Kryeipeshkvi Anxhelo Beçiu, zevendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit,
në vitet 2009-2011 nunc apostolik në Kubë, është edhe një nga shoqëruesit e Papës
në këtë shtegtim ndërkombëtar. E ftuam në mikrofonin tonë, duke iu lutur të na flasë
për etapën kubane të shtegtimit, të interesuar kryesisht për marrëdhëniet e sotme
ndërmjet Kishës e Shtetit në këtë vend, e duke e parë vizitën e Papës si një hap para
në dialogun e filluar prej kohe:
Përgjigje:
- Natyrisht, lidhjet ndërmjet Shtetit e Kishës janë mjaft të mira. Vetëm
dy vjet më parë kremtuam 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike, që nuk u ndërprenë
asnjëherë, ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit kuban. Prandaj mund të themi se marrëdhëniet
ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shtetit kanë qenë gjithnjë të mira, madje do të thosha,
edhe normale. Nuk ka pasur probleme. Por nuk duhet harruar se ‘termometri’ i vërtetë
për të matur temperaturën e këtyre marrëdhënieve, është qëndrimi i qeverisë ndaj
Kishës vendase. Duhet thënë se kohët e fundit, e sidomos në periudhën e fundit, posaçërisht
pas Gjon Palit II, marrëdhëniet janë bërë gjithnjë më të mira e termometri flet për
temperaturë normale në jetën e Kishës, e cila ka fituar shumë më tepër hapësirë për
veprimtarinë e saj. Mund të them se ka dalë nga sakrestitë, ku ishte detyruar të jetonte
e ka nisur një mori veprimtarish katekistike e bamirëse, të cilat më parë as që mund
të mendoheshin. E ajo, që ka më shumë rëndësi, po tërheq gjithnjë më shumë në gjirin
e saj edhe ata, që e kishin braktisur, ose që nuk donin ta njihnin fare. Prej këndej,
thënë me dy fjalë, mund të flitet për dialog të sinqertë, dialog, gjatë të cilit Kisha
mund t’u flasë hapur qeveritarëve për atë që mendon e që dëshiron të realizojë, për
të mirën e vetë popullit kuban.
Pyetje: - Kjo vizitë e dytë mund
të jetë edhe një vijë e re kufiri, ashtu siç qe edhe vizita e Gjon Palit II e cila,
mund të themi, ia ndryshoi jetën katolikëve të Kubës e, ju e dini edhe më mirë, bëri
të zhduket mosbesimi që kishin shumë politikanë të Kubës ndaj katolikëve...
Përgjigje:
- Do të thosha, një pjesë e politikanëve. E kjo, sepse ka edhe të tjerë,
që vijojnë ta shikojnë me dyshim veprimtarinë e katolikëve. Nuk duhet fshehur se
nuk mungojnë edhe politikanë, të cilët kanë, si për shtetin, ashtu edhe për jetën,
ca ide që nuk përkojnë aspak me ato të Kishës. Prej këndej vijojnë ta shikojnë me
dyshim Kishën e të mos i besojnë fare veprimtarisë fetare, e as asaj bamirëse. Ndërsa
shumë të tjerë kanë ndryshuar plotësisht qëndrim. Po tregoj vetëm një ngjarje të vogël:
një herë, në sa merrja pjesë në një pritje, m’u afruan një zonjë e një zotëri, që
pastaj më thanë se ishin anëtarë të asamblesë popullore e, duke vijuar bisedën, shtuan:
“Ju jeni përfaqësues i Vatikanit? Deshëm vetëm t’ju shprehnim admirimin tonë për Kishën.
S’mund të mos e admirojmë, kur shikojmë famullitarin e kishës, ku shkojmë nga një
herë. Është njeri i jashtëzakonshëm. Veç ta shikosh si e sa i ndihmon të varfërit.
Organizon edhe mensën, për ata, që kalojnë çaste të vështira. Ia thashë këtë një shoku
të partisë. Kujtova se do të entuziazmohej, si unë. Por ai ma preu shkurt: “Nuk është
e mundur! Nuk duhet ta lejojmë. Këto punë mund t’i bëjë vetëm partia!”. “Pse nuk i
bën, pra, ia ktheva. E me që nuk po i bën, në vend që ta pengojmë, është e mira ta
ndihmojmë. Madje edhe ta admirojmë për punën, që bën, e jo ta pengojmë”. Ja,
pra, një shembull i vogël, që tregon se ka nga ata që e kuptojnë Kishën, por ka edhe
nga ata, që kuptojnë vetëm ç’u thotë partia. Mbeten, kështu, të bllokuar: gjithnjë
me vizion partiak për jetën e shoqërinë.
Pyetje: - Ç’qëndrim mban
qeveria ndaj veprimtarisë së Kishës – e kardinalit Ortega, në mënyrë të veçantë -
në këtë rol delikat të ndërmjetësimit, që po luan gjatë kësaj faze kaq të rëndësishme
të historisë së Kubës...
