2012-03-27 11:11:51

Papa në Kubë: Vendi i ka sytë tek e nesërmja dhe përpiqet të zgjerojë horizontet.


“Jam i bindur se Kuba, në këtë çast kaq të rëndësishëm të historisë së saj, ka nisur të shikojë të nesërmen e prandaj përpiqet t’i përtërijë e t’i zgjerojë horizontet; e në këtë përpjekje, do ta ndihmojë pasuria e pallogaritshme e vlerave shpirtërore e morale, që formuan identitetin e saj të mirëfilltë”: këtë theksoi Ati i Shenjtë në ceremoninë e mirëseardhjes, në Aeroportin e Santiagos së Kubës, kur avioni papnor, i nisur nga Meksika, preku tokën kubane, pak para orës 21.30.
Për ta pritur Benediktin XVI kishte dalë presidenti kuban, Raúl Kastro, i cili e përshëndeti Papën me fjalët: “Kuba ju pret me dashuri e respekt, ndërsa mua, prania juaj më nderon”. Në fjalimin e mirëseardhjes, Kastro nënvizoi se vendi po punon për drejtësinë e solidaritetin, ndërsa në botë thellohet gjithnjë më shumë hendeku i pabarazisë; denoncoi embargon e SHBA-së kundër ishullit, embargo, theksoi, që prek edhe sektorët financiarë, pa marrë fare parasysh përpjekjet e qeverisë kubane për ndryshime. Presidenti kujtoi shtegtimin në vendin ku nderohet Zoja e Kobres, Nëna e Dashurisë së Krishterë, që i tërheq të gjithë kubanët, besimtarë e jo besimtarë, të cilët mblidhen rreth saj me devocion të thellë. Rikujtoi, më pas, marrëdhëniet e mira ndërmjet Kishës e Shtetit.

Në fjalimin e përshëndetjes, duke iu përgjigjur presidentit Kastro, Benedikti XVI kujtoi vizitën e Gjon Palit II në ishullin karaibik, në vitin 1998. “Një nga frytet më të rëndësishme të kësaj vizite, nënvizoi, ishte fillimi i një faze të re në marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Shtetit kuban, me frymë bashkëpunimi e besimi, ndonëse mbeten shumë aspekte ende të papërfunduara, lidhur, sidomos, me kontributin e pamohueshëm, që ka dhënë e vijon të japë feja në fushën e veprimtarisë publike e shoqërore. Papa theksoi se i ka shumë për zemër aspiratat e drejta e të ligjshme të mbarë kubanëve, kudo që ndodhen, se ua njeh mirë vuajtjet e gëzimet, shqetësimet e dëshirat më fisnike, në mënyrë të veçantë, të moshuarve e të rinjve, adoleshentëve e fëmijëve, të sëmurëve e punëtorëve, të burgosurve e familjarëve të tyre, e, sidomos, të varfërve e nevojtarëve.Dhjetra mijëra kubanë, në festë, ashtu si në Meksikë, kishin mbushur të dy anët e rrugëve nga kaloi Papa, rreth 10 kilometra, nga Aeroporti, në Kryeipeshkvinë e Santiagos së Kubës.







All the contents on this site are copyrighted ©.