2012-03-27 11:19:42

Më 27 mars kalendari kujton shën Aleksandrin, martir


Sipas historisë së martirizimit të tij, me ngjyrime të theksuara legjendare e fantastike, Aleksandri i Driziparës, legjionar romak, kryente shërbimin ushtarak nën urdhrat e tribunit Tiberiani, në kohën e sundimit të perandorit Maksimiani (286-305). U ftua të flijonte për nder të Jovit, në festën e përurimit të tempullit, kushtuar atit të zotave paganë, që përkonte me Zeusin e mitologjisë greke. Nuk pranoi. Për më tepër, deklaroi haptazi se nuk mund të adhuronte zotat e rremë, në sa i besonte dhe i shërbente Zotit të vërtetë. E arrestuan menjëherë dhe e zvarritën para perandorit. Përsëriti me guxim gjithë ç’kishte dëshmuar në çastin e arrestimit. Atëherë nisën ta torturonin, por ai nuk u lëkund për asnjë çast. Ia dorëzuan Tiberianit, i cili e mori me vete në Thrakë, ku pësoi tortura të reja, të cilat i përballoi me guxim të madh. E nisën atëherë në Iliri, ku e lëvizën nga një vend në tjetrin, duke e pyetur për fenë e tij të re e duke vijuar ta torturonin në njëmijë mënyra, derisa Tiberiani e dënoi me prerjen e kokës në Drizipara, jo larg nga Karistirani i sotëm. Trupi i tij u flak në një lum, ku e ëma, Pemenia, që e kishte ndjekur pas kudo, e shpëtoi me ndihmën e katër qenve.
Kulti i Shenjtit nis që në shekullin VI në Drizipara, ku banorët lartuan një kishë madhështore, pikërisht në vendin ku e kishte varrosur e ëma. Kisha u plaçkit e u rrënua në fillim të viteve 600 gjatë dyndjeve të fiseve barbare të avarëve të cilët, sipas dëshmisë së kronistit bizantin Teofilat Simokati, dhunuan edhe reliket e shenjtit. Por – vijon kronisti - pësuan aty për aty ndëshkimin hyjnor: u sëmurën e vdiqën nga murtaja. Martiriologu romak e kremton shën Aleksandrin më 27 mars.







All the contents on this site are copyrighted ©.