2012-03-28 11:52:25

Papa i kërkon Raul Kastros që e Premtja e Madhe e Pashkëve të jetë ditë festive. Atë Lombardi: Kisha e vendit po rilind


E Premtja e Madhe të jetë ditë festive për Kishën kubane. Kjo është kërkesa e Benediktit XVI gjatë takimit me presidentin kuban, Raul Kastro, me të cilin bisedoi dje pasdite në Havanë, sipas orës së vendit, pas mesnatës në Evropë. Biseda qe veçanërisht e gjatë e preku pikat kryesore të realitetit civil e kishtar të ishullit karaibik, siç pohon në mikrofonin tonë, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3
Qe një takim i gjatë e ky është një aspekt shumë domethënës, sepse kuptimi i këtyre takimeve qëndron në vetë faktin se njerëzit takohen, pra lënë mënjanë formalitetin zyrtar për marrëdhënie më të thella. Edhe në takimin ndërmjet Fidel Kastros dhe Gjon Palit II, përmasa personale qe shumë e rëndësishme e pati dhënë fryte të mëdha. Pra, ka vlerë takimi në vetvete e sidomos zgjatja e tij. Qe një bisedë e qetë dhe shumë e përzemërt.
A mund të na thoni diçka për përmbajtjen e tematikën?
Mund të thuhet, sigurisht, se folën për kushtet aktuale, në të cilat jeton populli i Kubës, për gjendjen e vendit e Papa paraqiti kërkesat e Kishës për një jetë me intensive, për shprehjen gjithnjë e më të plotë të fesë, për praninë e saj më të madhe në shoqëri. Shtegtimi i Virgen de la Caridad, që zgjati një vit e gjysëm e i dha zemër krejt Ishullit, edhe para se të fillonte Viti Jubilar, u bëri shumë përshtypje autoriteteve kubane, sepse ishte shenjë e gjallërisë së Kishës, e hyrjes së saj në gjirin e popullsisë, që në këtë rast, u mobilizua përtej rrethit të kufizuar të besimtarëve praktikantë. Kjo tërhoqi vëmendjen dhe solli vlerësimin e autoriteteve për Kishën, duke vendosur bazën për hapa të tjera përpara. Papa bëri edhe një kërkesë shumë të veçantë: të shpallet festë e Premtja e Madhe. Ashtu si në udhëtimin e Gjon Palit II ishte festa e Krishtlindjes – e cila u njoh si e tillë pas vizitës së Papës Vojtila – kështu edhe tani, ka mundësi që së Premtes së Madhe, e cila ndjehet shumë në traditën fetare kubane, t’i jepet më tepër rëndësi nga autoritetet.
Ndodhet në Kubë për arsye mjekësore edhe presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, i cili e përshëndeti Papën, pa dashur – tha ai vetë – të ndërhyjë në programin e Benediktit XVI…
Po, më duket e arsyeshme. Nga ana tjetër, do të ishte çudi që presidenti i një vendi tjetër të kërkonte një takim me Papën, gjatë një vizite kaq të shkurtër e intensive, siç është ajo e Atit të Shenjtë në Kubë. Prandaj, më duket se ka bërë mirë e na jep kështu edhe rastin, që nga ana jonë, t’i urojmë shërim të shpejtë, sepse dimë se ka ardhur në Kubë për mjekime. Urojmë që këto kura të kenë sukses.
Ç’rëndësi ka për Kishën e vendit, prania e Papës në Kubë? A forcohet roli i saj?
Sigurisht. Sidomos përforcohet nga brenda, e kjo është e para, pastaj vijnë të tjerat. Kisha në Kubë përjeton një çast të lumtur, pikërisht sepse këto kremtime – fillimisht shtegtimi e më pas Viti Jubilar i Zojës së Dashurisë së krishterë – janë çaste hiri e përtëritjeje të brendshme të Kishës e të popullit kuban. Pra, nuk duhet harruar përmasa shpirtërore: Papa nuk i jep guxim Kishës vetëm me praninë e tij në Kubë, por edhe me faktin se vizita ndërthuret me këtë moment hiri, thellësisht fetar, që po përjeton vendi.







All the contents on this site are copyrighted ©.