E udhëtimit të Papës në Meksikë e në Kubë, që sapo ka filluar, ia kushton komentin
javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: “Çdo
buzëqeshje, që e shndrit fytyrën, është një rreze drite, një ftesë për të buzëqeshur
edhe ne. Dialog i frytshëm ky, që s’ka nevojë për fjalë. Për ata që shkojnë pas Papës,
në udhëtimet e tij, buzëqeshjet, duartrokitjet, shprehjet e gëzimit përgjatë rrugës,
janë aspektet, që bëjnë më shumë përshtypje. Nganjëherë turma vazhdon me kilometra
e kilometra e kurrë nuk është një masë amorfe, por përbëhet nga persona të veçantë,
të panumërt, me shpirt e histori individuale, që flasin me sy e me gjeste. E
Papa preket aq thellë sa mëse një herë, pas udhëtimit të fundit në Benin, foli për
gjallërinë spontane dhe mikpritjen e ngrohtë, në të cilën pa dëshirën e jashtëzakonshme
për jetë – e për jetë të mirë – të një populli të varfër, të cilit nuk i mungojnë
problemet dramatike, por beson e shpreson në të ardhmen. Ngrohtësia
latinoamerikane nuk është më e pakët se ajo afrikane. E meksikanët nuk duan të mbeten
pas në shprehjen e dashurisë e të gëzimit. Është diçka e bukur, që vetëm pamja e Papës
së moshuar shkarazi, ndërsa kalon, zgjon kaq hare të sinqertë e të ndjerë. Është shenjë
se njerëzit e kuptojnë që ai sjell një mesazh të çmuar për jetën dhe paqen. Papa
flet shpesh për gëzimin e krishterë, një gëzim i thellë, i cili lind nga feja në Krishtin
e ngjallur, që askush s’mund t’ia rrëmbejë besimtarit nga zemra. Të tijat, janë fjalë
me peshë. Urojmë, që gëzimi i mikpritjes – përmes dëgjimit të Ungjillit - të shndërrohet
në gëzimin jetëgjatë të shpresës, që nuk zhgënjen”.