2012-03-27 16:42:27

Krishti e Marksi, sfidë ndërmjet Zotit-njeri e njeriut pa Zot, që peshojnë rëndë, secili në kandar të vet!


Papa i moçëm i fesë së kahmoçme shkon për vizitë te lideri i moçëm e i sëmurë i revolucionit të vdekur.
Shpreson ta bindë të besojë se parajsa e vetme e njeriut, është ajo që mund të gëzohet vetëm pasi ta kemi lënë këtë jetë, e jo gjatë saj. E ai, Fideli, që vjen nga një utopi të ngordhur, e shkon drejt motrës vdekje, ndoshta-ndoshta ka nisur të mendojë se ëndrra e tij për të krijuar parajsën mbi dhe, mund të bëhet realitet vetëm në botën tjetër. Ku ta dish në se do të realizohet kjo ëndërr, në sa dihet fare mirë se në Kubë, parajsa marksiste u kthye në skëterrë. Në fund të fundit lideri s’ka humbur ndonjë gjë të madhe. Tani që nuk beson më në revolucionin, ka nisur të besojë në ringjalljen.
Ka shumë mundësi që Kastro t’i dorëzohet Zotit, t’i dalë para duke e nderuar me grusht e duke shpëtuar biografi e shpirt njëherësh. Ndoshta ndoshta edhe mendon kështu, sepse kështu ka jetuar deri në këtë moshë të lakmuar prej shumëkujt. Prej këndej, ka harruar fare se para Zotit dilet me duar bashkë, ose shumë shumë, me krahë hapur e duar të shtrira. Grushtet s’kanë punë me Parajsën.
E megjithëkëtë, ka ende njerëz, që besojnë se Krishti e Marksi mund edhe të kenë shumë farefisni mendimesh. Sepse, po na shkruajnë ca si shkrimtarë, të cilët i kushtojnë të dyve libra të veçantë e edhe të përbashkët, që të dy po na premtokan shpëtimin nga të gjitha travajët e kësaj jete, Parajsën. Njëri mbi këtë tokë, tjetri, mbi tokë të re e qiell të ri! E s’ po paskan pikë ndryshimi ata, që i kundërvihen marksizmit vetëm e vetëm pse besojnë në Zotin, nga ata, që s’e besojnë Zotin, vetëm pse i besojnë marksizmit!
Duke arsyetuar si filozof tejet i thellë, do të thosha: në se për të, për Kastron, kuptohet, Zoti është thjesht lëkurë feje, e veshur për t’u dukur besimtar, është hollësi e dorës së dytë, me kuptimin popullor ‘ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”, atëherë, gjithnjë duke folur filozofikisht, s’është tjetër, veçse injorant, sepse injoron ndryshimin e thellë dhe eksiztencial ndërmjet besimit në Zotin e shmangies së pasojave, që burojnë nga mosbesimi. Sidomos kur njeriu e shikon se udhët e kësaj bote këputen e para tij hapet një përmasë tjetër…
Është njëlloj si të thuash se Fidel Kastro i ngjet Shën Piut të Pietrelçinës: e njëjta mjekërr, të njëjtat duar të gjakosura. Veçse, me një ndryshim, që nuk mund ta harrojmë, edhe kur na leverdisë: gjaku i Atë Piut ishte i tiji, jo i tjetërkujt, gurronte nga plagë hyjnore, jo nga plagët e hapura në zemër të tjetërkujt, me armët e propozuara nga Marksi, për të shtypur çdo mendim, që ka të bëjë me Krishtin, e jo me revolucionin. Shumë duar ka stërpikur me gjak, mendimi marksist. Prej këndej, sot, natyrisht, shumë duar nuk do ta kenë të lehtë të ngrihen lart, grusht a të hapura, për të pëshëndetur jo Marksin, sepse ku ka shkuar Marksi e di vetëm Provania hyjnore, por vetë Zotin, alfa e omega e jetës!

Sipas shkrimit të Marcello Venezianit “Cristo e Marx, sfida tra pesi massimi”, botuar në gazetën italiane “Il Manifesto”, më 27 mars 2012.







All the contents on this site are copyrighted ©.