2012-03-26 18:58:44

Në Kubë, ‘të kuqtë’ në procesion për t’u takuar me Papën.


Na ishte se ç’na ishte, na ishte një herë, jo shumë kohë më parë, në Venezuelë, një hjerarki katolike, ‘tumor’, që duhej shkulur me gjithë rrënjë nga gjiri i shoqërisë. Na ishte edhe një kardinal, që s’ish njeri, po vetë djalli i mallkuar, që e kishte ndërruar ngjyrën e zezë, me atë të kuqen. As më pak e as më shumë se vetë prijësi i vendit...
Nga njëra anë ‘tumori’ – nga ana tjetër ‘doktori’, Hugo Çavez, akoma në formë, gjithnjë i frymëzuar nga Krishti, për të, socialisti i parë i historisë. Revolucioni i tij, ashtu si ai i Fidel Kastros, i shikonte priftërinj, ipeshkvij e kardinaj si pengesë serioze në rrugën e lumturisë socialiste e komuniste. Njerëz të çuditshëm, që përfaqësonin Krishtin, po që nuk e njihnin fare! Madje guxonin edhe ta predikonin, ashtu si u pëlqente atyre, e jo Sekretarit të madh të partisë...
“Prej vitesh thellohem në studimin e doktrinës së krishterë, për të gjetur pikat e takimit me doktrinën e time revolucionare”- i pati treguar Fidel Kastro, në vitin 1985, fratit brazilian Betto, në një intervistë të gjatë, e cila më pas u bë manifest i Teologjisë së çlirimit. Po kubanët e thjeshtë nuk kishin fare dijeni për teoritë që bluante në kokë udhëheqësi i tyre legjendar, ndërsa e dinin fare mirë se po ta festoje Krishtlindjen, ose, edhe më keq akoma, po të pagëzoje fëmijën, shi atë vit, pushoheshe nga puna ose e pësoje edhe më keq. Burgjet ishin plot edhe me njerëz që merreshin me veprime të tilla armiqësore...., të cilat, çuditërisht, e paskëshin frymëzuar udhëheqësin.
Por edhe në se Benedikti XVI, siç vijon të flitet, pavarësisht nga dyshimet e zëdhënësit të Vatikanit, mund të takohet nesër, në Havanë, si me Çavezin, që lufton kundër një tumori vdekjeprurës, ashtu edhe me Fidelin, 85 vjeçar, që thonë se është penduar thellësisht, as njëri as tjetri nuk kanë kohë ta korrigjojnë ç’kanë bërë në të kaluarën. E as të rindërtojnë vijat teologjike, që i kanë shprishur prej vitesh. Dimë pak, si për takimet e hamendësuara, ashtu edhe për atë, që mund të thuhet. Kjo është e drejtë. Në fund të fundit secili i bën vetë hesapet me shpirtin e vet, kur e ndjen se po i troket ora e fundit...
Kështu Fideli, ndërsa Çavezi nuk ka nevojë fare për pendesë. Ka qenë gjithnjë katolik i deklaruar. E kur e quante “njeri shpellash e gjakpirës të popullit” ipeshkvin e Karakasit, Jorge Urosam, nuk shikonte kurrfarë kontradikte ndërmjet këtij qëndrimi ndaj prelatit e idelogjisë që përfaqësonte. Pastaj i ra mbi kokë sëmundja, tumori. Sipas disa mjekëve, i mbeteshin vetëm pak muaj jete. Po ai nuk do ta pranojë, e mohon, ëndrron të shërohet e të rizgjidhet. Mesianik, që në fillim të rrugës së tij politike, sot kapet pas misticimit, si njeriu, që po mbytet, pas një fije kashte. Na thotë se me shëndetin e tij merret vetë Zoti, Zoja e Luginës, Zoja Karmë e edhe shpirtërat e savanës. Ndez qirinj e lutet natën bashkë me besnikët e tij, ndërsa vijon operacionet e kemioterapinë. Ka arritur, kështu, në përfundimin, se parrulla “Socializëm o vdekje!”, sot tingëllon pak si makabre. E ka zëvendësuar, prandaj, me një tjetër (sa shpesh i ndërrojnë diktatorët parullat): “Do të jetojmë e do të fitojmë!”. Mbasi, shton, “rëndësi ka të jetoj, sepse kështu fiton edhe revolucioni!”.
