2012-03-26 17:39:38

Ceremonia e lamtumirës nga Meksika. Papa uron: Mbetshi me Tënzonë!


Benedikti XVI sapo ka mbërritur në Kubë, pas katër orësh udhëtimi me avion nga Meksika, ku vizita e tij pati një jehonë të jashtëzakonshme, jo vetëm për turmat oqeanike, që e shoqëruan, por edhe për pasqyrimin në media të fjalëve, që u drejtoi meksikanëve. Nga heshtja e pabesueshme, që ra mbi Parkun e 200-vjetorit të pavarësisë në Leon, gjatë homelisë së meshës, kuptohej qartë se njerëzit i dëgjonin me etje fjalët e Papës, kishin nevojë për to. Fjalë kundër dhunës e vdekjes, kundër terrorizmit e drogës; fjalë të dhembshura, që i tregonin popullit meksikan rrugën e daljes nga problemet, duke e këshilluar ta mbajë të pastër zemrën, të imitojë Jezu Krishtin, sepse Ai çon drejt përparimit e jo strategjitë njerëzore.
Në ceremoninë e lamtumirës, në aeroportin ndërkombëtar të Guanajuatos, Benedikti XVI u përsëriti me forcë meksikanëve ftesën për t’i qëndruar besnikë fesë së tyre, që e gjen shprehjen e vet në dashurinë e jashtëzakonshme për Zojën, e thirrur në Meksikë me emra kaq të bukur si Zoja e Guadalupes e Zoja e Dritës. Meksika nuk duhet të ketë frikë nga forcat e së keqes, vazhdoi Ati i Shenjtë, por të punojë që e tashmja dhe e ardhmja e saj të gjallërohen nga limfa e rrënjëve të veta të krishtera:
“Kam qenë dëshmitar i shqetësimeve për disa aspekte të jetës së këtij vendi të dashur, disa të kohës së sotme e të tjera të së kaluarës, por që vazhdojnë të shkaktojnë shumë probleme. Duke u bashkuar me vëllezërit e mi meksikanë në gëzime e në hidhërime, i marr edhe këto me vete, për t’i paraqitur me lutje në këmbët e Kryqit, para zemrës së Krishtit, nga ku rrjedhin uji e gjaku shpërblyes”.
E duke e përshëndetur Meksikën dhe popullin e saj mikpritës, Papa la porositë e fundit:
“I këshilloj me forcë katolikët meksikanë dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë, të mos i lëshojnë pe mendësisë utilitariste, që flijon gjithnjë më të dobtit e më të pambrojturit. I ftoj në një përpjekje solidare, që t’i japë mundësi shoqërisë të përtërihet nga themeli për një jetë të denjë, të drejtë e në paqe për të gjithë”.
Për katolikët, sqaroi Benedikti XVI, ky kontribut për të mirën e përbashkët është kërkesë e Ungjillit, shprehja më e lartë e bamirësisë dhe e dashurisë së krishterë. Prandaj Kisha dëshiron që besimtarët të jenë edhe qytetarë të mirë, të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kanë si në sferën personale, ashtu edhe në atë publike. Vizita e Atit të Shenjtë në Meksikë përfundoi me një lamtumirë të veçantë:
“Të dashur miq meksikanë, po ju them lamtumirë, ashtu siç e thoni në shprehjen e bukur tradicionale hispanjolle: Mbetshi me Tënzonë!”







All the contents on this site are copyrighted ©.