997, e Premtja
e Madhe e Pashkëve. Në anijen ushtarake, të vjedhur nga Saranda për vëllezërit famëkeq
Zani e Lefter Caushi, ngjishen njerëz, që u kishin paguar atyre 1 milion lireta të
kohës për kokë. Iknin për t’iu shpëtuar plumbave, iknin nga fukarallëku, nga trazirat
e 97-ës që i vunë zjarrin Shqipërisë, duke kërkuar një jetë më të mirë. Atë natë u
takuan për herë të parë dhe po atë natë u ndanë. Në përplasjen me anijen italiane
Sibila në kanalin Otrantos, 81 vetë i përpiu deti për të mos i kthyer më kurrë. Shumica
qenë gra e fëmijë. Ishin vajza të reja, që nuk jetuan dot rininë e që ndërprenë lundrimin
drejtë së ardhmes së ëndërruar. Më i vogli i asaj tragjedie të 28 marsit të 1997-ës
qe një djalë tre muajsh, që prindërve iu iku përjetësisht. Detin zgjodhën për rrugë
se rrugë tjetër nuk kishte. Nuk mund të përshkruhet se sa e madhe qe dhimbja. Vetëm
tri ditë më vonë, gjatë Lutjes së Mbretëreshës Qiellore në mesditë, një ditë pas Pashkës
së Ngjalljes, edhe Papa i Lumi Gjon Pali II i përmendi viktimat e kanalit të Otrantos
nga Shqipëria. Kuja e shqiptarëve, e familjarëve, e shokëve, e të afèrmve kishte arritur
në Vatikan. E si atëherë kur për Shqipërinë nuk fliste kush, sepse qe mbyllur pas
perdes së hekurt të diktaturës komuniste, sërish është një Papë që u qan hallin shqiptarëve,
që ndan dhimbjen me shqiptarë. Atë 31 mars 1997 të hënën e Pashkëve, Gjon Pali
II tha: “Gëzimi i Pashkëve është turbulluar nga lajmet mbi tragjedinë që
ka ndodhur në kanalin e Otrantos, me fundosjen e një motovedete ngarkuar me refugjatë
shqiptarë. Ju ftoj të luteni për ata që kanë vdekur në detin Adriatik e
të merrni pjesë në mënyrë solidare në dhimbjen sfilitësh të atyre që vuajnë për humbjen
e të dashurve të tyre. Inkurajoi përzemërsisht veprat e ndihmës që bëjnë
në Pulje Karitasi dhe institucionet e ndryshme në favor të emigrantëve. Uroj që të
shumëfishohen përpjekjet për të çuar në Shqipëri ndihma materiale të domosdoshme,
por edhe më tepër rend shoqëror e paqe, si edhe bashkëpunim për nxitjen e aktiviteteve
prodhuese, në mënyrë që kombi i dashur shqiptar ta marrë veten dhe të ndërtojë të
ardhmen në paqe e qetësi”. Në varrezat e qytetit, në Babicë të Vlorës, ata
m emrin e përbashkët “Viktimat e Otrantos” prehen në krahun e majtë të hyrjes. Nuk
u gjetën të gjitha trupat. Nga thellësitë e detit Ardiatik u nxorën vetëm 57 vetë.
Të tjerët janë varre simbolike. Të afërmit e viktimave kërkuan në gjyqet e Italisë
dëmshpërblime e të vërtetën mbi incidentin e asaj nate të tmerrshme, në procese që
u zgjatën pa fund e pa rezultate të pritura.