2012-03-22 12:50:08

Çelësi i fjalëve të Kishës: përgjigjja e të krishterit para "tundimit"


Supozojmë se dikush paraqitet në një biletari hekurudhore dhe kërkon një biletë. Nëpunësi e pyet: “Ku dëshironi të shkoni?” e ai përgjigjet: “Nuk e di. Më jep një biletë, për ku të duash…”. Secili prej nesh do ta shihte me habi e paksa me shqetësim këtë person. E megjithatë, nganjëherë, edhe ne nuk e dimë saktësisht se ku shkojmë, ç’drejtim ka jeta jonë. Për çfarë jetojmë? Shumë mund të përgjigjen: për fëmijët, e të tjerë: për të ndërtuar një botë më të mirë. Por ç’botë e ç’të ardhme të lumtur për fëmijët tanë kemi ndërmend? Shpesh tundohemi nga gjëra pak të rëndësishme. E pikërisht për “tundimin” do të flasim në emisionin e sotëm.
Krezhmët, që po përjetojmë në këtë kohë të vitit, janë një çast i privilegjuar për t’i dhënë kuptimin e vërtetë jetës, për të ndryshuar e rifilluar plane, që shpesh kërkojnë vendime të vështira. Është një rrëmim brenda vetes, të cilit nuk i shpëtoi as Jezusi. Duke qenë Njeri i vërtetë, ai nuk luajti thjesht rolin e njeriut për t’ua mbushur mendjen të tjerëve, por pak nga pak, përmes reflektimit e lutjes, u bë i vetëdijshëm për misionin, që i kishte besuar Ati i Gjithpushtetshëm. Hezitoi, u përpoq, u tundua, madje tmerrësisht, të imponohej me forcë, siç i thoshte qoftëlargu në shkretëtirë, por Zoti nuk imponohet, propozohet. Ai e do njeriun, prandaj nuk e dhunon zemrën e tij. Jezusi përsëriste shpesh se kishte ardhur për t’u dhënë njerëzve lirinë e dinjitetin e bijve të Hyjit.
Të gjithë ungjilltarët i përshkruajnë, me simbole domethënëse, përpjekjet e Krishtit për t’i qëndruar besnik misionit të vet. Është pikërisht pjesa, kur djalli e tundon Jezusin në shkretëtirë. Janë tre tundime, me të cilat ndeshen të gjithë njerëzit, në të gjitha kohrat.
Tundimin e parë mund ta quajmë “të konsumit”. Pasi kishte agjëruar 40 ditë e 40 net në shkretëtirë, Jezusi pati uri. E atëherë, djalli i afrohet e i thotë: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”(Mt 4,3). Jo vetëm për vete – është nënteksti – por ti, që mund të bësh kaq shumë, mund t’u japësh të hanë kështu, me shkop magjik, të gjithë të uriturve të botës. Sot, ndoshta do ta quanim këtë një “mrekulli ekonomike”!
Por Jezusi përgjigjet: “Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale, që del nga goja e Hyjit”(Mt 4,4). Me këto fjalë, Ai nuk na kërkon të mos interesohemi për të mirat e e kësaj bote. Lutja, që na ka mësuar, thotë: “Ati ynë që je në qiell… bukën tonë të përditshme na e jep neve sot”. E ne luftojmë për këtë bukë. Por, Krishti na kërkon diçka tjetër, të mos i japim konsumit material vlerën, që nuk e ka, duke menduar se prejt tij varet lumturia e njeriut.
Për një prind, është shumë e thjeshtë ta kuptojë këtë. Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm të hanë, të pinë, të vishen e të kenë lloj-lloj lojrash, por duan t’u kushtosh kohë, vëmendje, duan të dëgjojnë fjalën e të ndjejnë dashurinë e prindit. Ashtu si fëmijët, çdo njeri ka nevojë për dashurinë e Hyjit Atë. Zoti i flet vazhdimisht botës. Nëse njerëzit nuk e dëgjojnë Fjalën e Tij e nuk e jetojnë atë, mund të konsumojnë sa të duan, mund të organizojnë një shoqëri, që synon të prodhojë sa më shumë, e megjithatë, të ndjejnë urinë, që nuk shuhet kurrë. E të pakënaqur, do t’u hyjë edhe ankthi në shpirt, pasi janë të uritur, por nuk e dinë përse. Të shkretët bij, që nuk e njohin më atin e tyre!
Tundimi i dytë, të cilin e provon edhe Jezusi, është ai i “pushtetit”. Djalli e shtyn të përdorë pushtetin e Atit për të nxjerrë përfitime për vete. Por Krishti i ikën: “Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”(Mt 4,7), pra, mos pretendo prej Tij të vihet në shërbimin tënd, je ti ai, që duhet t’i shërbesh. Forca e Jezusit qëndron në faktin se vihet krejtësisht në dispozicion të Atit për të shërbyer vëllezërit.
Ndërsa ne, vështirë t’i largohemi këtij tundimi. Gjatë historisë, një numër pa fund grupesh njerëzore, kombesh, racash, shtetesh, qeverish, ushtrish e partish politike përpiqen ta fusin Zotin në thesin e tyre: “Zoti është me ne”, “të krishterët janë me ne”, për fitoren tonë, për vendosjen e “rendit”, apo për “revolucionin”. Edhe individualisht, sa herë tundohemi ta themi Atynën mbrapsht: “Ati ynë që je në qiell, u bëftë vullneti im…”, e nëse Zoti nuk “bindet”, ka njerëz që i kthejnë shpinën.
Tundimi i tretë është “idhujtaria”. Shën Mateu ungjilltar i vë qoftëlargtit këto fjalë në gojë: “’Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron’. Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’“(Mt 4,9-10). E ne? Ne, a s’kemi idhujt tanë të përditshëm, duke filluar nga idhulli më i madh, “paraja”? Edhe ai, që lufton për ta zbritur nga piedestali, a nuk ka idhuj të tjerë si: paketa e duhanit, këngëtarja e famshme, televizioni, moda, ose idetë, ideologjitë. Shpirti i Shenjtë na çon edhe ne në shkretëtirë: në mesin e zhurmës së jetës, ose në heshtjen e zemrës.
Edhe sot, Jezu Krishti na flet përmes Ungjillit, e na pyet: Për ç’lloj lumturie luftoni? Ç’botë po ndërtoni? Pra, “për çfarë jetoni”?







All the contents on this site are copyrighted ©.