Përgjigje: - Vetë fakti që është
thirrur të ndërmjetësojë, tregon se Kisha ka nisur të përfillet, të vlerësohet nga
ana e qeverisë, të njihet për punën, që po bën e për shërbimin, që po kryen. E duhet
të theksoj se po e kryen në heshtje, në lidhje të ngushtë me njerëzit. Nuk mund të
bëjë mrekulli, nuk ka mjete të shumta, por ka një forcë të pathyeshme, atë të Ungjillit.
E pikërisht forca e Ungjillit e nxit të bëjë gjëra të vogla, por shumë konkrete për
njerëzit. Ndërmjet tjerash, në vitin 2008, kur mbi Kubën kaloi uragani shkatrrimtar,
që la pas vetëm vdekje e gërmadha, Kisha ishte në vijën e parë të frontit në ndihmë
të popullsive të dëmtuara. Duke aktivizuar të gjitha organizatat bamirëse të Kishës
universale, u bë pika më e fuqishme e mbështetjes për popullsitë, që kishin pësuar
dëme të pallogaritshme, kishin mbetur pa strehë, pa bukë pa ujë, pa ilaçe, pa gjithçka.
Në ato çaste Kisha bashkëpunoi ngushtë me qeverinë, gjë që u vlerësua shumë. Po kjo
është gjithnjë madhështia e Kishës: atë e bën të pathyeshme Ungjilli e veprimtaria
bamirëse. Edhe kur ia heqin nga duart të gjitha mjetet: shkollat, spitalet dhe institucionet
e tjera, për të cilat ka një përvojë shumëshekullore, ajo e vijon se e vijon udhën,
pikërisht sepse ndriçohet e forcohet nga Shpirti i Zotit, nga Ungjilli e nga veprimtaritë
baimirëse, që vijojnë gjithnjë, haptas a fshehtas, duke dhuruar shumë, por edhe pak:
gjithsesi, duke dhuruar atë, që mund të dhurohet edhe në kohë të martirizimit më gjakatar:
dashurinë e krishterë.
Pyetje: - Një shembull është edhe shtegtimi
i shtatores së Zojës së Kobres, Nënës së dashurisë së krishterë në të gjitha famullitë.
Vizita e Benediktit XVI do të jetë edhe nën shenjën e këtij devocioni. Pjesëmarrja
e madhe në këtë shtegtim na bind se dëshmia e fesë e devocioni marian i kubanëve
nuk u shuan kurrë, pavarësisht nga vështirësitë e së kaluarës....
Përgjigje:
- Zbulova, duke e parë drejtpërdrejt, se Virgén de la Caridad është Nëna
dhe Zoja e të gjithëve, besimtarë e jo besimtarë. Vërehet qartë në procesione, kur
shikon njerëz, që mendoje se janë tepër larg nga Kisha, duke zëvendësuar të krishterët
e lodhur prej rruge, për të mbartur shtatoren e Zojës deri te vendi i kremtimit. Të
mrekullon vërtet një pamje e tillë. Ky shtegtim ishte prova e fundit në pritje të
Papës, kështu të gjithë janë tejet të përgatitur për ngjarjen e madhe. Pastaj e dimë
mirë se Zoja ka ‘sekretet’ e veta, përmes të cilave e çon përpara historinë me hapa
të vogla, po janë pikërisht këto hapa, që sjellin, pak nga pak, ndryshimet aq të dëshiruara.
Pyetje:
- Papa vetë e paralajmëroi, në homelinë e 12 dhjetorit të kaluar, një mesazh të
mundshëm, kushtuar rolit që duhet të luajë feja katolike në udhën e integrimit të
Amerikës Latine, e edhe rolit të ri të kësaj të fundit, në kontekstin botëror...
Përgjigje:
- E dimë se në Amerikën Latine jeton një numër kolosal katolikësh, madje
më duket se është numri më i madh i katolikëve, që kemi në Kishë. Prej këndej, është
e qartë se luajnë e do të luajnë një rol të dorës së parë në jetën globale të Kishës.
E vizita e Papës do t’i ndihmojë katolikët në Amerikën Latine të përforcohen në fe,
të jenë gjithnjë besnikë të Kishës, sepse e dimë që në Amerikën Latine janë gjithnjë
më të pranishme sektet e grupe të tjera fetare, gjë që përbën një problem shqetësues.
E shumë nga meksikanët po joshen nga këto realitete të reja, të cilat vështirë se
mund të quhen ‘kishtare’. Me to bashkohen kryesisht të krishterët e katolikët, që
largohen nga Kisha. Prej këndej, prania e Papës, fjala e tij, do t’i ndihmojë fuqimisht
të mbeten besnikë të Kishës së vërtetë, Kishës së Krishtit.