Më 23 mars kalendari kujton shën Turibin e Mogrovejos.
Një vit më parë, më 23 mars, gjatë një takimi me kardinajt në prag të Koncistorit,
Benedikti XVI e quajti Shën Turibin e Mogrovejos, ‘model i bariut’, që iu kushtua
plotësisht shërbimit të Ungjillit’. Po kush ishte Shën Turibi? Turibio Alfonsi,
i lindur në gjirin e një familjeje të njohur fisnike spanjolle në vitin 1538, studioi
në universitetet më të famshme të Spanjës: në Valladolid, në Salamankë e në Santiago
të Kompostelës, ku u doktorua në drejtësi. Si avokat i shkëlqyer, mbreti Filipi II
e emëroi gjykatës në Granadë të Spanjës. Por më pas, duke pasur nevojë për një kryeipeshkëv
në trojet e pushtuara nga spanjollët në Amerikën Latine, të cilit mund t'i besonte,
ia paraqiti papës si kandidatin e vetëm për këtë mision. Sapo i kishte mbushur 42
vjetët, kur u nis për në Limë të Perusë. Gjatë 25 vjetëve të ipeshkvisë në këtë vend,
organizoi kishën peruviane në tetë dioqeza dhe ngriti seminarin e parë në Kontinentin
amerikan. Mbajti qëndrim të ashpër ndaj priftërinjve që silleshin si pushtues, duke
mbrojtur gjithnjë indianët vendas. E përfundoi shtegtimin e tij tokësor më 23
mars 1606, në një kapelë të vogël në rrethinat e qytetit të Limës, në mes të indianëve,
si të donte që të gjithë ta mësonin se i desh varfanjakët e tij deri në fund të fundit.
Ishte e Premtja e Madhe. Në sa jepte shpirt, eprori i tij luante në harpë psalmet
116 e 31. Gjatë shtegtimit në rrugët e Amerikës Latine, pati përshkuar më se 15
mijë kilometra, pati pagëzuar 60 mijë besimtarë, ndërmjet të cilëve, tre shenjtorë:
Shën Rozën e Limës, Shën Françesk Solanon e Shën Martinin de Porres. Motua e Turibit
ishte: " Koha është e vetmja pasuri që kemi, prandaj duhet ta llogarisim me kujdesin
më të madh".U shpall shenjt më 1726 nga Papa Benedikti XIII.