2012-03-25 09:07:18

Papa në Meksikë. Takimi me fëmijët në Guanajuato: “Secili nga ju është dhuratë e Zotit për vendin tuaj e për botën”.


Dita e dytë e Papës në Meksikë filloi me Meshën, kremtuar privatisht në Kolegjin e Zojës së Miraflores, seli e shtegtimit papnor, ku morën pjesë rregulltaret e Institutit.Pasdite, pastaj, takimi me presidentin Calderón. Në përfundim të kësaj dite, në të cilën Benediktit XVI iu dorëzuan çelësat e qyteteve Leon e Guanajuato, takimi gazmor me fëmijët në Plaza de la Paz të kryeqytetit. Ishte një festë krejt e veçantë, përplot me harenë e fëmijëve, ndonëse ndërmjet tyre, shumica, me plagë të rënda në korp e në shpirt.
Gëzimit, Papa iu përgjigj me gëzim. Që në fjalët e para shprehu kënaqësinë për këtë takim me fëmijët e Meksikës, posaçërisht me ata, që mbajnë mbi supet e brishta, peshën e rëndë të dhunës, të braktisjes e të urisë e cila, këto muajt e fundit, po ndjehet në disa zona të vendit, ku nuk bie shi prej kohe.
Papa i siguroi fëmijët se
“Zoti i njeh e i do e se, po ta lëmë Krishtin të na i ndryshojë zemrat me dashurinë e tij, atëherë mund t’ia ndryshojmë faqen edhe botës. E kjo është e fshehta e lumturisë së vërtetë”.
Pastaj, Benedikti XVI u ndalua në mënyrë të posaçme tek koncepti i paqes, duke nënvizuar se ajo vjen nga Lart, sipas fjalëve të Zotit të ngjallur, që i përsërisim në çdo Meshë, e që sot tingëlluan përsëri, me shpresë që secili të bëhet bujk i mirë e lajmëtar i paqes, për të cilën Krishti dha edhe jetën:
“Dishepulli i Jezusit nuk i përgjigjet kurrë së keqes me të keqe, por është gjithnjë mjet i së mirës, kasnec i faljes, mbartës i gëzimit, shërbëtor i bashkimit. Jezusi dëshiron të shkruajë në secilën nga jetët tuaja, një histori miqësie. Është miku juaj më i mirë ”.
Papa nënvizoi se shkoi në Meksikë edhe për t’u shprehur dashurinë e tij fëmijëve e të rinjve. Secili prej jush është dhuratë për Meksikën e për mbarë botën, theksoi në vijim, duke kujtuar edhe se familja, kisha, shkolla e shoqëria, duhet të bashkëpunojnë për t’i ndihmuar të rinjtë të jetojnë në një botë më të mirë, pa vuajtje, pa uri, pa zili e pa përçarje:
“Prandaj dëshiroj të ngre zërin, për t’i ftuar të gjithë t’i mbrojnë e t’i ruajnë fëmijët, që të mos u shuhet kurrë buzëqeshja, të jetojnë në paqe e ta shikojnë me besim ardhmërinë”.
I ftoi, pastaj, edhe vetë fëmijët të aktivizohen në jetën e Kishës sipas stilit të jetës së krishterë, e sidomos të marrin pjesë në meshën e së dieles, në katekizëm e në ndonjë grup apostullimi, duke kërkuar vendet e lutjes, të vëllazërimit e të dashurisë së krishterë. Në këtë mënyrë mund të ndjekin shembullin e të Lumëve Kristobali, Antoni e Gjoni, martirëve të vegjël të Tlaxcala të cilët, duke e njohur Jezusin në kohët e ungjillëzimit të parë të Meksikës, zbuluan se në këtë botë nuk ka thesar më të madh, se Ai.
Ishin ende të vegjël, por na japin një mësim të madh: njeriu mund të dojë e të shërbejë në të gjitha stinët e jetës, duke nisur nga blerimi i pranverës, deri në bardhësinë e dimrit të moshës.
Së fundi, Ati i Shenjtë i porositi fëmijët të bëjnë gjithçka është e mundur për të fuqizuar lidhjen e familjeve me Zotin, sepse kështu do të krijojnë kushtet e përshtatshme që bijtë e tyre të jetojnë në një Meksikë me paqe e harmoni. E më pas i ftoi: “Lutuni për të gjithë, lutuni edhe për mua. E edhe unë do të lutem për ju, që Meksika të jetë vatër e ngrohtë, rreth të cilës bijtë jetojnë në paqe e harmoni”.Një fluturim simbolik pëllumbash të bardhë e mbylli këtë takim prekës, në të cilin Papa, para Meshës në Parkun e Dyqindvjetorit, e ftoi gjithë Meksikën, përmes bijve të saj më të vegjël, të besojë në një ardhmëri me paqe e vëllazëri të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.