2012-03-23 17:41:57

Kardinali Barragan: Papa, lajmëtar i dashurisë së Zotit për Amerikën Latine


Edhe pak e Papa do të zbresë në aeroportin e Leònit, me vetëdijen – siç e dëgjuam edhe nga konferenca e shtypit në avion – se shoqëria meksikane është thellësisht e impenjuar për të zgjidhur problemet e rënda shoqërore e pasojat e krizës ekonomike globale. Pikërisht për gjendjen në vend, flet në mikrofonin tonë, ish-kreu i Këshillit Papnor për Baritorinë e Shëndetit, kardinali meksikan Ksavier Lozano Barragàn, i cili e shoqëron Papën në këtë udhëtim:
Para së gjithash, duhet të themi se qëllimi i vizitës së Papës vlen për të gjithë Amerikën Latine, jo vetëm për popullin meksikan, ngaqë shkon veçanërisht për të kremtuar 200 vjetorin e pavarësisë së gjithë popujve tanë – 22 kombe – për të na përforcuar në identitetin tonë e për të na hapur horizontin e së ardhmes. E pastaj, sigurisht, do të flasë edhe për dinjitetin e njeriut, për mbrojtjen e jetës, por sidomos, për atë që Jezusi Zot është për të gjithë ne: baza e bashkimit dhe e forcës, që përfaqëson Benedikti XVI, si Pasardhës i Shën Pjetrit.
Meksika është një vend me disa probleme shoqërore, por me fe të madhe. Si përjetohen këto dy aspekte?
Përsa u përket problemeve shoqërore, nuk janë më të pakta se ato të Evropës në krizë, por pavarësisht nga kjo, në vitin 2011, prodhimi ynë i brendshëm është rritur me 2,5%, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë vend evropian. Prandaj, është gabim të flasësh për problemet shoqërore, si specifike të Meksikës. E vërteta është se ne kemi këtu mafiet e trafikut të drogës nga e gjithë bota, që në këtë moment, janë përqendruar në Meksikë, pasi 3500 kilometrat e kufirit me SHBA-të, përtej të cilave ndodhen 20 milion konsumatorë, tërheqin bosët kryesorë të drogës, që i kanë dhënë hov edhe trafikut të armëve. Ky është problem shumë serioz, së bashku me riciklimin e parave, që bëhet në SHBA-të, dhe me trafikun e njerëzve. E gjithë kjo është kundër jetës së njerëzve, madje, kundër sovranitetit kombëtar. Me rastin e vizitës së Papës, duhen rishikuar marrëdhëniet ndërkombëtare.
Papa do të sjellë edhe një mesazh dashurie…
Po, sigurisht. Papa bën një udhëtim baritor, pra, një vizitë në emër të Jezu Krishtit, përtej interesave ekonomike e politike të kombeve. Papa vjen për të na përforcuar në fe, si në një takim me Zotin, që na bën të gjithë vëllezër. Ai na flet për dashurinë e vërtetë, jo për atë, që thuhet me fjalë, por për dashurinë, që përqafon ekonominë, politikën, kulturën: gjithçka, vërtet gjithçka.







All the contents on this site are copyrighted ©.