Ndërkaq, përsa i përket takimit me Fidel Kastron, në formë private, është interesuar vetë Papa. Nuk është gjë e re. Mjafton të kujtojmë se ajo që bëri më shumë përshtypje gjatë vizitës së Gjon Palit II në Kubë, në vitin 1998, ishte takimi me liderin, i cili pikërisht ato ditë i tha lamtumirë divizës ushtarake të komandantit të revolucionit, ndoshta botëror. Ku ta dish!?
Na ishte se ç’na ishte, na ishte një herë një lider, që zhveshi divizën ushtarake të revolucionit të kuq e, i veshur si gjithë bota, doli të priste Njeriun e veshur me të bardha. Që atëherë katolikët e Kubës janë shumë më të lirë.
E hjerarkia katolike ka marrëdhënie të mira me qeverinë (madje paksi tepër, ankohen këto ditë disidentët). Por ka shumë mundësi që këto vite, në veshin e Papës Ratcinger të kenë arritur zëra, që flasin për një Fidel Kastro të gatshëm të rikthehet në grigjë. E s’është aspak për t’u çuditur, po të mendosh se është katolik nga familja, i edukuar ndër jezuitë dhe gjithnjë tejet i interesuar për punë teologjie. Më 1985, kur i shpjegonte Frei Bettos se nuk gjente kontradikta të mëdha ndërmjet Krishtit e Marksit, pohonte dhe se, përsa i takon fesë, ah, fenë e kishte humbur prej kohe. E kish humbur, por tani edhe mund ta gjejë përsëri.
Ishte se ç’na ishte... po që atëherë kanë kaluar shumë vite. Duke folur me Leonard Boff, rregulltar tjetër brazilian, me mend e me zemër shumë afër Kubës, Kastro pati pohuar se do t’i pëlqente të rikthehej në fenë e fëmijërisë, ndonëse e dinte që kjo nuk do të ndodhte kurrë. Por - pati shtuar - më pëlqen të të kem këtu pranë ditën kur do të më afrohet ora e fundit.
I shpëtuar në vitin 2006 nga një mjek spanjoll, i njëjti që tani përpiqet të përsërisë mrekullinë me Çavezin, Fidel Kastro e ka marrë shumë mirë veten, po të kemi parasysh moshën e tij. Madje e ka mbajtur edhe premtimin se nuk do të merrej më me pushtetin në Kubë, por me çëshje, që kanë të bëjmë me ardhmërinë e njeriut (ndoshta ndoshta me parullën “idetë e partisë kubane janë e ardhmja e botës?!). Pas takimit me Gjon Palin II, që, pati pohuar, e mahniti, tani shpreson të takohet edhe me Benediktin XVI, me të cilin, pohon, ka shumë pika takimi. E në se do të takohen me të vërtetë, ka shumë mundësi të flasin edhe për punë tokësore! Kubane, kuptohet. Sepse kanë mbetur ende shumë muhabete përgjysëm, në vendin ku do të shkelë Papa.
Na ishte ç’na ishte... Dimë ç’ishte. Por nuk e dimë kurrë se ç’do të jetë! Sidoqoftë besojmë se pas një takimi të mundshëm të Fidelit me Benediktin, katolikët e Kubës do të jenë shumë më të lirë!
Sipas shkrimit të gazetës italiane “Corriere della Sera”, botuar më 26 mars 2012, në faqen 19, titulluar “Cuba, procesione di ‘rossi’ che sperano di vedere il Papa".







All the contents on this site are copyrighted ©.