2012-03-25 16:42:45

Papa e Presidenti meksikan Kalderon: duhet një traktat për armët e lehta. Takimi me familjarët e viktimave të kriminalitetit.


Përhapja e armëve të lehta e të kalibrit të vogël ka favorizuar veprimtarinë e kriminalitetit të organizuar. E nënvizuan Benedikti XVI dhe Presidenti meksikan, Felipe Kalderon, gjatë takimit privat, që zgjati rreth një gjysëm ore, në Shtëpinë e Kontit Rul, të Ganajuajtos.
Hapa të reja përpara në rrugën e çarmatimit bërthamor dhe realizimi i shpejtë i një Traktati ndërkombëtar mbi tregtinë e armëve të vogla e të lehta. Këtë uruan Benedikti XVI dhe Presidenti Kalderon, sipas një komunikate të presidencës së Republikës meskikane. Gjatë takimit, Papa dhe Kreu i shtetit, shpjegon nota, shkëmbyen mendime për sfidat globale, që përballon sot bota, ndaj të cilave si Selia e Shenjtë, ashtu dhe Shteti meksikan mbajnë qëndrim aktiv, në nivel botëror. Ndërmjet tyre, u kujtuan ndryshimet klimaterike dhe pasojat e tyre, siguria ushqimore dhe lufta kundër urisë në botë, dëshira për realizimin e çarmatosjes bërthamore si dhe nevoja për arritjen e një traktati ndërkombëtar mbi tregtinë e armëve të vogla e të lehta, duke parë se përhapja e tyre ka favorizuar kriminalitetin e organizuar.
Iu kushtua vëmendje konflikteve të sotme në botë e u prek edhe tema e edukimit të breznive të reja, ndërsa tema e lirisë fetare, mbi të cilën në Meksikë po punohet për një reformë kushtetuese, u prek shkarazi.
Me rastin e bisedimeve të Papës e Presidentit Kalderon, u zhvillua edhe një takim ndërmjet delegacionit të Vatikanit, me në krye sekretarin e Shtetit, kardinalin Tarçizo Bertone, e delegacionit të qeverisë meksikane
Menjëherë pas takimit, Benedikti XVI takoi grupet e familjarëve të viktimave të kriminalitetit të organizuar. Ndërmjet tyre, nëna e një polici federal, motra e një vajze të rrëmbyer dhe një ish peng.







All the contents on this site are copyrighted ©.