2012-03-21 18:27:36

Nga Kuba, kryeipeshkvi i Santiagos: e presim Papën në një vend, në kërkim të pajtimit.


Të hënën, më 26 mars, në orën 2 pas mesnate, kur Meksika pret agimin e një dite të re, Benedikti XVI do të niset me avion drejt Kubës, ku do të arrijë në orët e muzgut. Përqafimi i parë, me Santiagon e Kubës, prej nga na flet imzot Dionisio Guillermo Garcia Ibanes, kryetar i Konferencës ipeshkvnore, që reflekton për shpresat e Kishës kubane, të mijëvjeçarit të tretë, të ndryshme nga ato të Kishës meksikane:

Përgjigje: - Que Cristo sea conocido por todos los cubanos...
Shpresojmë që të gjithë kubanët ta njohin Krishtin, në mënyrë që, duke e njohur, edhe ta duam, e duke e dashur, ta lëshojmë gjithë vetveten në dorë të Tij. Shpresojmë që çdo katolik kuban, çdo i krishterë, të përforcohet në fe e të jetë dëshmitar i Krishtit në gjirin e popullit të vet. E shpresojmë edhe se Zoti do të na japë forcë çdo ditë të luftojmë për pajtimin e kombit tonë, që çdo kuban, pa asnjë dallim, të mund të zhvillohet në mënyrë të gjithanshme, për të mirën e vet, të familjes e të gjithë vendit. Shpresojmë të mos ketë më para nesh rrugë të mbyllura, por të gjitha, të jenë të hapura.

Pyetje: - Këto, shpresat. Po shqetësimet? Cili është shqetësimi juaj më i madh?

Përgjigje: - La preocupacion mayor...
Në këtë çast, shqetësimi ynë më i madh ka të bëjë me gjetjen e rrugëve, për të arritur tek populli ynë, e edhe të mënyrave, për ta bërë ta ritakojë Jezu Krishtin. Është shqetësimi për ta riungjillëzuar, me këtë shërbim baritor kaq të kufizuar e me mjete edhe më të pakta. Shqetësim i vërtetë, ky: kemi nevojë për shërbim baritor, për meshtarë, rregulltarë, diakonë. Duhet falënderuar fort Zoti, që na ka dhuruar një laikat shumë të zellshëm, i cili, mund të themi me plot gojën, po bën mrekulli. Shqetësim tjetër është ai i krijimit të një atmosfere, në të cilën të gjithë ta ndjejnë nevojën e pajtimit, të bashkimit, të respektimit të dinjitetit të njëri-tjetrit, të të drejtave të të gjithëve, sepse të gjithë kubanët janë bij të Kubës, të atdheut të përbashkët, të cilin e duam shumë. Prej këndej, të gjithë duhet ta kuptojnë se janë vëllezër, pavarësisht nga feja, nga mënyra si mendojnë, nga kushtet, në të cilat jetojnë. Ky, shqetësimi më i thellë, e po kjo, beteja më e madhe baritore, ta quajmë kështu, për ta shprehur më figurativisht, shqetësimin që kemi ne, barinjtë kubanë.

Pyetje: - Ç’vlerë ka baritoria shoqërore në shërbim të bashkësive vendase?

Përgjigje: - La actividad pastorale està muy presente...
Veprimtaria baritore është shumë e gjallë, është nga më aktivet, që kemi në bashkësitë tona: si me Karitasin, në të gjitha përmasat e tij, në ndihmë të zhvillimit njerëzor, ashtu edhe me baritorinë e shëndetit, punën baritore me të moshuarit, me njerëzit që vuajnë, me zgjidhjen e problemeve, që ndjehen përgjithësisht në të gjitha fiushat e jetës, duke pasur mirë parasysh edhe ato të formimit, me të cilat merret çdo dioqezë. Në të gjitha bashkësitë tona, sado të vogla qofshin, është sigurisht një grup i Karitasit që funksionon rregullisht.

Pyetje: - Imzot Garcia, a i shqetëson ipeshkvijtë fenomeni “santerìa’, i pranishëm edhe në trojet e dioqezës suaj? E, më lejoni t’i sqaroj dëgjuesit, se ‘santerìa’ është një fenomen, që lind nga sinkretizmi i elementeve të një feje, me elemente të tjera të feve tradicionale, të praktikuara nga paraardhësit. Tek ju, fenomeni lidhet me besimet që sollën me vete skllevërit zezakë, e edhe emigrantët latino-amerikanë, në kushte kur feja e krishterë, e sjellë këtu nga spanjollët, mbizotëronte mbi fetë e ardhacakëve. “Santeria" është një term i pakëndshëm për ata, që e praktikojnë. Praktikantët, laramanë tipikë latinoamerikanë, e quajnë me emra të tjerë, si Lukumi o Regla de Ocha...

Përgjigje: - Bueno, el sincretismo religioso...
Sinkretizmi fetar, që nuk është vetëm fe afrikane, sepse shkrihet edhe me spiritizmin, fenomen ky i përhapur në të gjithë Kubën, është më i pranishëm në Havanë, në Matanza e në Santiago de Cuba. Në lindje të ishullit ndjehet një sinkretizëm i gërshetuar me spiritizëm, më afër praktikës fetare katolike e madje shpesh, praktikat shkrihen në një gjë të vetme. Nuk ka dyshim se mbetet shqetësim për barinjtë. Duhet respektuar çdo njeri, liria e tij, mënyra si lidhet me Zotin, por pa harruar detyrën tonë, që njerëzit të pranojnë se Jezu Krishti është i vetmi Shëlbues. E pikërisht për shkak të respektit që kemi për praktikantët e ‘santerisë’, për shembull, vendosëm t’i ndihmojmë këta njerëz ta njohin Jezusin. Natyrisht, e kemi fjalën për ata, që dëshirojnë. Rikujtojmë se santeria nuk është praktikë sistematike, por devocionale, praktikë sinkretike, që përzjehet me atë katolike. Prej këndej, ka njerëz, që kanë zgjedhur santerinë, por ka edhe nga ata, që zgjedhin një sërë praktikash të tjera...

Pyetje: - Si po e shoqëroni përtëritjen shoqërore të kombit?

Përgjigje: - Nosotros en las omelias...Në homelitë tona, në mesazhet kolegjiale e individuale, aspekti shoqëror i ardhmërisë së Kubës është shumë i pranishëm, e jo vetëm në komunikatat publike, por edhe në të gjitha bisedat tona. Edhe me autoritetet flasim për të ardhmen e vendit, për ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që të hyjmë në rrugën e një zhvillimi të harmonishëm ekonomik, shoqëror e politik të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.