Benedikti XVI gjatë Lutjeve mbrëmësore në Katedrale: Kisha të jetë përkrah të shtypurve.
“Kisha të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzve, posaçërisht të atyre që shtypen,
që nuk përfillen nga shoqëria, që përjashtohen nga radhët e saj, që vuajnë”: është
thirrja e fuqishme e Papës mbrëmë, gjatë kremtimit të Lutjeve mbrëmësore, në Bazilikën-Katedrale
të León me ipeshkvijtë e Meksikës e të mbarë Amerikës Latine. Papa i inkurajoi prelatët
të jenë kudo e kurdoherë farë shprese, edhe në situata posaçërisht të dhimbshme për
jetën e Kishës.
Ta përforcojnë
në fe popullin latinoamerikan, të jenë gjithnjë pranë e përkrah tij në ditë të bardha
e të zeza, ta ndihmojnë me vendosmëri e guxim: në Katedralen e León, kushtuar Zojës
së Dritës, Papa u dha zemër ipeshkvijve të jenë “farë shprese”, t’u krijojnë të gjithëve
mundësinë t’i shikojnë me sytë e vet frytet e Ringjalljes. E i ftoi edhe të jenë roje
në bedenat e Kishës, duke kumtuar ditë-natë lumninë e Zotit, që është jeta e njeriut.
“Të
jeni gjithnjë përkrah të shtypurve nën barrën e rëndë të dhunës, të pushtetit
a të pasurisë, që e shpërfill njeriun, të cilit i mungon deri kafshata e bukës së
përditshme” - ishte thirrja e Papës, që, në vijim ripohoi me forcë: “Kisha nuk mund
t’i shërbejë Zotit, pa i shërbyer edhe njeriut. Janë dy shërbime, që nuk mund të ndahen”.
Të jesh njeri, shtoi, do të thotë të jesh vëlla e rojtar i të afërmit. Prandaj, vërejti
më tej, Kisha duhet ta aktualizojë Jezusin e ta rijetojë jetën e Samaritanit të Mirë,
që na mjekoi plagët e u përpoq të na shëronte. Papa nënvizoi, kështu, sfidën e madhe
të ungjillëzimit të ri, duke tërhequr fort vëmendjen tek shërbimi i laikëve.
Formimi
i tyre në fe, pohoi, është vendimtar për ta bërë të pranishëm e të frytshëm Ungjillin
në gjirin e shoqërisë së sotme. Prej këndej, shpjegoi, nuk është e drejtë që laikët
të konsiderohen si njerëz pa peshë në Kishë, si njerëz të papërfillur, edhe pse punojnë
me gjithë zemër, duke dhënë ç’kanë më të mirë e, nganjëherë, edhe duke u flijuar për
t’i shërbyer me përkushtim të plotë Atij, të cilit i besojnë me gjithë zemër: Zotit!
E nuk duhet harruar, pastaj, një nga detyrat me rëndësi të dorës së parë: ndjekja
me vëmendje të madhe e seminaristëve.
Jo më pak themelor për ipeshvijtë,
kujtoi Ati i Shenjtë, është kujdesi për meshtarët, të cilëve nuk duhet t’u
mungojë mirëkuptimi e inkurajimi i ipeshkvit të tyre e, në se është e nevojshme, edhe
qortimi i tij atëror, në raste sjelljesh të papërshtatshme. Papa pranoi se në jetën
dhe misionin e Kishës, nuk mungojnë edhe situata vërtet të dhimbshme. Shprehu, kështu,
shqetësimin e tij, shqetësim që, theksoi duke iu drejtuar ipeshkvijve, e lexoj edhe
në fytyrat tuaja. Por, sido që të ndodhë, shtoi, mos harroni kurrë se nuk jeni vetëm
përballë vështirësive. Të gjithë jemi një gjë e vetme, si në vuajtje, ashtu edhe në
ngushëllim.