2012-03-23 17:42:28

Hyjnia e Shpirtit Shenjt, në predikimin e tretë të Kreshmëve, në Vatikan.


Foli për hyjninë e Shpirtit Shenjt, sot paradite, atë Raniero Kantalamesa i cili, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në Vatikan, mbajti predikimin e tretë të Kreshmëve. Duke vijuar dy katekizmat e mëparshme, kushtuar mësimeve të Etërve të Kishës Lindore, predikatari i Shtëpisë Papnore u bazua tek Shën Bazili, për të vënë në pah, posaçërisht, përshkrimin e veprimit të Shpirtit Shenjt në historinë e shëlbimit e në jetën e Kishës.
“Shpirtrat e krijuar gjallojnë për vullnet të Atit; përcillen nëpër jetë nga Biri e përsosen për virtyt të Shpirtit Shenjt”: kështu e pati shpjeguar veprën e Trinisë Shenjte Bazili, ipeshkëv e dijetar i Kishës, që jetoi në shekullin IV, duke u bërë shumë i njohur, posaçërisht për Traktatin kushtuar Shpirtit Shenjt. Në të përshkroi veprimin e Vetjes së Tretë hyjnore, duke theksuar ngjashmërinë me Atin e me Birin. Është Shpirti Shenjt, tha atë Kantalamesa, ai, që e bën universin dhe çdo njeri të kalojë nga çrregulli, në rregull, nga pështjellimi, në harmoni, nga shëmtimi, në bukuri, nga vjetërsia, në risi. Shpirti e rregullon, e zbukuron, e rinon botën. Por kjo nuk duhet kuptuar sikur...:
“Hyji Atë të kishte krijuar një lëmsh kaotik, që kishte nevojë për korrigjimet e Shpirtit Shenjt. Na e shpjegon përsëri Shën Bazili se ishte pikërisht plani i Atit ta krijonte botën përmes Birit dhe ta çonte në përkryerje, përmes Shpirtit Shenjt”.
E, duke shpjeguar, më pas, praninë e Shpirtit Shenjt në veprën e Shpërblimit, ashtu si e përshkruan Bazili, predikatari i Shtëpisë Papnore, shtoi:
“Shpirti Shenjt është në veprim që në parafoljet e profetëve e në përgatitjen e ardhjes së Shëlbuesit; përmes tij realizohet mishërimi në kraharorin e Virgjërës Mari, sepse Zoja u zu pikërisht për virtyt të Shpirtit Shenjt; është ai bagmi, me të cilin u lye Jezusi në pagëzim. Me gishtin e Hyjit e me Shpirtin Shenjt Jezusi dëbon djajtë. Në përfundim, thotë Bazili, Shpirti Shenjt ishte shok i pandarë i Jezusit gjatë gjithë jetës së Tij”.E Shpirti Shenjt, shton përsëri Bazili, është i pranishëm edhe në Kishë e në jetën vetjake të të krishterit: pastron shpirtrat nga mëkatet e i hap njeriut udhën e bashkimit me Zotin. Shpirti Shenjt, përfundoi atë Kantalamesa, na risjell dritën. Është ai, që e bën gjithnjë më të ndritshme figurën e Zotit, të cilën mëkati mundohet ta mjegullojë, ta mbulojë, ta bëjë të padukshëm. Dhe e gjithë kjo, bëhet e mundur pikërisht për virtyt të Shpirtit Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.