2012-03-27 11:18:55

Shenjtërorja e Zojës së Dashurisë së Krishterë, Virgén di El Cobre


Historia e këtij vendi shtegtimi në Santiago de Cuba, më i nderuari në Kubë, lidhet ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të vendit. Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte mbi ujërat e Bahía de Noipe (veri-lindje e siujdhesës). Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zonja e Dashurisë së Krishterë”. Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më 1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Më 1801, në këtë Shenjtërore, u lexua “Manifesti për lirinë e skllevërve të minierave të El Cobre”, falë edhe impenjimit të kapelanit të Shenjtërores, atë Alejandro Escanio, në favor të skllevërve. Në vitin 1868, Karlos Manuel Céspedes, përkrahës i zhdukjes së skllavërisë dhe i pavarësisë së Kubës, shtegtoi në Shenjtërore, ku u lut para Zojës për lirinë e Kubës.
Më 22 korrik 1898 në Shenjtërore u kremtua Mesha e falënderimit për çlirimin e Ishullit, në prani të zyrtarëve më të lartë të ushtrisë çlirimtare.
Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén de la Caridad”. Pajtore të Kubës.
Më 8 shtator 1927 u përurua shenjtërorja e sotme e, më 20 dhjetor 1936, kryeipeshkvi i Santiago de Cuba, imzot Valentin Zubizarreta, e kurorëzoi Virgjërën si “Nënë e Pajtore e Kubës”.
Më 1952, shtatorja u mbart me procesion, duke nisur shtegtimin në mbarë ishullin, për të çuar kudo mesazhin e fesë e të shpresës.
Në vitin 1959 Kongresi Kombëtar Katolik u mbajt nën mbrojtjen e Virgjërës së Cobres, shtatorja e së cilës, gjatë Meshës, ishte vendosur në zemër të Sheshit të Revolucionit.Së fundi, më 30 dhjetor 1977, Pali VI i dha Shenjtërores së El Cobre, titullin e Bazilikës Minore; i dërguari i Papës me këtë rast, ishte Prefekti i asokoshëm i Kongregatës për Ipeshkvijtë, kardinali Bernardin Gantin.







All the contents on this site are copyrighted ©.