2012-03-22 12:34:19

Shtegtimi i Papës në Meksikë e në Kubë: programi.


Papa, bari e shtegtar në Meksikë e Kubë (23-29 mars 2012). Është shtegtimi i 23-të apostolik ky, që nis Ati i Shenjtë drejt Meksikës e Kubës. Të ndryshme, arsyet e dy etapave: kryesisht, përkujtimi i 200-vjetorit të pavarësisë së Meksikës dhe i 400-vjetorit të gjetjes së figures të Zojës, nën emërtimin Virgén de la Caridad del Cobre, Pajtore e Kubës. Në të dy vendet është ende i gjallë kujtimi i vizitave të Gjon Palit II: pesë, në Meksikë, dhe një e gjashtë, simbolike, që përfundoi më 31 dhjetorin e kaluar, gjatë të cilit reliket e të Lumit Karol Vojtila shtegtuan në të 91 dioqezat; ndërsa më 1998, Papa polak pati shtegtuar në ishullin karaibik.
Të ndryshme, edhe çastet e kësaj vizite, që do të fillojë më 23, për të përfunduar me 29 mars. Veprimtaria e parë: takimi me gazetarët në avionin papnor, më 23 mars. pasuar nga ceremonia e mirëseardhjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Guanajuatos (León).
Të dielën, më 25 mars, Papa do të takohet me fëmijët në Plaza de la Paz të Guanajuatos. Më pas do të kryesojë Meshën Shenjte në Parkun e Dyqindvjetorit të Pavarësisë, hapësirë e gjerë, kushtuar luftës kombëtare meksikane.
Po këtu do të kremtojë edhe Lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Në mbrëmje, do t’u prijë Lutjeve mbrëmësore me ipeshkvijtë e Meksikës e të Amerikës Latine, në Katedralen e Zojës së Dritës.
Do të largohet nga Meksika më 26 mars, pas ceremonisë së lamtumirës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Guanajuatos (León).
Një festë lamtumire, që pasohet nga një tjetër, mirëseardhjeje, në Aeroportin Ndërkombëtar “Antonio Maceo”, të Kubës.
Etapat kubane do të jenë Santiago e Havana, me vizitën në Shenjtëroren e Zojës së Kobres, Nënës së dashurisë së krishterë, shtatore e Marisë, rreth së cilës prej dy shekujsh mblidhet me devocion të thellë mbarë populli kuban e, sidomos, me Meshën Shenjte, me rastin e 400-vjetorit të rigjetjes së Nënës së Dashurisë së Krishterë, Zojës së Kobres, kremtuar në Sheshin “Antonio Maceo’, Santiago-Kubë, më 26 mars.
Një Meshë tjetër Papa do ta kryesojë në Havanë, në Sheshin e Revolucionit, më 28 mars.
Pas Meshës, ceremonia e lamtumirës, në Aeroportin Ndërkombëtar José Marti të Havanës, largimi nga Amerika dhe rikthimi në Vatikan.
Në këtë shtegtim Papa dëshiron të përqafojë gjithë Amerikën. E, simbolikisht, edhe do ta përqafojë: në takimet e ndryshme, do të jenë të pranishëm ipeshkvijtë e të gjitha vendeve të Kontinentit. Në të dy shtetet, Ati i Shenjtë do të takohet me autoritetet më të larta civile e fetare. Një takim i mundshëm me Fidel Kastron, liderin e vjetër kuban, i cili prej ndonjë viti ia lëshoi presidencën të vëllait, Raul, është një hamendje jashtë programit, por që nuk mund të përjashtohet.
Si në Meksikë, ashtu edhe në Kubë, po jetohet me entuziazëm në rritje, atmosfera e pritjes së Papës, parë si çast shumë i rëndësishëm për t’i përforcuar në fe të dyja vendet me traditë të thellë të krishterë, në dritën e misionit kontinental, nisur nga vetë Benedikti XVI më 2007-ën në Aparesida të Brazilit, me rastin e Konferencës së Ipeshkvijve të Amerikës Latine.







All the contents on this site are copyrighted ©.