2012-03-24 11:41:36

Papa: Turmë e hareshme oqeanike dhe dënimi i trafikantëve të drogës, gjest që emocionoi Meksikën


Nisi, në një atmosferë gëzimi e përzemërsie të thellë, vizita e Benediktit XVI në Meksikë. Papa mbërrijti dje pasdite, me orën vendase, në Aeroportin e León-Guanajuato, ku u kremtua edhe ceremonia e mirëseardhjes, në praninë e presidentit federal, Felipe Calderón dhe autoriteteve të tjera të larta civile e fetare dhe një turmë e madhe e hareshme njerëzish.
“Papa në Meksikë: një lidhje e fuqishme, e përzemërt, lindur me Gjon Palin II, vijuar me Benediktin XVI: “Je vëllai ynë meksikan!”. Kjo ishte përshëndetja e parë drejtuar Atit të Shenjtë nga një mori besimtarësh, që e pritën në aeroport.RealAudioMP3
E Benedikti XVI, në përshëndetjen e parë drejtuar Meksikës, madje mbarë Amerikës Latine, iu përgjigj dashurisë, me të njëjtën dashuri. I qetë e i qeshur, Papa Benedikti XVI theksoi se e ndjen veten të lumtur që mundi ta bëjë një shtegtim të tillë, të dëshiruar prej kohe e me gjithë zemër, për të përforcuar në fe popullin e Zotit të këtij Kombi të madh. Një dëshirë e shprehur prej kohe, por e parealizuar, tha Papa Ratcinger, edhe nga paraardhësi i tij, i Lumi Gjon Pali II. Pasi kujtoi dyqindvjetorin e pavarësisë meksikane, një nga arsyet e vizitës, dhe Zojën e Gudalupes, Pajtore e vendit, Benedikti XVI shpjegoi edhe arsyet e tjera kryesore, që e nxitën të marrë një udhë kaq të gjatë e kaq të dëshiruar:
"Vij si shtegtar i fesë, i shpresës e i dashurisë. Dëshiroj të përforcoj besimtarët në Krishtin, t’u jap forcë e zemër për ta gjallëruar fenë, duke dëgjuar Fjalën e Zotit, duke ndjekur Sakramentet e duke jetuar në përkim me to”.
Një qëllim ky, theksoi Ati i Shenjtë, që lidhet ngushtë me Misionin Kontinental, të cilin e nisi në Aparesidë, me ipeshkvijtë latino-amerikanë e që mund të realizohet vetëm duke e jetuar fenë së bashku me të tjerët, duke u bërë misionarë e tharm në gjirin e vëllezërve e të mbarë shoqërisë. Papa u kujtoi besimtarëve se duhet të japin ndihmesën e tyre për një bashkëjetesë paqësore, plot respekt për tjetrin, bazuar mbi dinjitetin e pashoq të çdo njeriu, krijuar nga Zoti, të cilin askush nuk ka të drejtë ta harrojë e, aq më pak, ta marrë nëpër këmbë. Ky dinjitet, theksoi, gjen shprehjen e vet kryesore në të drejtën themelore të lirisë fetare, në kuptimin më të mirëfilltë e më të gjithanshëm të saj.
E nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën se jeta konkrete e secilit mund të ndryshojë, se mund të krijohet një jetë më e mirë. Kjo shpresë, nënvizoi Papa, i ka rrënjët thellë në zemrën e një populli, si ky meksikan e përhapet kudo, si dritë, duke e davaritur errësirën, që nxin e mundon:
"Ky vend, ky Kontinent, janë të thirrur ta jetojnë shpresën në Zotin me bindje të thellë, duke e shndërruar në shërbim, që kryhet me gjithë zemër e në impenjim konkret për të ecur gjithë së bashku drejt një bote më të mirë. Vijojeni ecjen, pa e humbur kurrë besimin në ndërtimin e një shoqërie të bazuar mbi zhvillimin e së mirës, mbi ngadhënjimin e dashurisë, mbi përhapjen e drejtësisë”.
Por nuk duhet harruar kurrë, vijoi Papa, edhe dashuria e krishterë, që duhet të frymëzojë Misionin e gjithë besimtarëve. Urisë, sëmundjes, nevojës, duhet t’u përgjigjemi me solidaritet vëllazëror, me ndihmë, me dashuri për të gjithë:
"Askush nuk duhet të mbetet me duar thatë, i përjashtuar, për shkak të origjinës ose të bindjeve të ndryshme, nga ky mision i Kishës, nismat e së cilës nuk janë në garë me nisma të tjera private ose publike, madje, Kisha është gati të bashkëpunojë me të gjithë ata, që punojnë për të njëjtat qëllime, duke kërkuar vetëm t’i bëjë mirë, me respekt e pa kurrfarë interesi, nevojtarit, njeriut, tëcilit shpesh i mungon gjithçka, duke dhënë, kështu, një provë dashurie të vërtetë”.
Fjalë domethënëse, këto të Papës, drejtuar një populli, që ka vuajtur shumë e vijon të vuajë, siç theksoi, në fjalimin e mirëseardhjes, drejtuar Papës presidenti Calderón, një populli të thyer më dysh nga barra e krizës ekonomike, e dhunës, e kriminalitetit të zakonshëm e atij të organizuar, e edhe e katastrofave natyrore. Por është pikërisht shpresa, solidariteti, prania e vlerave, si familja, liria, demokracia e paqja, pa harruar natyrën gazmore të popullit meksikan, të cilit i pëlqen të vallëzojë edhe në mjerim; të këndojë, edhe në trishtin e të qeshë edhe në mort, që mund të krijojnë kushtet për vazhdimin e ecjes me guxim në udhën e zhvillimit të vërtetë e të gjithanshëm njerëzor. Së fundi, Benediktin XVI e rrethoi një oqean njerëzor, në gjirin e të cilit, shumë të rinj, përgjatë rrugëve, përshkuar me papamobil, nga aeroporti i León-Guanajuato, deri në selinë papnore të Kolegjit të Zojës së Miraflores. Tridhjetë e katër kilometra, gjatë të cilave vijoi shkëmbimi i përzemërsisë, në sa njerëzit e ndjenin fare pranë Pasardhësin e Shën Pjetrit, prijësin shpirtëror të tyre e të miliona vëllezëve përhapur në të katër anët e botës. Zemër për zemër me Papën: ndjesi e jashtëzakonshme. Mund ta kuptojnë e ta besojnë vetëm ata, që e kanë provuar ta shikojnë e ta dëgjojnë, të paktën një herë në jetë, fare nga afër, një Njeri kaq të pazakontë, që nuk përfaqëson ndonjë pushtet tokësor, sado i fuqishëm të jetë, por vetë Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.