2012-03-25 19:08:29

Në Engjëllin e Tënzot, Papa kërkon të mbrohet jeta e të hiqet dorë nga hakmarrjet e urrejtja.


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, menjëherë pas Meshës në Sheshin e Dyqindvjetorit të Pavarësisë në Leon, Papa u ndalua rishtas tek tekstet liturgjike të së dielës: foli për kokrrën e grurit, që bie në tokë, vdes e jep shumë fryt. Kokrra e grurit, shpjegoi Ati i Shenjtë, është si shembëlltyra, që na kujton kërkesën e grekëve: “Duam të shikojmë Jezusin”. Edhe ne sot i lutemi Marisë të na e tregojë Jezusin. I lutemi Zojës së Guadalupes, që nderohet me devocion prej shekujsh, si shenjë e pajtimit dhe e mirësisë së pakufishme të Zotit për botën.
Papët, kujtoi Benedikti XVI, e quajtën Zojën e Guadalupes “Zojë të Meksikës”, “Pajtore qiellore e Amerikës Latine”, “Nënë e Perandoreshë e Kontinentit latino-amerikan”.
Ndërsa për popujt e Amerikës Latine, Nëna e Krishtit është ‘Trëndafili i Meksikës”, “Zoja e qiellit”, “Virgjëra zeshkane”, “Nëna e Tepejakut”, “Indiane e fisme”. Papa theksoi në vijim, se devocioni për Virgjërën Mari, që na afron gjithnjë tek Jezusi, nuk është sentimentalizëm shterpë e kalimtar, e as besim foshnjor, por buron nga feja e vërtetë, që na nxit ta njohim epërsinë e Nënës së Zotit, ta duam me dashuri bijnore e t’i bëjmë tonat virtytet e saj:
“Ta duash, do të thotë të impenjohesh të dëshmosh Birin e saj; ta nderosh Zojën e Guadalupes, do të thotë të jetosh sipas fjalëve të frytit të bekuar të kraharorit të saj. Në këto çaste, kur shumë familje detyrohen të ndahen e të nisin rrugët e mërgimit, kur vuajnë për shkak të varfërisë, të korrupsionit, të dhunës shtëpijake, të trafikut të drogës, të krizës së vlerave e të kriminalitetit, duhet t’i drejtohemi Marisë e t’i lutemi të na japë ngushëllim, forcë, shpresë”.
Benedikti XVI ia besoi Zojës së Guadalupes Meksikën, gjithë Amerikën Latine e Karaibet, duke kujtuar se:
“Në kohë prove e dhimbjeje, shumë martirë vdiqën me brohoritjen: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Zoja e Guadalupes”, duke dhënë, kështu, dëshminë e pamort të besnikërisë ndaj Ungjillit e Kishës”.
Në përfundim, Papa u lut që prania e Virgjërës në Meksikë, t’u kujtojë të gjithëve respektin për njeriun, detyrën për mbrojtjen e jetës, frymën e vëllazërimit, domosdoshmërinë për t’i mënjanuar hakmarrjet e kota e për t’i dhënë fund urrejtjes, që përçan.







All the contents on this site are copyrighted ©.