2012-03-28 11:47:15

La Habana


Themeluar nga Diego Velázquez në vitin 1514 në bregun veriperëndimor të ishullit kuban, bëhet, me pushtimin spanjoll të Meksikës e të Perusë, porti më i rëndësishëm i Amerikës, nga i cili niseshin për në Spanjë, anijet e ngarkuara me argjend. Pas plaçkitjes nga korsarët francezë në vitin 1555 dhe pas pushtimit 11 mujor të anglezëve në vitin 1762, zbatohen planet për përforcimin e mbrojtjes, që e kthejnë Havanën në qytetin më të fortifikuar të Botës së Re. Kryeqytet që nga viti 1607, është sot qendra më e madhe karaibike, që numëron mëse 2 milion banorë, një e pesta e popullsisë së Kubës.
Përveçse qendër politike e vendit, Havana është edhe seli e shumë industrive (ajo metalurgjike, ajo e duhanit, e rafinerisë së naftës, etj) dhe e pjesës më të madhe të flotës së anijeve të peshkimit. Kryeqyteti kuban e ndjen shumë ndotjen industriale, i mungon sistemi i përshtatshëm për mbledhjen dhe administrimin e plehrave, si edhe uji i pijshëm. Gati gjysma e banesave është në kushte të këqia e llogaritet, që çdo vit, të bien rreth 300 ndërtesa.
Qyteti krenohet me “La Habana Vieja”, lagjia më e madhe koloniale e Amerikës Latine, shpallur nga UNESCO pasuri e njerëzimit në vitin 1982. Gjithashtu, të rëndësishme nga pikpamja kulturore, janë kështjellat spanjolle El Morro dhe La Cabaña, monumentet e Revolucionit (Pavillón Granma, Museo de la Revolución, Memorial Hosé Martí) dhe lokalet e natës plot gjallëri me muzikë afrokubane dhe stil të viteve ’50. Për t’u sinjalizuar, Kapitoli Kombëtar, ndërtesë madhështore e veshur me mermer të bardhë, që të kujton Shtëpinë e Bardhë, dhe Muzeu i Ernest Heminguejt, vila ku jetoi për 20 vjet shkrimtari amerikan, 15 km në jug të qytetit.
Ndër kishat e Havanës spikasin: Iglesia de Nuestra Señora del Rosario (që quhet edhe Catedral de los Campos de Cuba, ndërtuar në vitin 1720, në qytetin e vjetër; brenda saj, një elter prej mogani të praruar dhe një pikturë e Veronezes); El Templete: kapelë e vitit 1828, ku ndodhen 3 piktura të francezit Zhan-Baptist Vermej, të cilat kujtojnë meshën e parë të kremtuar në këtë vend, më 1519, nën një pemë, të njëjtë me atë, që sot ndodhet para kapelës; Iglesia y Monasterio de San Francisco de Asís, ndërtuar më 1608, përdorur tani si sallë për koncerte e muze; Iglesia y Convento de Santa Clara, ish-kuvend që nga viti 1920; Iglesia Parroquial del Espírito Santo e vitit 1640, kisha më e lashtë e Havanës; Iglesia y Convento de Nuestra Señora de la Merced e vitit 1755, me afreske e piktura të lashta; Iglesia del Santo Angel Custodito, tepër e rëndësishme për letërsinë e historinë për shkak të numrit të madh të personazheve, që kanë kapërcyer pragun e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.