2012-03-23 13:48:43

Udhëtimi apostolik i Papës në Meksikë e në Kubë rrugës drejt lirisë, një etapë e ungjillëzimit të nisur me Koncilin II të Vatikanit


Benedikti XVI sot do të arrijë në Meksikë, etapa e parë e shtegtimit të tij të 23-të apostolik, gjatë të cilit do të vizitojë edhe Kubën. Sot paradite, në orën 9.50, u nis për Fiumiçino, ku kishte dalë për t’i uruar udhë të mbarë, kryeministri italian, Mario Monti.
Në León, Guanajuato e Silao, tre qytetet, ku do të mbahen një mori takimesh, po i jepet dora e fundit përgatitjeve, ndërsa shtegtarët vijojnë të dynden nga mbarë vendi, për të marrë pjesë në një ngjarje kaq të madhe, që po tërheq vëmendjen e mjeteve të komunikimit të mbarë botës.
500 mijë shtegtarë; 2 mijë gazetarë të 500 testatave nga mbarë bota, shtypi, televizioni e web-i; 15 mijë të dërguar të posaçëm për Meshën në Parkun e Dyqindvjetorit, të dielën e ardhshme; 4 njësi shëndetësore urgjence, me 10 ambulanca e 40 shtretër secila. Gjithë kjo veprimtari e ethshme, nën kontrollin e më se 3 mijë policëve të policisë federale e të ushtarakëve. Këto, numrat e shtegtimit papnor. E gjithë kjo, për ta ruajtur të patrazuar pritjen, jo vetëm për arritjen e Papës dhe vijimin në paqe të veprimtarive, por sidomos pritjen për fjalët, që do të thotë, për kumtet, që do t’i përcjellë një populli, të etur për një fjalë të mirë, të cilat, falë pranisë së Benediktit XVI, do ta dëgjojë mbarë bota. Nga Guanajuato, Papa do t’i drejtohet gjithë Meksikës, që ngazëllohet për të gjashtën herë nga një vizitë papnore.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, Benedikti XVI do të shkojë në Kolegjin e Zojës së Miraflores, një kompleks i madh shkollor, nën drejtimin e murgeshave Shërbëtore të Eukaristisë e të Nënës së Zotit, që do të jetë selia papnore gjatë vizitës në Meksikë.
E dje, në praninë e autoriteteve fetare e civile të vendit, u përurua edhe salla e shtypit, pikëpjekje për gazetarët, që ndjekin shtegtimin. Shtegtim në udhën e Kreshmëve, që përfundojnë me Pashkët e ngjalljes, aspekt thellësisht simbolik për Meksikën e sotme. E, për ata, që do të dëshirojnë ta ndjekin vizitën e Papës në web, prej disa javësh ka nisur veprimtarinë kanali zyrtar i vizitës apostolike www.benedictomexico.mx, organizuar nga Konferenca episkopale vendase. Përveç jetëshkrimit të Papës, kanali i internetit përfshin të gjitha hollësitë e vizitës papnore, shoqëruar me fotografitë e vendeve, ku do të shkelë, paraprirë nga programi i përgjithshëm i vizitës. Natyrisht, do të ndjekë e do të përfshijë edhe, e sidomos, fjalimet e Papës gjatë të gjitha kremtimeve. Pikërisht ky kanal ishte edhe pikë takimi për një numër të madh të rinjsh që shërbejnë si vullnetarë këto ditë të mëdha.Pas vizitës së Papës, ndjehet fort impenjimi, nisur muaj më parë, me qëllim që makina vigane logjistike e teknike, të funksionojë pa asnjë ndalesë, duke i hapur, kështu, rrugën arritjes së mesazhit shpirtëror të Benediktit XVI në të katër anët e botës, që ka aq nevojë për kumte feje, paqeje, shprese.







All the contents on this site are copyrighted ©.