2012-03-24 13:38:27

Atë Lombardi: Papa në Meksikë, lajmëtar i paqes, për një shoqëri më të drejtë.


Dita e dytë e Benediktit XVI në Meksikë, ku sot do të jetojë dy takimet më të rëndësishme. Në orën 18.00 me orën vendase, 2.00 me atë evropiane, Papa do të shkojë në shtëpinë e Conde Rul të Guanajuatos, për t’i bërë një vizitë mirësjelljeje presidentit federal, Felipe Calderón. Menjëherë pa kësaj vizite, çasti i shumëpritur: Benedikti XVI do të përshëndesë fëmijët meksikanë në “Plaza de la Paz”, gjithnjë në Guanajuato. Intervistuam drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit dhe të Radios sonë, atë Federiko Lombardi, për mbresat e fillimit të një shtegtimi kaq të rëndësishëm papnor. Atë Lombardi, nga Guanajuato:RealAudioMP3

Përgjigje: - Papa e dinte se meksikanët kishin shumë dëshirë ta shikonin dhe u pa konkretisht sa e madhe ishte kjo dëshirë. Njerëzit buzëqeshnin, përpiqeshin ta shprehnin sa më mirë përzemërsinë, pa kujtuar këtu mikpritjen e presidentit e të autoriteteve. Mijëra njerëz kishin mbushur plot rrugët, nga kaloi Papa. E kjo nuk është gjë e jashtëzakonshme për Meksikën. Kështu e patën pritur edhe Gjon Palin II, me mure njerëzore në të dy anët e rrugës, në festë. E kjo flet vetë për një pjesëmarrje vërtet popullore. Të panumërt, katolikët, pa munguar edhe të tjerët, në një bashkim të tillë, thellësisht popullor e meksikan, rreth shtegtarit të paqes e të dashurisë. Në përgjigjen e fundit, që u dha pyetjeve, të cilat iu drejtuan në avion, Papa foli për zemrën. Përgjigje domethënëse. Vinte në dukje se njeriu, që beson, që beson me të vërtetë, duhet ta hapë edhe zemrën, e jo vetëm mendjen. Është, pa dyshim, përmasa mariane, përmasë e mënyrës si e jeton fenë Meksika, por që duhet ruajtur e pastruar, është fe, që buron nga zemra e hyn në zemër, gjë që po shihet qartë.

Pyetje: - Të flasësh për një vend, i cili vuan, siç e nënvizoi presidenti Calderon, do të thotë t’i japësh një forcë të veçantë edhe fjalëve të Papës...

Përgjigje: - Papa i njeh mirë kushtet e jetesës së këtij populli. Këtu ndjehet fort dhuna, derdhet çdo ditë gjak njeriu, për shkak të luftërave, që lidhen me trafikun e drogës, me krimin e organizuar, goditja e të cilit ndjehet fort. Ka shumë njerëz që kanë humbur familjarët, fëmijët, dashamirët. Prej këndej, është një temë, që i prek tepër zemrat e njerëzve. Papa, natyrisht, vjen si lajmëtar i paqes e i shpresës; dëshiron t’i inkurajojë njerëzit, që të besojnë se jeta mund të ndryshojë, se diçka mund të bëhet, për ta ndryshuar realisht gjendjen e për ta bërë më të denjë për bashkëjetesën njerëzore, të qetë e paqësore.

Pyetje: - A mund të thuhet se është pikërisht Meksika trualli ideal, ku mund të mishërohet misioni Kontinental për ungjillëzimin e ri, që nisi me Aparesidën?

Përgjigje: - Meksika ka disa karakteristika: është vendi më i madh i gjuhës spanjolle në kontinentin latino-amerikan; është vendi i Zojës së Guadalupes, vendi ku, që nga zanafilla e ungjillëzimit të parë të krishterë, pati një sintezë posaçërisht të qëlluar e të thellë ndërmjet kulturës dhe traditave vendase, e fesë së krishterë. Prej këndej, ashtu siç ishte zemër e ungjillëzimit të parë të krishterë, duke pasur në gji të vet edhe këtë Nënë të ungjillëzimit, një Nënë, që i paraqet Birin mbarë popullit të krishterë, mund të jetë, sigurisht, edhe vend shumë domethënës për ungjillëzimin e ri, kumtimin e ri të fesë, parë si kumt i një feje, që vepron përmes dashurisë së krishterë e krijon frymën e drejtësisë, por edhe i një feje, që ka në qendër të vëmendjes njeriun në përgjithësi, fe, që nuk synon të pushtojë vetëm mendjet, por edhe, e kryesisht, zemrat e njerëzve.

Pyetje: - Në këtë realitet, ç’kuptim merr liria fetare, një temë së cilës Papa i kushtoi vëmendje të veçantë në fjalimin e tij? Përparon Meksika edhe në këtë drejtim?

Përgjigje: - Meksika vjen nga një histori konflikti, e edhe tensioni, mbi këtë temë. Ka kaluar çaste persekutimi të mirëfilltë, madje edhe martirizimi të besimtarëve. Por, pas një periudhe të tillë, nisi një rrugë e gjatë, rrugë pajtimi, e Gjon Pali II, në dhjetëvjeçarët e fundit, dha një kontribut të madh në këtë drejtim, duke ndihmuar të rivendoseshin marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Meksikës e Selisë së Shenjtë. Kisha, natyrisht, nuk pushoi kurrë së jetuari në Meksikë. Mbeti gjithnjë e madhe dhe e fuqishme, pavarësisht nga vështirësitë, për shkak të të cilave iu desh të ecte me maturi, për të ridepërtuar në të gjitha fushat, në një vend që dëshiron të bëjë figurën e shtetit laik, por edhe demokratik. Prej këndej, kur flitet për lirinë fetare, duhet të kemi parasysh jo vetëm lirinë e kultit, por edhe mundësinë e Kishës për ta shprehur misionin e saj me vepra, me veprimtari, që mund të jenë edhe publike, jo për të dalë mbi të tjerët, për të pasur privilegje mbi të tjerët, por për t’i shërbyer bashkësisë, për të mirën e përbashkët e me sa më shum fryt.

Pyetje: - Fe, shpresë e dashuri mbeten recetë jo vetëm për ta jetuar plotësisht fenë, por edhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë...

Përgjigje: - E vetmja mënyrë për të qenë i krishterë, është t’i jetosh këto virtyte, që kanë jo vetëm thellësi teologale, por edhe njerëzore, sepse gjejnë shprehjen e vet në sjelljet, në veprimet, që pastaj, mund të ndikojnë fuqimisht jo vetëm në shndërrimin e jetës së njerëzve, por edhe të jetës rreth nesh, jetës së mbarë shoqërisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.