2012-03-27 16:42:00

Benedikti XVI në shenjtëroren e Zojës së Kobres: Kuba të shkon përpara në udhën e ndryshimit e të shpresës


Vazhdon shtegtimi i Papës Benedikti XVI nga Meksika në Kubë. Mbrëmë, Ati i Shenjtë Ratcinger mbërriti në Kubë, në një vizitë, që synon t’i japë shpresë për të ardhmen popullit e Kishës Katolike të ishullit karaibik. Para nisjes për në Havanë, është mjaft domethënëse se Papa u bë shtegtar si gjithë të tjerët në shenjtëroren e Zojës së Kobres në Santiago de Cuba, ku ndezi një qiri e tha Lutjen e besimtarit drejtuar Nënës së Dashurisë së Krishterë, sipas ritualit të Viti Jubilar, me të cilin shtegtarët kërkojnë ndjesën e plotë.
Historia e këtij vendi shtegtimi, më i nderuari në Kubë, lidhet ngushtë me disa nga ngjarjet shoqërore e politike më të rëndësishme të vendit. Gjithçka nisi në vitin 1606, kur tre peshkatarë (dy indianë, Juan e Rodrigo de Hoyos dhe një skllav zezak, Juan Moreno) gjetën një shtatore prej druri të Zojës, që pluskonte mbi ujërat e Bahía de Noipe. Tek këmbët e saj shkruhej “Jam Zoja e Dashurisë së Krishterë”. Shtatorja u mbart në minierën e bakrit të El Cobre dhe, në të njëjtin lokalitet, më 1684, u ngrit shenjtërorja e parë. Më 10 maj 1916, Papa Benedikti XV e shpalli ‘Virgén de la Caridad”, Pajtore të Kubës.
Sot, pasi iu lut për ndjesën e plotë, Papa me të njëjtin emër, por kësaj radhe, Benedikti XVI përshëndeti besimtarët e shumtë, të mbledhur në sheshin e në radhën e gjatë të shkallëve, para shenjtërores. E quajti Zojën, ashtu si kubanët, “Mambisa”, term, që i ka rrënjët në luftën për pavarësi. E duke iu referuar problemeve e vështirësive të vendit, theksoi:
“Thuajuni të gjithëve, këdo që të takoni, të afërt apo të largët, se ia kam besuar Nënës së Zotit të ardhmen e atdheut tuaj, që të ecë në rrugën e përtëritjes e të shpresës, për të mirën e të gjithë kubanëve. I jam lutur Virgjërës së Shenjtë edhe për nevojat e atyre që vuajnë, që s’kanë liri, që janë larg nga të dashurit, ose jetojnë çaste tejet të vështira”.
Jam lutur edhe për të rinjtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, që të jenë miq të vërtetë të Krishtit e të mos shkojnë në rrugë, që lënë pas vetëm trishtim. Jam kujtuar edhe për afrokubanët e për popullsinë e Haitit, që vuan pasojat e tërmetit, si edhe për fshatarët e familjet e tyre, që ofrojnë shtëpitë si qendra misioni për kremtimin e Eukaristisë. E Benedikti XVI përfundoi me fjalët:
“…inkurajoj të gjithë bijtë e kësaj toke të dashur të vazhdojnë ta bazojnë jetën mbi një shkëmb të patundur, mbi Jezu Krishtin, të punojnë për drejtësinë, të jenë shërbëtorë të dashurisë së krishterë e të kenë durim para sprovave. Asgjë e askush të mos ua largojë nga zemra gëzimin e brendshëm, kaq karakteristik për shpirtin kuban”.







All the contents on this site are copyrighted ©.