2012-03-23 11:50:19

10 vjetori i nënshkrimit të marrëveshjes Vatikan-Shqipëri


Përkujtojmë 10 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes Vatikan-Shqipëri. Pra, si sot, më 23 mars 2002, në Tiranë u nënshkrua "Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve reciproke". Për Selinë e Shenjtë nënshkroi Shkëlqesia e Tij, Imzot Giovanni Bulaitis, Nunc Apostolik në Shqipëri, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, kryeministri, Zoti Pandeli Majko.
Përfaqësuesi papnor shoqërohej nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Durrës-Tiranës dhe zëvendës-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë si dhe nga Imzot Ambroz Madtha, Këshilltar i Nunciaturës Apostolike në Shqipëri. Qeverinë e Shqipërisë, përveç Kryeministrit Pandeli Majko, e përfaqësonin edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Zonja Arta Dade dhe autoritete të tjera qeveritare.
Shkelqësia e Tij, Imzot Bulaitis, shprehu kënaqësinë e Selisë së Shenjtë dhe të Kishës vendase për nënshkrimin e marrëveshjes e cila, në rrethanat e sotme të historisë së Shqipërisë, mund të konsiderohet pa dyshim si një ngjarje me rëndësi të madhe historike.
Nga ana e tij, Kryeministri Pandeli Majko falënderoi Selinë e Shenjtë dhe Kishën katolike në Shqipëri për kontributin e madh që i jep popullit dhe uroi që kjo marrëveshje të fuqizojë më tutje lidhjet ndërmjet Shqipërisë e Selisë së Shenjtë.
Kjo marrëveshje, pas një polemike të ndezur në parlamentin shqiptar u ratifikua më 23 maj me 91 vota pro, dy abstenime dhe asnjë kundra, ndërsa të gjithë deputetët ishin të pranishëm në sallë.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Republika e Shqipërisë garanton lirinë për të shpallur dhe për të praktikuar në publik fenë katolike. Kisha Katolike në Shqipëri ka të drejtë të organizohet dhe të plotësojë misionin e saj. Republika e Shqipërisë njeh zotësinë juridike të personave ligjorë për ente e entitete të tilla të Kishës Katolike, të cilat janë të parashikuara në të Drejtën Kanonike të Kishës, siç janë kryedioqezat, dioqezat apo administraturat apostolike, famullitë kishtare, bashkësitë fetare, misionet, shoqatat, seminaret, shkollat dhe institucionet arsimore të të gjitha niveleve, institucionet shëndetësore, pas regjistrimit të tyre nga organet e drejtësisë. Selia e Shenjtë dhe Kisha Katolike në Shqipëri gëzojnë lirinë e plotë të komunikimit dhe të korrespondencës me njëra-tjetrën. Republika e Shqipërisë dhe Selia e Shenjtë do të mbajnë marrëdhënie diplomatike në nivelin e Ambasadës dhe Nunciaturës Apostolike. Kisha Katolike ka të drejtën të posedojë mjete të vetat të komunikimit masiv dhe ka të drejtën të përdorë mjetet publike të komunikimit masiv, në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Autoriteti kompetent kishtar ka të drejtë të krijojë strukturat përkatëse të Kishës, e në veçanti, të krijojë dhe të modifikojë personat juridikë kishtarë, në përputhje me të Drejtën Kanonike të Kishës dhe duke respektuar ligjet shtetërore shqiptare. Selia e Shenjtë është e lirë të zgjedhë një klerik në detyrën e Ipeshkvit ose të Administratorit Apostolik, i cili mund të jetë dhe Ipeshkëv.
Pas kësaj marrëdhëveshje të 23 majit 2002, më 2005 vjen ligji për “Procedurat e Njohjes së zotësisë Juridike të personit Juridik Kishtar të Kishës Katolike“.
Më 2007: Marrëveshjen ndërmjet arkivit të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë me Arkivin Sekret të Vatikanit.
Gjithnjë në vitin 2007 kemi edhe Ligjin mbi rregullimin e disa aspekteve ekonomike dhe fiskale të funksionimit të disa enteve të Kishës Katolike në Shqipëri.
Po këtë vit nënshkruhet edhe marrëveshja midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Qendrës kërkimore-spitalore "Bambino Gesù" (entit të Selisë së Shenjtë) të Romës.
Më 2010 kemi marrëveshjen midis Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë dhe Universitetit Katolik të Romës "Sacro Cuore", Poliklinika Universitare "Agostino Gemelli" .
Më 2011 nënshkruhet protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë se Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Opera Romana Pellegrinaggi.







All the contents on this site are copyrighted ©.