2012-03-22 17:07:52

“Shkëlqimi i ujit”,
poezi e Karol Vojtilës


Pak ditë më parë, në një nga sallat më të bukura të Romës, u dha një shfaqje, titulluar “Shkëlqimi i ujit-Poezi të KarolVojtilës”, recituar nga aktorë të talentuar, shoqëruar me muzikë nga kapela Ars Musicalis e Shoqatës ‘Muzika për paqen’. Poezitë u krijuan në vitin 1950, tre vjet para se autori i tyre poet, të bëhej edhe papë. Zgjodhëm vetëm një prej tyre, atë që i dha titullin koncertit të fjalës artistike, me vargjet e një autori fare të pazakontë, tepër të njohur si Papë, pak e aspak, si Poet, fat që në kohët moderne e kanë shumë nga kokëshkretët, që vijojnë të besojnë se modernizmi nuk do t’ia dalë kurrë ta vrasë ‘kohën e artë të poezisë’:
Kënga e Shkëlqimit të ujit

Nga fundi i fundit, ku desha veç të thith
ujin me buzë plasaritë, në bebe të syrit
më vërshoi Shkëlqimi...Të shumta zbulimet mia
deri në këtë ças vetëtitës,
kur qiellin e lartë e jetën e zbrazët
i pashë, pasqyruar në fund të pusit.

Nga vetja pa hequr kurrë dorë,
unë dua Të të thith brenda meje.
Në fund të shpirtit të më mbetesh,
si mbeten në pasqyrë të pusit
fletët e lulet, që i lulëzojnë përmbi.
E në bebe të mahnitur të syrit
rrezja të më vezullojë,
e lidhur me dritë të gjithësisë,
korp më korp duke prekur Shkëlqimin!
Njerëzit, që e kanë njohur në këndvështrimet më të ndryshme Papën Vojtila, dolën nga salla me vetëdijen se kishin depërtuar në skajin më të panjohur të shpirtit të Gjon Palit II, në atë ku fshihej Poeti. Duke hyrë, kështu, edhe në thellësitë e pasqyrimeve të pusit, që është shpirti i njeriut: Poet e spektator. I etur për Shkëlqimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.