2012-03-23 17:39:49

Papa drejt Meksikës: udhëtim shprese e dashurie. Ideologjia marksiste nuk i përgjigjet më realitetit


Benedikti XVI u nis sot për në Meksikë e në Kubë, në udhëtimin e tij të 23-të ndërkombëtar. Në avionin papnor u mbajt, si zakonisht, konferenca e shtypit, gjatë së cilës, Papa iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve. Gjatë bisedës u trajtuan çështje të ndryshme të aktualitetit, që nga plaga e trafikut të drogës në Meksikë, tek gjendja shoqërore në Kubë e deri tek sfida e ungjillëzimit të ri për kontinentin e Amerikës Latine.
“Shkoj për t’i inkurajuar e për të mësuar edhe unë vetë, për t’i përforcuar në fe, në shpresë e në dashuri”: kështu e përshkroi qëllimin e kësaj vizite, Benedikti XVI. Papa nënvizoi se ndjek gjurmët e udhëtimeve historike të të Lumit Gjon Pali II. E duke komentuar gjendjen aktuale në Meksikë, ku trafiku i drogës dhe dhuna përbëjnë një problem të rëndësishëm, Ati i Shenjtë vuri në dukje kontributin, që mund të japë Kisha Katolike:
“Duhet të bëjmë ç’është e mundur kundër kësaj së keqeje, që shkatërron njerëzit e rininë tonë. Do të thosha se akti i parë është shpallja e Lajmit të Mirë të Zotit”.
Kisha, shtoi Papa, ka përgjegjësi në edukimin e ndërgjegjeve e në forcimin e përgjegjësisë morale, sidomos në sferën publike. Ajo duhet ta nxjerrë në pah të keqen, idhujtarinë e parasë, premtimet e gënjeshtërta. E nga ana tjetër, duhet të paraqesë mirësinë e Zotit, të vërtetën e tij.
Duke folur për Kubën, Benedikti XVI kujtoi se vizita e Papës Karol Vojtila, para 14 vjetëve, hapi rrugën e bashkëpunimit e të dialogut, por duhet durim.. Ideologjia marksiste, theksoi Ati i Shenjtë Ratcinger, nuk i përgjigjet më realitetit, duhen gjetur modele të reja e Kisha është e gatshme ta ndihmojë popullin kuban të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, duke mbrojtur gjithnjë lirinë e ndërgjegjes e lirinë e fesë.
Përsa i përket ungjillëzimit të ri në Amerikën Latine, Benedikti XVI pohoi se për t’i bërë ballë shekullarizimit e largimit të njerëzve nga feja, duhet bashkuar zemra me arsyen e duhet forcuar edhe impenjimi i Kishës për drejtësinë shoqërore. Megjithatë, tërhoqi vëmendjen Papa, “Kisha nuk është pushtet politik, nuk është parti, por realitet e autoritet moral”, që ka për detyrë të edukojë ndërgjegjet, në mënyrë që njerëzit të dinë të marrin përsipër përgjegjësinë, që u takon. Benedikti XVI vuri në dukje se në Amerikën Latine ekziston problemi i rëndësishëm i ndarjes së moralit individual nga ai publik. Ka katolikë, ngriti zërin Papa, që në sferën individuale ndjekin Urdhërimet e Tënzot, por në jetën publike nuk veprojnë sipas vlerave të Ungjillit, të nevojshme për të vendosur bazat e një shoqërie të drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.